Kryesore

Me çfarë të drejte qeveris shumica?

               Publikuar në : 11:00 - 01/08/20 liberale

Klementin Mile

Duke iu referuar pushtetit qeveritar për të taksuar pronën e individit, filozofi i shquar anglez John Locke thotë se kjo duhet të ndodhë me miratimin e tij, pra me miratimin e shumicës, të dhënë nga ata vetë ose nga përfaqësuesit e zgjedhur prej tyre.

Në pamje të parë kjo fjali nuk duket problematike, gjë që dëshmon për influencën që ka ushtruar liberalizmi lokian. Ne zakonisht e marrim për të mirëqenë që miratimi popullor do të thotë miratim i shumicës së popullit. Megjithatë, sundimi nga shumica mund të jetë po aq tiranik sa dhe sundimi nga një pakicë e vogël. Nëse besojmë te të drejtat individuale, atëherë duhet të besojmë se ka disa gjëra që shumica e popullit nuk ka të drejtë t’i bëjë.

Rreziku i kaosit

Në fakt, disa do të thoshin që parimi i autonomisë individuale kërkon që çdokush të ushtrojë gjykimin e vet pa iu përkulur presionit të opinionit publik. Ky qe argumenti i Henry Thoreau te eseja e tij “Mosbindja civile”: “Një qeveri ku shumica sundon në të gjitha rastet nuk mund të jetë e bazuar në drejtësi. A mund të ketë një qeveri ku shumica nuk vendos të drejtën dhe të gabuarën, por ndërgjegjen? I vetmi detyrim për të cilin kam të drejtën ta supozoj është të bëj, gjithmonë, atë që e mendoj të drejtë.” Rrjedhimisht, shoqëria do të bëhej një shoqatë vullnetare dhe miratimi i të sunduarve do të ishte një aktivitet i vazhdueshëm ku çdo person do të vendoste ditë pas dite për t’i miratuar ose jo politikat e shoqërisë. Është e natyrshme ta kundërshtosh këtë mendim me argumentin se kjo do të promovonte kaos. Por a nuk i respektojmë ne njerëzit si Thoreau që dalin kundër opinioneve të shumicës? Nëse besojmë te të drejtat natyrore të individëve, a nuk pranojmë një standard drejtësie që shkon përtej vullnetit të shumicës?

Si e prodhon forca të drejtën?

Prandaj duhet ta sfidojmë Locke, që të na tregojë se si të drejtat individuale mund të kombinohen me sundimin e shumicës. Filozofi anglez e trajton këtë çështje te “Traktati i Dytë për Qeverisjen” ku shkruan: “Sepse kur çfarëdolloj numri njerëzish, me miratimin e çdo individi, kanë bërë një komunitet, me këtë akt ata e kanë bërë atë komunitet një trup, me pushtetin për të vepruar si një trup, çka ndodh vetëm prej vullnetit dhe vendosmërisë së shumicës. Sepse ajo që e bën aktiv çfarëdolloj komuniteti, i cili nuk është tjetër veçse miratimi i individëve të tij, dhe duke qenë e nevojshme që një trup të lëvizë në një drejtim, është e nevojshme që trupi të lëvizë në drejtimin ku e shpie forca më e madhe, e cila është miratimi i shumicës: ose përndryshe është e pamundur që ai të veprojë ose të vazhdojë të jetë një trup, një komunitet, të cilin miratimi i çdo individi të bashkuar në të ra dakord që të ishte; dhe kështu çdokush ka detyrim kundrejt atij miratimi të dhënë nga shumica.”

Pra, duke dhënë miratimin për hyrjen në një shoqëri politike, çdokush është i detyruar “t’i nënshtrohet vendosmërisë së shumicës”. Sepse nëse anëtarët e një shoqërie do të ishin të lirë të refuzonin çdo rregull të asaj shoqërie me të cilin nuk janë dakord, ata do të ishin po aq të lirë sa në gjendjen e natyrës, çka nuk mund të jetë ashtu, përderisa kanë dhënë miratimin për të formuar shoqëri. Për më tepër, siç shpjegon Locke, nuk është realiste të kërkosh miratimin e çdo individi për çdo akt të shoqërisë. Njerëzit janë shpesh shumë të zënë me jetët private të tyre për të ndjekur takimet publike. Madje edhe kur i ndjekin, diversiteti i opinioneve dhe interesave në çdo grup të madh individësh nuk i lejon të arrijnë marrëveshje unanime. Prandaj aty ku shumica nuk arrin të konkludojë për pjesën tjetër, ata nuk mund të veprojnë si një trup dhe rrjedhimisht do të shpërbëhen përsëri menjëherë.

Kështu Locke sugjeron se ashtu sikundër të gjithë trupat fizikë lëvizin në drejtim të forcës më të madhe, ashtu edhe trupat politikë duhet të lëvizin në drejtim të shumicës. Duket e çuditshme ta derivosh nga forca fizike të drejtën e shumicës për të sunduar, sikur “fuqia të prodhonte të drejtë”. Apo Locke mendonte se shumica ushtron forcë morale më të madhe? Në të dy rastet, ai duket të supozojë se meqënëse çdo individ kontribuon një njësi force të barabartë me atë të çdo individi tjetër, rrjedha e veprimit të preferuar nga numri më i madh i individëve duhet të mbizotërojë për shkak të forcës më të madhe.

Apatia e shumicës dhe oligarkët

Megjithatë, a nuk është e vërtetë që shumica e njerëzve të një komuniteti janë shpesh apatikë për çështjet publike dhe, rrjedhimisht, që një pakicë aktive mund të ushtrojë forcë më të madhe se shumica pasive? Kjo i ka bërë disa teoricienë socialë modernë të konkludojnë se çdo shoqëri politike priret të sundohet nga një klasë elitare ku bëjnë pjesë ata më aktivët në çështjet publike. Në fakt, “ligji i hekurt i oligarkisë”, siç e emërtoi Roberto Michels, mund të jetë njëri nga ato pak “ligje” të zbuluara nga shkenca politike. Për më tepër, ne mund të shohim këtu përgjigjen e dukshme ndaj argumentit të Locke se asnjë komunitet nuk mund të ekzistojë pa rregullat e shumicës: qartësisht, shumë shoqëri janë mbajtur të bashkuara përmes sundimit të pakicave. A do të thotë kjo se liderët kanë nevojë vetëm për mbështetjen e një koalicioni fitues minimal?

Argumenti i Locke ka kuptim vetëm po të supozojmë disa premisa të pashprehura të tij. Të konkludosh që shumica zotëron “forcë më të madhe” për të lëvizur shoqërinë, duhet të supozosh se cdo individ merr pjesë në mënyrë të barabartë në bërjen e vendimeve dhe se çdo bindje individuale është njëlloj intensive në çdo çështje. Përndryshe, në çdo çështje të veçantë, një grup i vogël njerëzish shumë aktivë mund të ushtrojë fuqi më të madhe se shumica. Prandaj mbase formulimi më i mirë i mbrojtjes së Locke për sundimin e shumicës do të ishte që, nëse miratimi unanim në të gjitha çështjet është i pamundur, atëherë sundimi i shumicës është mënyra e vetme për t’i lejuar të gjithë individët të marrin pjesë njëlloj në bërjen e vendimeve.

Pra sipas Locke, duke qenë se miratimet individuale janë, në çdo rast, tagri i vetëm i drejtë për të ushtruar pushtetin, e drejta e shumicës rrjedh si pasojë logjike nga fakti që ajo mund të shenjojë më shumë miratime se pakica. Por a nuk është e dyshimtë që çdo individ do të marrë pjesë, në fakt, në mënyrë të barabartë në diskutimet publike për të gjitha çështjet? Edhe po të jemi të sigurt për pjesëmarrjen e barabartë, a nuk mund ta sfidojmë megjithatë pretendimin e Locke se sundimi i shumicës e përmbush të drejtën individuale të miratimit të qeverisë? Është gjithmonë e mundur që njerëzit e shumicës të bëhen tiranikë ndaj atyrë të pakicës.

Një zgjidhje lokiane ndaj këtij problemi gjendet në njërin nga fjalimet e presidentit amerikan Jefferson, i cili tha: “Të gjithë do ta ngulisin në mendje këtë parim të shenjtë, që edhe pse do të mbizotërojë shumica në të gjitha rastet, ai vullnet, që të jetë i drejtë, duhet të jetë i arsyeshëm; që pakica zotëron të drejta të barabarta, të cilat ligje të barabarta duhet t’i mbrojnë dhe shkelja e të cilave do të ishte shtypje.”/Gazeta Liberale

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back