Kryesore

Mbyllet hetimi, Meta: Ilegjitim  

               Publikuar në : 10:10 - 25/05/21 liberale

Kreu i Komisionit Hetimor paraqiti dje provat e mbledhura për shkarkimin e presidentit. Meta refuzoi sërish të merrte pjesë në seancë dëgjimore. Përmes  një shkrese theksoi se ky proces hetimor ishte në shkelje të Kushtetutës. Ndryshe nga ai i dy viteve më parë, ky komision nuk ka objekt një akt konkret  të presidentit, por deklaratat e tij gjatë fushatës elektorale.

Dita e djeshme ishte afati i fundit që Komisioni Hetimor Parlamentar i kishte caktuar presidentit Meta për seancën dëgjimore.

Në mungesë të tij, ky komisioni i mbylli dje hetimet e nisura nga kërkesa e një grupi deputetësh për shkarkimin e Metës me pretendimin e shkeljes së rëndë të Kushtetutës.

Pretendime të ngritura edhe më herët ndaj presidentit Meta, por që kësaj here patën në fokus mesazhet dhe deklaratat e tij para, gjatë dhe pas fushatës elektorale.

Ashtu siç edhe i pat lajmëruar më herët, përmes një letre të gjatë e shteruese drejtuar kreut të Kuvendit, edhe dje presidenca është përgjigjur përmes një shkrese për mospjesëmarrjen e tij në mbledhjen e Komisionit Hetimor.

“Presidenti i Republikës nuk mund të diskutojë, por dhe as të dëgjohet nga një strukturë e ngritur në Kuvend, që nuk ka legjitimitet dhe nuk duhet të ekzistojë sipas Kushtetutës dhe ligjit”, thuhej në shkresën që drejtori i kabinetit të presidentit,  ia adresonte Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.

Presidenti më herët argumentoi se në katërmujorin e fundit të legjislaturës aktuale, Kuvendi nuk mund të ndërmerrte nisma me natyrë hetimore, si ajo për shkarkimin e tij dhe madje as një seancë si ajo që miratoi ngritjen e Komisionit Hetimor. Meta sqaronte se ky afat niste pas datës 10 maj, datë që presidenti shprehu gatishmërinë të merrte pjesë në dëgjesë e që përkonte me Ditën Kombëtare të Drejtësisë. Komisioni i Ligjeve e kërkoi më herët, duke mos i lënë kohë të njihej me çështjen siç do të thoshte Meta dhe sipas tij miratimi brenda 24 orëve ishte në shkelje të ligjit. Ndërsa Meta i bënte thirrje kreut të Kuvendit, Ruçi, për të mos vijuar me Komisionin që ishte sipas tij jolegjitim dhe jokushtetues, kreu i Komisionit Hetimor deklaronte se nisma ishte legjitime dhe se mungesa e presidentit ishte ajo që ngjallte dyshime.

Komisioni i kërkoi gjithashtu presidentit vënien në dispozicion të materialeve nga veprimtaritë e tij gjatë periudhës mars-prill, e cila do të merrej nën hetim për pretendimet e deputetëve se presidenti kishte shkelur Kushtetutën dhe kishte nxitur ndasi dhe vetëgjyqësi tek qytetarët.

“Ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë, vijon me përgatitjen e dosjeve fiktive, përmes njoftimeve të parapërgatitura, me qëllim që të duket sikur po zhvillon një proces që respekton procedurën”, thuhet në shkresën e fundit të presidencës, ku bëhet e qartë se presidenti nuk u ka kthyer përgjigje, as në datën 18 maj.

“Gjithsesi, ju sjellim në vëmendje se, Presidenti i Republikës ka bërë të qartë qëndrimin e tij se, nuk bëhet palë me askënd në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, vijon shkresa që u  bën sërish thirrje për reflektim deputetëve të Kuvendit.

Meta do të theksonte edhe disa ditë më parë se nëse ky proces nuk do të ndalej, edhe presidenti do të vijonte punën, duke shpërfillur komisionin sipas tij jokushtetues dhe të ngritur jashtë afateve.

Deputeti Spartak Braho pjesë e këtij komisioni propozoi dje që presidenti të merrej me forcë.

“…të gjejë mjetet, por është çështje e vullnetit, që do të thotë se ai s’ka vullnet, ç’është më kryesorja të njohë këtë Kuvend, të njohë Komisionin Hetimor e jo më të paraqitet në bazë të kërkesave që bën parlamenti”, është shprehur Braho, ndërsa deputetët Myslim Murrizi dhe Vasilika Hysi kanë qenë kundër këtij sugjerimi.

Ata ranë dakord të mos dorëzojnë më kërkesa pranë institucionit të presidentit, duke u shprehur se kishin shteruar çdo mjet.

Kreu i Komisioni Alket Hyseni  u shpreh se kërkesa për të ardhur në seancë dëgjimore ishte e bazuar në dy momente juridike, e drejta që ka personi nën hetim, në këtë rast presidenti dhe detyrimin që ka ky komision për ta thirrur e dëgjuar.

“Për ne e rëndësishme është thellësia e hetimit. tha Hyseni, teksa më pas ka renditur provat si CD me deklarata e pamje filmike, takime të Presidentit Meta, etj.

Idenë rreth nismës së re për shkarkimin e presidentit do ta zbulonte fillimisht kreu i grupit parlamentar Taulant Balla e më pas do ta konfirmonte kreu i qeverisë.  Rama theksoi se do të ishte ky Parlament që do të niste procedurat dhe jo i riu, që e nis punën në shtator, ndërsa mandati i Metës përfundon më 22 korrik të 2022-shit.

Meta e ka theksuar në shkresën e tij të gjatë drejtuar Ruçit se Parlamenti nuk kishte opozitë reale, qëndrim që e ka mbajtur në dy vitet e fundit duke e cilësuar jo pak herë edhe si jolegjitim.

Përplasja e re mes maxhorancës dhe presidentit kulmoi me deklaratën e këtij të fundit pak ditë para zgjedhjeve kur iu drejtua qytetarëve ta mbronin votën edhe me “sfurqe”.  Deklaratë që u kritikua hapur edhe nga ambasadorja Yuri Kim, përmes një postimi në Twitter. Presidenti do t’i përgjigjej ambasadores duke i thënë të mos ndërhynte në punët e brendshme të vendit.  Megjithatë, ata u takuan dy ditë më parë në Ditën e Hapur të Stërvitjes Ushtarake “Defender 21”, në Sheshin “Nënë Tereza”.

Kryeministri Rama lajmëroi një votim në bllok për shkarkimin e Metës në Parlament, megjithëse e bëri të qartë se vendimin përfundimtar e ka në dorë Gjykata Kushtetuese, e cila u bë funksionale dimrin e vitit 2020.

Përplasja e mëhershme mes maxhorancës dhe presidentit do të mbyllej me raportin përfundimtar të Komisionit të Venecias, që gjykoi se presidenti kishte tejkaluar kompetencat me shfuqizimin e dekretit për datën e zgjedhjeve lokale, por nuk e kishte shkelur Kushtetutën. Kësaj here në qendër nuk është një akt si dekreti i 8 qershorit të 2019-s, por deklaratat e presidentit, që sipas shumicës e kanë bërë të dalë nga paanshmëria dhe roli i  simbolit të unitetit të popullit, duke u bërë palë me opozitën. Por thelbi në të dy rastet mbetet i njëjti, pretendimet e maxhorancës së Meta ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, që do të çonte në shkarkimin e tij. Nga ana e tij, presidenti është shpallur si garanti dhe mbrojtësi i Kushtetutës, duke i argumentuar si aktet ashtu edhe deklaratat e tij, konform saj.

Meta: Nuk bëhem palë me askënd në shkelje të Kushtetutës

 Presidenti i Republikës Ilir Meta i është përgjigjur letrës së Komisionit Hetimor që e kërkoi në seancë dëgjimore. Në një shkresë zyrtare, Presidenti shkruan se ky komision e humbi mundësinë që nëse do të donte të zhvillonte një seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës, ta zhvillonte atë sipas kërkesës së tij, në datën 10 maj 2021, duke e mohuar këtë kërkesë në mënyrë arbitrare dhe të orientuar politikisht.

PËRGJIGJJA E PLOTË

Pranë Institucionit të Presidentit të Republikës është administruar shkresa nr. 1081/36 prot., datë 21.5.2021, e Kuvendit, me anë të së cilës përcillet shkresa nr. 1081/36 prot., datë 21.5.2021 e nënshkruar nga deputeti Alket Hyseni, cilësuar nën atributet e Kryetarit të Komisionit Hetimor me emërtimin “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”, me lëndë “Thirrje për seancë dëgjimore në Komisionin Hetimor”.

Në këtë shkresë, veç të tjerave, kërkohet prania e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në seancën dëgjimore në datën 24.5.2021, ora 12:00, para strukturës të emërtuar si “Komisioni Hetimor”.

Ky njoftim, ashtu si gjithë praktika e dërguar deri më tani në adresë të Institucionit të Presidentit të Republikës, është një përpjekje e radhës e Kuvendit, për të bërë të duket sikur po ndiqet një proces i ligjshëm, ndërkohë që siç dhe Kuvendi është në dijeni, ky proces ka nisur në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit, dhe ligjin.

Para së gjithash, ju bëjmë sërish me dije se, Kuvendi i Shqipërisë e humbi mundësinë që nëse do të donte të zhvillonte një seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës, ta zhvillonte atë sipas kërkesës së tij, në datën 10 maj 2021, duke e mohur këtë kërkesë në mënyrë arbitrare dhe të orientuar politikisht.

Me veprimtarinë e tyre të zhvilluar në shkelje të parashikimeve të detyrueshme për zbatim, Kuvendi e humbi mundësinë e dhënë nga Presidenti i Republikës për të respektuar Kushtetutën, Ligjin dhe Rregulloren e Kuvendit.

Lidhur me këtë lloj njoftimi të përsëritur nga ana juaj, Presidenti e ka shprehur qartë vullnetin dhe qëndrimin e tij në shkresën me nr. prot. 1651, datë 16.5.2021.

Kjo letër dhe ky vullnet i Presidentit të Republikës ju është përcjellë tashmë dy herë. Së fundmi dhe me shkresën me nr. prot. 1651/3, datë 21.5.2021, dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë në po të njëjtën datë, në orën 14:30.

Ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë, vijon me përgatitjen e dosjeve fiktive, përmes njoftimeve të parapërgatitura, me qëllim që të duket sikur po zhvillon një proces që respekton procedurën.

Mjafton këtu vetëm të përmendim faktin se, pa pritur ende përgjigjen e Institucionit të Presidentit të Republikës për shkresën tuaj me nr. prot. 1081/32, datë 18.05.2021, (përgjigjen e së cilës e ka marrë me shkresën nr. prot. 1651/3, datë 21.5.2021, administruar nga Kuvendi në orën 14:30), Kuvendi ka përcjellë përmes shkresës nr. 1081/36 prot, datë 21.05.2021, Kuvendi përsërit të njëjtën kërkesë për të cilën tashmë kishte marrë përgjigje.

Gjithsesi, ju sjellim në vëmendje se, Presidenti i Republikës ka bërë të qartë qëndrimin e tij se, nuk bëhet palë me askënd në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Presidenti i Republikës nuk mund të diskutojë, por dhe as të dëgjohet nga një strukturë e ngritur në Kuvend, që nuk ka legjitimitet dhe nuk duhet të ekzistojë sipas Kushtetutës dhe ligjit.

Presidenti i Republikës, ripërsërit edhe një herë thirrjen për reflektim në kohë nga ana e deputetëve të këtij Kuvendi, që veprimtarinë e tyre në kushtet e afrimit dita-ditës të përfundimit të mandatit, duhet ta ushtrojë vetëm në përputhje me rendin e brendshëm juridik.

Bushka: Kuvendi legjitim, e ka thënë dhe Komisioni i Venecias

Maxhoranca deklaron se qëndrimi i Presidentit të Republikës Ilir Meta do të merret parasysh për vlerësimin përfundimtar të Komisionit parlamentar hetimor për shkarkimin e tij.

Pas përgjigjes negative të Presidentit për të marrë pjesë në seancë dëgjimore në komision, nënkryetarja, deputetja e PS Klotilda Bushka deklaroi se komisioni vepron në bazë të veprimit të seancës së Kuvendit për ngritjen e tij dhe se legjitimitetin e Kuvendit e ka njohur dhe Komisioni i Venecias.“Mungon vullneti i Presidentit për të marrë pjesë në këtë komision sepse nuk e njeh dhe e konsideron këtë procedurë fiktive dhe që po keqpërdoret nga ana e maxhorancës. Pra fajtori është prapë Kuvendi dhe komisioni hetimor që po vepron në përputhje me Kushtetutën, po zbaton detyrat nga sovrani, Kuvendi, për një çështje që është e një rëndësie edhe më të madhe, sepse flitet për arsyet e shkarkimit të kërkuar. Del qartë se në shkresë në kemi vullnetin e qartë të Presidentit për të mos marrë pjesë dhe për të mos u bindur këtij detyrimi.

Mendoj që nuk është e nevojshme të vijojmë me hapat e tjerë. Sepse sipas kodit çdo lloj qëndrimi i personit do të mbahet në konsideratë në vlerësimin e hetimit dhe vlerësimin përfundimtar që do i bëhet. Të gjitha këto akte do merren në konsideratë. Kjo është përgjigjja e asaj që ju kërkuat. Në komisionin e mëparshëm Presidenti ka marrë pjesë. Pra i njëjti Kuvend.

Ne veprojmë në bazë të veprimit të seancës së Kuvendit për ngritjen e komisionit. Jemi legjitimë. Të gjitha pretendimet për mosnjohjen e legjitimitetit të Kuvendit janë të ezauruara. Për sa kohë Komisioni i Venecias në opinionin për ndryshimin e Kushtetutës, për sistemin zgjedhor e ka thënë e zeza mbi të bardhë që Parlamenti është legjitim. Për ne rëndësi ka të garantohen të drejtat e palëve në këtë proces, ne i kemi ezauruar”, deklaroi Bushka./Gazeta Liberale

 

 

Tags: , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back