Aktualitet

Mbyllen intervistat për 22 kandidatët e SPAK

               Publikuar në : 20:13 - 12/07/19 R Liberale

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka mbyllur fazën e marrjes në pyetje të 22 kandidatëve prokurorë për Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion.

Të fundit që  mbyllën fazën e intervistimit ishin prokurorët  Vladimir Mara, Dritan Prenci, Ndini Tavani dhe Maksim Sota.

Vrasja e bankierit Artan Santo, hetimet e çështjes së Bankës së Shqipërisë, dosja 339 me 74 të pandehur, hetimet mbi grupet kriminale në Tepelenë si dhe sekuestrimi i një sasie të madhe heroine në Kosovë, kanë qenë disa nga çështjet që këta prokurorë kanë hetuar.

Ndini Tavani mban aktualisht detyrën e kryetarit të Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë, por njëkohësisht edhe prokuror në Njësinë Anti Korrupsion në Tiranë.

Ai ka qenë pjesë e grupit hetimor që ka ndjekur vrasjen e bankierit Artan Santo.

Konkretisht Prokurori Tavani është marrë me hetimin e veprimtarisë së punës së bankës ku ishte aksioner Santo, si edhe transaksionet që janë bërë nga kjo bankë.

Po kështu, ai ka qenë prokuror edhe në çështjen e Bankës së Shqipërisë.

Pyetjet për të lidhen me çfarë cilësish do të sjell prokurori Tavani në SPAK, çfarë do të thotë SPAK në botëkuptimin e tij juridik dhe njerëzor.

“Kam paraqitur për vlerësim dosjet që kanë mbaruar dhe secila prej tyre ka specifiken e një dosje të ardhshme e SPAK dhe aktualisht kam 12 dosje në hetim.

Kam hetuar shumë zyrtar të lartë shtetërorë, nga ish-ministrat, ish-deputetë etj.

Me pavarësinë e prokurorëve që buron nga ligji i ri rritet dhe përgjegjësia e tij për punën që bëj”, mësohet të ketë thënë ai, raporton A2.

Vladimir Mara iu përgjigj këshillit për rastin e vitit 2016, sekuestrim i sasisë së madhe prej 4 tonë narkotikësh në Vlorë kur është akuzuar mediatikisht për aksionin e policisë.

Mara pohoi se nuk ka qenë fare prezent në vendngjarje dhe tha se “kam lajmëruar për dekonspirim duke kërkuar një hetim për personat që morën pjesë në aksionin e policisë.

Në këtë rast media ka qenë e përdorur dhe kam kërkuar që Prokurorinë e Përgjithshme të bënte një sqarim publik”.

Mara u shpreh se në çdo vend që ka punuar ka sjellë eksperiencën e tij dhe është përpjekur të bëj më të mirën në respekt të profesionin e tij.

Po ashtu edhe Dritan Prençi ka prezantuar 9 vitet e tij në Prokurorinë e Tropojës dhe 5 vite si drejtues i Prokurorisë së Kukësit.

Aktualisht ai është i komanduar tek Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ka dhënë dënim të përjetshëm për Jaho Mulosmanin, i akuzuar për vrasjen e Azem Hajdarit dhe dënimin me burg për dy anëtarët e familjes Haklaj.

Ndërkohë, ai ka përfaqësuar në gjykatë dy çështje aktuale, që janë nën hetim; atë të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe të ish-drejtorit të Burgjeve, të akuzuar për korrupsion.

“Besoj se cilësitë e mia dhe eksperienca ime janë ato të duhurat për të qenë pjesë e SPAK. Aktualisht kam mbi 40 çështje nën hetim, me më shume se 5 gjyqe në ditë”, është shprehur Prençi.

I pyetur çfarë ndjesie i jep fakti që ka marrë konfirmimin nga organet e vetting-ut dhe a ka pasur kërcënime në lidhje me çështjet që ka në hëtim, Prençi është përgjigjur:

“Po ka pasur, për shkak të akuzës që ngrita ndaj tij (ish-ministrit Tahiri). Unë i rezistova presionit dhe aktualisht përfaqësoj në Gjykatë rastin e tij.

Nuk do të luhatem në vendimmarrjen time për deri sa veproj konform ligjit”, ka thënë ai.

“Çfarë vështirësish mund të hasë SPAK në hapat e tij të parë?”, u pyet ai sërish.

“Ndoshta mungesa e BKH. Duhen ngritur sa me shpejt strukturat për hetim në mbështetje të punës së prokurorëve”.

(Visited 81 times, 1 visits today)

Etiketa: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *