Aktualitet

Mbrojtja në Evropë, një gjumë i gjatë

Shkruar nga Liberale
Mbrojtja në Evropë, një gjumë i gjatë

Angelo Panebianco

Mbrojtja evropiane, bla bla bla. A njeh ndonjëri një argument më të mërzitëshëm? Mërzija varet nga fakti që të gjithë e dijnë që tema nuk qëndron në të vërtetë në axhendat politike të kryeqyteteve evropianë. T’a themi menjëherë: do të kishte qënë një gjë tejet e bukur nëse dhe në vitet e ardhëshme të mund të mërziteshim duke dëgjuar të flitet mbi mbrojtjen evropiane. Fatkeqësisht, kjo mund të ndryshojë shpejt. Fatkeqësisht, jo mbas shumë kohe, larg mërzitjes, do të mund të gjëndeshim në kushte që të jemi të detyruar t’i kërkojmë qeverive, me një shqetësim në rritje, se çfarë bën apo mund të bëjë Evropa për të n’a mbrojtur, për të mbrojtur secilin prej nesh. Është e vërtetë se ka ndonjë që beson se janë në kantier nisma premtuese evropiane në fushën e mbrojtjes. Më të informuarit përmendin  shkurtesa të panjohura për publikun e gjërë si AED (Agjensia e mbrojtjes evropiane). Por mbetet thelbi: nuk ka në këtë çast, asnjë mbrojtje të përbashkët evropiane. Ndërkohë është ndryshuar bota rreth nesh. Nga një krah rritet çrregullimi (Ukraina, Lindja e Mesme, Afrika nënsahariane) dhe, me çrregullimin, rriten kërcënimet për sigurinë e Evropës. Nga  krahu tjetër do të bëjmë hesapet me faktin që mbrojtja amerikane e siguruar që nga lufta e Dytë botërore vështirë se mund të jetë akoma.

Në çdo rast duhet të jetë e plotësuar me një orvatje të evropianëve për të ndihmuar mbrojtjen e tyre. Duhet menduar se çfarë mund të ndodhë nëse në zgjedhjet e ardhëshme presidenciale amerikane do të fitonte Donald Trump, tejet i gatshëm t’a hidhte Ukrainën në krahët e Putinit. Një fitore e Trumpit do të destabilizonte gjithë botën perëndimore e do t’i jepte një goditje ndoshta vdekësore NATO-s. Atëherë evropianët, të mbetur papritmas pa mbrojtësin e tyre historik, çfarë do të bënin? Por edhe nëse Trump nuk do të fitonte, nëse Bideni do t’i a dilte, do të mbetej fakti që, të mbaruara kohët e mbizotërimit të pakundërshtueshëm amerikan, në vitet e ardhëshme Shtetet e Bashkuara nuk do të arrinin të vetëm të kujdeseshin për sigurinë e Kontinentit të vjetër.

Kemi qënë deri tani vetëm “konsumatorë” të sigurisë (të furnizuar nga amerikanët). Duhet të fillojmë të prodhojmë, në sasinë e nevojshme, edhe ne. E nuk do të mjaftojnë për qëllimin Shtetet kombëtare. Për të prodhuar siguri, në mënyrë vërtetë të efektëshme e të dobishme, duhet të vemë së bashku ide, organizim e rezerva. Gjithënjë nëse evropianët të binden (nuk është e thënë që kjo të ndodhi) që alternativa do të thotë të shkojmë drejt rreziqesh vdekësore. Do të jetë e vështirë, tepër e vështirë të binden evropianët, i vetmi popull mbi Tokë, që është zbavitur gjatë me idenë që historia (me të gjithë ngarkesën e dhunës që mbart me vete) nuk ka të bëjë me të. Zgjimi është padyshim i dhimshëm. Jo rastësisht, edhe shumë prej atyre që pranojnë se do t’ishte e nevojshme një mbrojtje evropiane, i kalojnë sipër kuptimit të vërtetë të saj. Mbrojtje evropiane do të thotë, para së gjithash, një zhvendosje të një pjese të madhe t’ardhurash nga welferi në warfare ( e vetëm kjo, në vetvete është një temë politikisht shpërthyese). Në rradhë të dytë do të thotë të krijohet një “qëndër” e ligjëruar për të përdorur  forcën (pra specialistët e dhunës, ushtarakët) për të përballuar cilindo grabitës që do të donte të na sulmonte.

Pengesa kryesore për një mbrojtje evropiane gjithnjë ka qënë fakti se siguria e Evropës nuk është quajtur kurrë nga evropianët si “një pasuri publike” në vështrimin teknik të fjalës, ose si një pasuri e padukëshme, e tillë për të cilën çfarëdo kërcënimi sigurisë të njërit apo tjetrit Vënd evropian të ndjehej nga të gjithë  si një kërcënim Evropës në tërësinë e saj. Vëndet veriore dhe ata të Lindjes kanë qënë gjithmonë më të ndieshëm ndaj kërcënimeve të mundëshme të Lindjes (nga Rusia), ata jugorë kërcënimeve nga Jugu (Lindja e Mesme, Afrika). Vetëm me mësymjen ruse Ukrainës, për të parën herë, shumë evropianë, të Veriut e të Jugut janë ndjerë të paraqitur një rreziku të përbashkët. Por nuk është e thënë (sikurse tregojnë hulumtimet) se ky ndijim rreziku i përbashkët mund të zgjasë në kohë.

Por ka një aspekt mbi të cilin qeveritë  do të mund të punonin me mbështetjen e opinioneve publikë. Mbrojtja evropiane nuk do të thotë vetëm mbrojtje nga kërcënimet ndërkombëtare, të sjella nga fuqi të huaja. Do të thotë edhe mbrojtje nga rreziqet e brëndëshme ose më saktë transkombëtare apo transevropianë. Si terrorizmi xhihadist. E tregon në mënyrë shëmbullore rasti i atentatorit të Brukselit, militanti i Izis i zbarkuar në Lampedusa e pastaj i kaluar në Vënde të ndryshme evropiane më parë se të godiste në Belgjikë. Edhe se në këtë çast mund të duket një ide ireale, shpejt a vonë do të bëhet e qartë për të gjithë se një dukuri transnacionale si terrorizmi  përballohet efektivisht vetëm në një mënyrë. Duke krijuar një shërbim spiunazhi përmbi shërbimet kombëtare e duke krijuar  një bërthamë të policisë evropiane, veç prokurorive e gjykatave evropiane të cilave t’i besohet detyra e kundërshtimit të terrorizmit. Janë synime ambiciozë por jo irealiste. Qeveritë kombëtare mund t’a gjejnë politikisht të leverdisëshme të hiqnin dorë nga një telash, të kalonin në fushën evropiane një veprim kundërshtie që sot varet krejtësisht nga organet kombëtarë. Të luftohet me sukses terrorizmi do të thotë  t’i jepet evropianëve një “pasuri publike”, që ata të mund t’a njohin si të tillë.

Ka qënë një kohë kur evropianët e shihnin botën duke vënë syze të trëndafilta, në të cilën mendohej se bashkimi politik i Evropës do të na binte në prehër si një frut i pjekur, në sajë të një ndërvartësie ekonomike gjithënjë e më të madhe. Pastaj arritën t’ashtuquajurit sovranistë  për të n’a thënë se proçesi i integrimit evropian ishte në të vërtetë një fatkeqësi, një dëm për pavarësinë e Shteteve e traditat e tyre, ashtu sikurse një fyerje për demokracinë. As edhe sovranistët besojnë seriozisht n’atë që thonë. Aq është e vërtetë sa që janë filo-putinianë, dëshirojnë të zëvendësojnë Amerikën me Rusinë në veshjen e një mbrojtësi: hajde pavarësi kombëtare, hajde. Mbetet fakti se europeizmi tradicional, me argumetat e tij të përhershëm, ka mbaruar, ka humbur besueshmëri. Nuk është ekonomia ajo që krijon bashkimet politike. Por mund t’i bëjnë sfidat e sigurisë, dhe frika (frika fizike) që kërcënimet sigurisë sjellin me vete. Ndoshta nën përplasjet e ndikimet e kërcënimeve të shumta, Evropa – ajo pak Evropë që është do të shkërmoqet. Ose ndoshta frika do t’a shtyjë të shtrëngojë rradhët. Në të gjitha rastet koha e mërzisë duket se ka mbaruar.

“Corriere della Sera”, 21 tetor 2023            E përktheu Eugjen Merlika             

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH