Kryesore

Mbreti vdiq, rroftë mbreti!

               Publikuar në : 09:51 - 22/05/21 liberale

Klementin Mile

Shpallja “non grata” e Sali Berishës nga qeveria amerikane dhe kundërpërgjigja e tij me një padi ndaj sekretarit amerikan të shtetit Blinken, përveçse nga pikëpamja e së drejtës dhe e së vërtetës së pretendimeve, vlen të vlerësohet edhe politikisht.
Në këtë dimension, nëse duam të jemi relevantë me analizën tonë për politikëbërjen në vend, përplasja Berisha-Blinken duhet interpretuar në funksion të trashëgimit të pushtetit në partinë kryesore të opozitës.

Interpretimi tjetër, që buron nga kuadri i politikës së jashtme dhe e merr në konsideratë përplasjen Berisha-Blinken nga këndvështrimi i fuqisë së pabarabartë të palëve, mund të jetë interesant gjithashtu, por nuk arrin të hyjë në thelb të zhvillimeve politike të pritshme në vend.
Shpallja “non grata” e liderit historik të Partisë Demokratike, natyrisht, nuk është diçka amatoreske e amerikanëve. Ata mund të akuzohen për shumëçka, por jo amatorizëm.
Edhe pse Berisha, që prej vitit 2013 ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet politike në PD, përveç atij të deputetit, dhe nuk ka mbajtur ndonjë post shtetëror që prej 8 vjetësh, kjo nuk do të thotë aspak që influenca dhe pushteti i tij mbi opozitën është zhdukur apo zbehur. Përkundrazi, zhvillimet në opozitë kanë treguar se Berisha ka vijuar ta ketë “veton” për vendimet e rëndësishme.
Amerikanët, të cilët mund të jenë me standarde të dyfishta kur godasin vetëm Berishën për korrupsion, të cilët mund të jenë hipokritë kur godasin vetëm atë për abuzim me pushtetin, të cilët mund të jenë të njëanshëm kur gjejnë vetëm Berishën për ta cilësuar autokrat, megjithatë, nuk mund të thuhet se janë të painformuar. Ata e dinë që lideri real (dhe jo vetëm historik) i Partisë Demokratike dhe opozitës ka qenë dhe vazhdon të mbetet Berisha.
Prandaj, problemi i vërtetë që adreson shpallja “non grata” e Berishës është trashëgimi i pushtetit në Partinë Demokratike.

E majta dhe e djathta kanë metodologji të ndryshme të trashëgimit të pushtetit. Te të majtët ka vetëm një mënyrë: djali vret babanë për t’ia marrë pushtetin. Kështu bëri Rama në përballjen e vet me Nanon, duke përdorur edhe organizata të tipit “Mjaft” për ta eleminuar, edhe aleanca me kundërshtarë tij si Meta për ta hequr qafe. Këto beteja nuk kanë qenë aspak fisnike, por ama të efektshme. Ato kanë sjellë një lider real të socialistëve, që disponon pushtet të vërtetë.
Te të djathtët, ku atvrasja përjashtohet, mbeten dy mundësi: ose babai vret veten duke i lënë rrugë të lirë djalit, ose djali vret veten pa u çliruar dot nga babai. Në vitin 2013 pati një dorëheqje të Berishës nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, por kjo nuk ishte një vetëvrasje babai për t’i hapur rrugë të birit.

Vetëvrasjen, në fakt, e bëri djali. Kryetari i ri Basha “nuk e pa nga dhëmbët” pushtetin që iu dhurua. Ai pranoi të kryesonte nën hijen e rëndë dhe vendimtare të liderit, duke kryer kështu një vetëvrasje politike.
Ka kritere të shumta për t’i vlerësuar të majtën dhe të djathtën, por ndoshta më i rëndësishmi është ai që prek trashëgimin e pushtetit. Në varësi të rrugës që zgjidhet, e djathta është ose shumë herë më mirë, ose shumë herë më keq se e majta. Sepse vetëvrasja e babait për t’i hapur rrugën të birit është akt i jashtëzakonshëm politik që vlen shumë më tepër se vrasja e babait nga djali i vet. Nga ana tjetër, vrasja e babait është zgjidhje politike shumë herë më e mirë se vetëvrasja e djalit.
Në këtë kontekst, shpallja “non grata” e Berishës nga amerikanët mund të lexohet si akt vrasjeje babai prej një kushëriri të largët që i do të mirën opozitës në vend. Duhet të presim për të parë nëse kjo vrasje do të sjellë edhe vdekjen përfundimtare të babait. Nga ana tjetër, a do të shohim ringjalljen politike të birit pas vrasjes së babait? Apo këto janë gjëra që nuk i pranojnë ligjet e fizikës?/Gazeta Liberale

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back