Kryesore

Mbi vlerën politike të së vërtetës në demokraci

               Publikuar në : 09:52 - 16/08/19 Florian Çullhaj

Florian Çullhaj PhD

Ideja që sot në botë ka një problem me konceptin e të vërtetës, nuk është më thjeshtë një çështje që i përket filozofisë nihiliste por është një ndër temat qendrore në debatin publik dhe gazetarinë politike.  Literatura për këtë temë – e cila vjen nga fusha të ndryshme – ka një rritje eksponenciale.

Që prej antikitetit, e vërteta, falë mendimit dhe veprimtarisë së filozofëve si Platoni dhe Aristoteli – kritikës së tyre ndaj sofistëve – u kthye në një koncept publik, një lloj boshti aksiologjik midis gjuhës, mendimit dhe realitetit.  Sipas kësaj qasje, ato ide që mendohet se kanë vlerë, duhen treguar, por, në anën tjetër, si të vërteta llogariten vetëm ato ide që korrespondojnë me realitetin faktik.

Në lumenjtë e epistemologjisë, psikologjisë sociale dhe shkencës konjitive, tezë qendrore mbetet evidentimi i kritereve konjitive – mbi të vërtetën dhe të rremen – që përdoren prej individëve kur lexojnë gazetën, kur informohen nga rrjetet sociale, mediat audiovizive apo kur përfshihet në debate informale.

Rëndom, qarkullon ideja se njerëzit nuk e kontrollojnë informacionin, jo sepse janë të paaftë apo sepse besojnë verbërisht, por për shkak se nga pikëpamja utilitare sjellja e tyre ka më pak kosto. Kjo do të thotë se njerëzit shpërblen më shumë në terma konjitiv kur ndjekin rrjedhën e zakonshme të informacionit (mainstream-it). Kur besojnë diçka, thjeshtë e bëjnë sepse të gjithë besojnë tek ajo, ose, kur ndjekin një ide, e bëjnë vetëm sepse përcillet prej liderit tek i cili kanë besim.

Filozofët Franca D’Agostini dhe Maurizio Ferrera në librin e tyre La Verità al Potere, besojnë se, për të kufizuar këto rreziqe është e nevojshme të vendosim një seri të drejtash, të cilat ata i quajnë “aletike” nga fjala greke “aletheia” (e vërteta). Qëllimi i tyre është sigurimi i qytetarëve prej mashtrimit në kontekstin e demokratizimit në rritje të informacionit që shënon epokën tonë. Për ta, objektivi nuk është imponimi i “të vërtetës nga një autoritet qëndror”, por krijimi i një mjedisi të favorshëm për njohjen e fakteve, duke i siguruar publikut mjete për t’u orientuar.

Gjegjësisht, autorët propozojnë gjashtë të drejta aletike:1) E drejta për t’u informuar siç duhet dhe për të mos u gënjyer apo keq orientuar . 2) E drejta për të marrë një arsim që na mundëson të diferencojmë, sa është e mundur, të vërtetën nga e rremja. 3) E drejta për t’u njohur si burim i besueshëm i së vërtetës, pra të mos vuash nga një deficit besueshmërie (për shembull, nëse ajo që thua është në kundërshtim me interesat e dikujt ose të një institucioni, ose nëse je një grua, një emigrant ose një individ që gëzon besueshmëri të dobët epistemike, pra për arsye që nuk kanë lidhje me paaftësinë faktike të dikujt për të transmetuar informacione të vërteta). 4) E drejta e zotërimit të një sistemi shkencor dhe në përgjithësi të autoriteteve epistemike që u japin besueshmëri individëve, tezave dhe teorive në një mënyrë aletike, që është i orientuar drejt së vërtetës përpara se të ketë ekskluzivisht interesa ekonomike ose politike. 5) E drejta për të jetuar në një mjedis kulturor (politik dhe shoqëror) në të cilin këto të drejta njihen dhe mbrohen, përmes institucioneve dhe rregulloreve që garantojnë një menaxhim të gjuhës publike të ndjeshme ndaj rolit të konceptit të së vërtetës, në jetën private dhe publike të qenieve njerëzore. 6) E drejta për të jetuar në një sistem kulturor të vetëdijshëm për natyrën e konceptit të së vërtetës, aftësinë e tij për të udhëhequr besimet si dhe njohjen e rreziqeve dhe potencialet që lidhen me përdorimin e saj.

Siç vërehet, e drejta e gjashtë aletike i referohet saktësisht nevojës se, ne të gjithë duhet të jetojmë në një mjedis në të cilin të mbrohen këto nevoja dhe në të cilin ndershmëria dhe e vërteta nuk janë parulla politike boshe, por në të vërtetë strukturojnë format e jetës publike. Sipas D’Agostinit dhe Ferreras, në praktikë, e drejta e fundit mund të shihet si e drejtë ku të gjithë duhet të edukohemi mbi të vërtetën. Të edukohesh mbi të vërtetën nuk do të thotë të mësosh të thuash gjithmonë të vërtetën. Do të thotë  të jesh i vetëdijshëm për rreziqet dhe mundësitë që janë të lidhura me përdorimin funksional të aletheia-s, e cila është mbizotëruese në jetën tonë politike dhe duhet të mësojmë ta përdorim duke mos dëmtuar veten apo të tjerët.

Si përfundim, e vërteta nuk është ontike, ajo është rezultat i procedurave të ndërlikuara për legjitimimin e fakteve.  E vërteta do të mbetet ajo që njerëzit me autoritet do e përcaktojnë si të tillë.  Pra, më e rëndësishme sot është njohja e autoritetit kompetent si burim i së vërtetës, përveç dallimit ndërmjet të vërtetës dhe të rremes.  Në një botë me një larushi të lartë informacioni, paradoksalisht, varësia jonë nga të tjerët për filtrimin këtij informacioni është edhe më e madhe.  Ne duhet të mësojmë të kuptojmë se cilat janë ato sinjale legjitime për t’ia njohur autoritetin dikujt dhe cilat sinjale janë jo legjitime.  Kaq kemi në dorë të bëjmë.  Sepse, pavarësisht përpjekjeve tona, politika kurrë nuk do ta përdorë të vërtetën si aleaten e saj, ky aspekt ka të ngjarë të mbetet një konstante e pandryshueshme e politik(e)s në demokraci. /Gazeta Liberale

(Visited 33 times, 1 visits today)

Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *