Kryesore

Mbi motivin e vetmisë në novelat e Martin Camajt

               Publikuar në : 09:35 - 27/07/20 liberale

Hysni Ndreu

Ndër motivet kryesore që gjallojnë në veprat e Martin Camajt, ai i Vetmisë haset në mënyrë të qëndrueshme, është hegjemon dhe konfigurohet nëpërmjet trajtash nga më të larmishmet. Pavarësisht mënyrave të ndryshme apo ngjyresave, me të cilat shfaqet në zhanre të caktuara e brenda secilit zhanër, në thelb ky motiv mbetet i pandryshueshëm dhe ruan të njëjtin synim autorial: konfigurimin e diagnozës së njeriut të vetmuar, gjithmonë të kërcënuar prej diçkaje, frikës, trishtimit, vdekjes, natyrës a fenomeneve të saj.

Edhe te përmbledhja me novela, “Shkundullima”, të cilën Camaj e botoi për së pari në Mynih, në vitin 1981, motivi i Vetmisë është jo vetëm dominant, por edhe fill përbashkues i të gjitha teksteve që e përbëjnë atë. Novelat e përmbledhjes në fjalë, ase “copëzat”, siç parapëlqen t’i emërtojë autori, ngërthejnë në vetvete dukuri të lidhura me situata të skajshme gjer në absurd, me mite a legjenda, me përfytyrime të kulturës popullore malësore, që kanë shenjuar e shenjojnë jo vetëm Malësinë e Mbishkodrës a vise arbëreshe, por metonimikisht gjithë etnikumin tonë. Sfondi ku zhvillohen ngjarjet e këtyre rrëfimeve është gjetur i tillë që, herë përvijon cakun (Përteqafa, Fundina, Veriu, Jugu), herë të tjera në botët ndërmjet (ndërmjet bjeshkës dhe vërrinit, lumit dhe malit, dimrit dhe verës).

E tillë është ndërtuar edhe ngrehina artistike, me kontraste, kontradikta e marrëdhënie binare: koha e pakohësia, realja e irrealja, ëndrra dhe zhgjëndrra, e njohura dhe e panjohura, mitikja dhe jomitikja. Në secilën prozë autori ka ndërtuar nga një botë më vete. Botët e tij janë në shmang, vise të largëta, të izoluara nga pjesa tjetër, me pak ose aspak mundësi komunikimi; janë “ishuj” që bëjnë jetën e tyre të pavarur dhe nuk i përngjasojnë botës jashtë; ato janë atdheu simbolik dhe metonimik i vetë Camajt. Botë të tilla janë në funksion dhe i shërbejnë vetmisë së personazheve; edhe anasjelltas, vetmia e personazheve, fizike ase shpirtërore, u shërben pikërisht këtyre botëve. Në këto rrëfime Vetmia ka disa shkaqe të shfaqjes.

Ajo është herë derivat i refuzimit e distancimit personal (Pishtarët e natës), herë i mendësisë, kontradiktës a veçimit intelektual (Shkundullima dhe Rrungaja në mars), herë i tëhuajësimit, mospranimit a dallimit ndërmjet të ardhurit dhe vendësve (Shkundullima, Jesminë, Katundi me gjuhë të fshehtë), herë të tjera i të qenit të personazhit i huaj, i panjohur, në një vend aloglot (Katundi me gjuhë të fshehtë). Kjo ndarje nuk është kategorike, pasi shihet se, në ndonjë rast, të njëjtat shkaqe të vetmisë migrojnë sa te njëra novelë te tjetra, veçse pa rënë në përsëritje.

“Plot sende e rrethana përsëriten tek unë, por janë gjithnjë diçka tjetër.” shprehet në një rast vetë autori.

Të tjera motive që shfaqen si plotësuese a rezultante të vetmisë e izolimit janë frika e trishtimi, dashuria e malli, urrejtja e kërcënimi, tragjikja më në fund. Te novelat në fjalë, këto janë edhe motive thelbësore, që shfaqen si minisisteme alegorike e metaforike, të konfiguruara sipas strukturimesh të reja në çdonjërën sosh, të vendosura e të lidhura me vende a hapësira të ndryshme, kryesisht në kohë të largëta e vise në skaj, topose krejt të dallueshme për nga mënyra e jetesës, mendësia, kultura e doket, por edhe të fshehta, të ashpra e misterioze njëkohësisht. Camaj i qëndroi besnik temës së vetmisë në të gjithë krijimtarinë e tij, një motiv ky që u përdor e zhvillua gjerësisht edhe në letërsinë bashkëkohore botërore, madje duke u shndërruar në temë qendrore. Megjithatë, vetmia e personazheve të Camajt nuk është aspak e ngjashme me atë të autorëve a letërsive të tjera, të krijuara në të njëjtën kohë. Kjo pangjashmëri është rezultat i shmangies/zhvendosjes në kohë (në rastin e teksteve në fjalë, zgjerimit për nga e shkuara) dhe i izolimit në hapësirë, larg metropoleve, në botët në shmang, në viset ku autori qe “mbyllë” vetë shpirtërisht.

Në pjesën dërmuese të teksteve në prozë Camaj i shmanget kohës dhe botës bashkëkohore për t’u përqendruar kryesisht te koha dhe botët e së shkuarës. Ky mohim që i bën bashkëkohësisë është një lloj shpërfilljeje e refuzimi për të hyrë a për të marrë modele të gatshme krijuese, karakteristikë kjo e letërsisë socrealiste, por na zbulon njëkohësisht edhe përpjekjen e Camajt për të krijuar e ruajtur autenticitetin e vet si shkrimtar, gjë që e tregon edhe kur eksperimenton me sukses në krijime të veçanta poetike, apo kur bën përcaktime hibride zhanrore të veprave të tij. Camaj krijoi njeriun e vet, në vetminë e vet, me hapësirën e vet dhe në kohën e vet. Ai ndërtoi modele të pangjashme të personazheve të tij, duke i distancuar jo vetëm psikologjikisht e intelektualisht, por dhe mbi të gjitha, kronologjikisht e fizikisht. Me fjalë të tjera, personazhet e autorit tonë janë fizikisht të vetëm dhe shpirtërisht të vetmuar. Si në çdo zhanër të lëvruar prej tij, edhe te kjo përmbledhje Camaj ndërton një model krejt origjinal, duke thyer a përthyer mite, duke zhbërë e ribërë simbole të reja, me një sistem të larmishëm kodesh të veçanta, ngrehinën e të cilit e bazon në lëndë autoktonte gjuhësore, kulturore dhe etnografike shqiptare. /Gazeta Liberale

Tags: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back