Analizë

Mbi lirinë dhe tiraninë

Shkruar nga Liberale
Mbi lirinë dhe tiraninë

Mark R. Levin

(Vijon nga numri i së shtunës)

...Mjaft analistë kanë shkruar gjatë lidhur me karakteristikat  e mendimit konservator. Nuk do të merrem me vlerësimin  e tyre, por do të përqendrohem në disa prej vëzhgimeve të mija mbi këtë çështje, duke e parë atë të lidhur ngushtë me lirinë dhe tiraninë..

Për ti rënë shkurt: Konservatorizmi është një mënyrë e veçantë e të kuptuarit të jetës, të shoqërisë dhe të qeverisjes.  Themeluesit e ShBA u ndikuan shumë nga disa prej filozofëve më të njohur të kohës, mes të cilëve mund të përmenden  Adam Smith ( i cili fliste për rendin spontan), Charles Montesquieu (ideuesi i teorisë së ndarjes së pushteteve), e në mënyrë të veçantë nga John Locke ( një nga përpunuesit kryesorë të teorisë së të drejtave natyrore). Ato patën parasysh gjithashtu edhe  eksperiencat personale si dhe mësimet e historisë, përfshirë këtu në mënyrë të veçantë krijimin, lulëzimin  dhe rënien e Perandorisë Romake. Edmund Burke, që ishte njëkohësisht burrë shteti dhe mendimtar britanik, konsiderohet shpesh si babai i konservatorizmit modern. Ai e mbrojti që në fillim Revolucionin Amerikan, duke përkrahur njëkohësisht edhe idenë e krijimit të një qeverie përfaqësuese. Burke fliste gjithnjë për ndërveprimin e pashmangshëm mes lirisë, tregut të lirë, besimit fetar, traditës dhe autoritetit shtetëror. Konservatorët, ashtu siç ishin edhe Themeluesit e kombit, u frymëzuan pra nga këto mendimtarë të mëdhenj.

Deklarata e Pavarësisë e 4 korrikut 1976, përfaqëson në vetvete dokumentin zyrtar më të spikatur e më të rëndësishëm të konsensusit të arritur mes Themeluesve të kombit për të shpallur mëvetësinë e ShBA nga Anglia. Në këtë Deklaratë thuhet ndër të tjera se :

“ Kur në vijim të ngjarjeve njerëzore bëhet e domosdoshme për një popull të flakë tej nyjat politike që e kanë mbajtur atë të lidhur me një shtet tjetër, e për të marrë vetë në dorë fatin e tij, duke u radhitur mes fuqive të Globit, bazuar në vendin e veçantë e të barabartë që i garantojnë  Ligjet e Natyrës dhe Zoti i Natyrës, respekti i thellë ndaj qëndrimeve të mbarë njerëzimit kërkojnë që ky popull të bëjë të ditur shkaqet që e nxitën atë për këtë ndarje. Ne i konsiderojmë  këto të vërteta si të vetëkuptueshme, sepse të gjithë njerëzit janë krijuar si të barabartë, dhe se ata janë pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme, mes të cilave janë Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë…”.

Themeluesit e ShBA besonin shumë në dinjitetin e individit, që do të thotë se ne, si qenie njerëzore, kemi të drejtën të jetojmë, të jemi të lirë dhe të bëjmë atë që na motivon më shumë, jo sepse kështu dëshiron një person tjetër apo qeveria, por sepse ato janë të drejta natyrore të dhëna nga Zoti.

Ashtu si Themeluesit, edhe Konservatorët kanë besuar gjithnjë se shoqëria njerëzore bazohet në harmonizimin e interesave, siç vinte në dukje edhe Adam Smith, si dhe në normat apo rregullat e bashkëpunimit mes njerëzve që janë përcaktuar e zhvilluar nga një gjeneratë në tjetrën, në funksion të përmirësimit të jetës së individit dhe të të gjithë shoqërisë. Kjo është karakterizuar shpesh edhe si liri e rregulluar, si kontratë sociale apo si shoqëri civile.

Nga sa më sipër, vetiu lind pyetja se ç’duhet kuptuar atëherë me shoqëri civile ?

Në shoqërinë civile, individi nuk njihet dhe pranohet si një numër abstrakt apo si person pa individualitet apo karakter. Përkundrazi, ai vlerësohet si i veçantë, si qenie njerëzore me shpirt e ndërgjegje. Ai është i lirë të shfaqë individualitetin që ka dhe të ndjekë interesat e tij të ligjshme, por duke patur parasysh rendin moral, që bazohet në besimin dhe ushtrimin e kujdesshëm të të drejtave, pa dëmtuar ato të të tjerëve. Si i tillë, individi në shoqërinë civile  përpiqet të jetë sa më i drejtë, sa më i moralshëm dhe sa më i ndershëm. Ai nuk e pranon relativizmin, i cili nuk arrin të bëjë qartë dallimin mes të mirës e të keqes, të drejtës dhe të gabuarës,  drejtësisë e padrejtësisë..

Në shoqërinë civile, individi ka për detyrë të respektojë të drejtat e patjetërsueshme të të tjerëve si dhe  vlerat, zakonet dhe traditat e transmetuara nga një gjeneratë në tjetrën, të cilat përbëjnë identitetin kulturor të shoqërisë. Ai është përgjegjës për mirëqenien e vet dhe të familjes së tij. Si shtetas, ai ka për detyrë gjithashtu të kontribuojë për mirëqenien e komunitetit ku jeton.

Në shoqërinë civile, pasuria private dhe liria e individit janë të pandashme nga njëra tjetra. E drejta e individit për të jetuar i lirë, i sigurt dhe për të kërkuar lumturinë në jetë, përfshin natyrshëm edhe të drejtën  për të fituar e për të pasur pasuri, të cilat janë frut i punës së tij intelektuale apo fizike. Mohimi apo kufizimi i paligjshëm i pasurisë private e robëron apo skllavëron atë ndaj një personi tjetër, duke i mohuar njëkohësisht edhe lirinë.

Në shoqërinë civile, shteti i së drejtës, i cili duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë, përcakton kuadrin qeverisës dhe kufizimet në realizimin e politikave qeveritare, duke shërbyer si garanci kundër arbitraritetit dhe abuzimit me pushtetin.

Në këndvështrimin e Konservatorëve, shoqëria civile ka si objektiv kryesor mbrojtjen dhe përmirësimin e jetës së shoqërisë në tërësi.

Nga ana tjetër, Liberalët Modernë besojnë shumë në supermacinë e shtetit, duke mos pranuar kështu parimet e Deklaratës së Pavarësisë  si dhe rolin e shoqërisë civile. Për ato, interesat individuale dhe veprimi personal janë pengesë për realizimin e objektivave të shtetit utopik. Në këtë mënyrë, Liberalet Modernë nxisin atë që historiani i njohur francez Alexis de Tocqueville e përshkruan si një tirani e butë, e cila me kalimin e kohës mund të bëhet edhe më shtypëse.. Megjithatë, duke patur parasysh vetë emrin “liberal”, që në kuptimin klasik është e kundërta e autoritarizmit, mbase është më e saktë që Liberalët Modernë të klasifikohen si Statistë (doktrinë që kërkon rritjen e autoritetit dhe veprimit shtetëror – shën. ynë).

Themeluesit e ShBA e kuptuan  që në fillim se rreziku më i madh i lirisë është krijimi i një qeverie qëndrore me kompetenca të forta, ku një pakicë njerëzish diktojnë jetën e shumicës. Ato e dinin nga ana tjetër se sundimi i turmës mund të cojë në anarki, e më pas në despotizëm. Prandaj, gjatë Luftës Revolucionare, kolonitë respektuan pak a shumë Dispozitat e miratuara nga Kongresi Kontinental, sipas të cilave, autoriteti qeverisës i lihej kryesisht vetë shteteve. Pas Luftës, kur Themeluesit filluan të punojnë për krijimin e një kombi të ri e të vetëm amerikan, u pa qartë që Dispozitat e Kongresit Kontinental   kishin disa probleme. Qeveria qendrore  nuk kishte mundësinë të financonte vetveten. Për më tepër, shtetet amerikane emetonin secili monedhën e vet, bënin politikë të jashtme të pavarur dhe krijuan e mbanin secili edhe ushtri. Mosmarrëveshjet tregtare mes shteteve amerikane si dhe mes tyre e shteteve të tjera pengonin gjithashtu tregtinë dhe zhvillimin e ekonomisë.

Pikërisht për këto arsye, Dispozitat e Kongresit Kontinental do ti linin vendin Kushtetutës së vitit 1787, e cila i jep qeverisë federale kompetenca dhe autoritet të mjaftueshëm për të kultivuar, nxitur dhe siguruar Lirinë dhe Prosperitetin e deklaruar që në Preambul, por jo autoritet të mjaftueshëm sa për ti  shkatërruar ato. James Madison, një nga autorët kryesorë të Kushtetutës, do te shkruante mjaft bukur për këtë qëllim në “Letrat e Federalistit 51”, kur thekson se “Çfarë është vetë qeveria? Asgjë tjetër veçse reflektim i natyrës njerëzore. Nëse të gjithë njerëzit do të ishin engjëj, nuk do të kishte nevojë për të krijuar qeveri. Po kështu, nëse ato që qeverisin do të ishin engjëj, nuk do të kishte nevojë për kontroll të brendshëm apo të jashtëm mbi qeverinë. Prandaj, kur të përcaktojmë kuadrin ligjor dhe kompetencat e qeverisë, duhet të veprojmë në këtë mënyrë: fillimisht i duhet krijuar mundësia qeverisë të kontrollojë të qeverisurit, e menjëherë me pas duhet detyruar vetë qeveria të kontrollojë vetveten”.

Në pjesën më të madhe të historisë amerikane, ka patur një balancë të arsyeshme ndërmjet autoritetit qeverisës dhe lirisë individuale, e cila përgjithësisht është kuptuar e pranuar nga të gjithë. Kompetencat e  organeve federale janë përcaktuar qartësisht në Kushtetutë. Ky pushtet kufizohet më pas për shkak të shpërndarjes së tij në tre degët federale të pushtetit: legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Të gjitha kompetencat e tjera të pushtetit ushtrohen nga shtetet anëtare të federatës, dhe së fundi nga vetë populli.

Themeluesit e dinin se Kushtetuta Federale mund dhe duhej të ndryshohej herë pas here. Pikërisht për këtë arsye, ato parashikuan dy metoda për propozimin e amendamenteve të mundshme, prej të cilave vetëm njëra metodë është përdorur për miratimin e të gjithë amendamenteve të gjertanishme. Miratimi i amendamenteve kërkon fillimisht dy të tretat e të dy  Dhomave të Kongresit, e më pas ratifikimin nga të paktën tre të katërtat e parlamenteve të shteteve federale…është e qartë që Themeluesit nuk dëshironin ndryshimin e lehtë të Kushtetutës. Ajo duhej të mbetej në thelb një kontratë e përjetshme, e cila mund të modifikohej vetëm në raste përjashtimore, nëse për këtë qëllim do të garantohej një mbështetje e gjerë nga të gjithë mekanizmat kryesorë politikë të ShBA...

Por këtyre standardeve u janë kundërvënë disa herë gjatë historisë qëndrimet Statiste, të cilat kanë një oreks pa fund për kontroll ndaj shoqërisë dhe individit. Ato hedhin sytë menjëherë tek pjata tjetër, pa përfunduar e tretur mirë ushqimin që kanë përpara. Sepse Statistet propagandojnë në mënyrë të vazhdueshme për rritjen e rolit dhe veprimit të qeverisë. E për t’ia dalë me sukses këtij synimi, Statisti flet me gjuhën e demagogut, duke sajuar probleme e gjetur pretekste të njëpasnjëshme, me qëllim që të manipulojë publikun e gjerë dhe të shfrytëzojë momentumin popullor për të ndërhyrë tek liria dhe prona e ligjshme e individit. Njerëzit e zellshëm për punë, serioze dhe te suksesshëm, demonizohen si kriminelë ndaj interesave publike, për të justifikuar ndërhyrjen e qeverisë  në emër të një parade pa fund “viktimash”. Në këtë mënyrë, i akuzuari dhe viktima vendosen drejtpërsëdrejti nën autoritetin e qeverisë, i pari i cilësuar automatikisht e padrejtësisht si kriminel, ndërsa i dyti për shkak të nevojës për ekzistencë. Në të vërtetë, që të dy janë në fakt viktima të kriminelit real, që është vetë Statisti.

Statisti i mbulon synimet e tij me vellon e moralit, por duke krijuar dhunshëm në realitet padrejtësi e pabarazi ekstreme në jetën dhe lirinë e individit, ndërsa për vete paraqitet si personi i vetëm  që mund të garantojë drejtësi e barazi.  E kur një gjë e tillë provohet se është mashtrim, ashtu si edhe Marksisti që u premton parajsën “punëtorëve”, apo krijimin e një Shoqërie  të Drejtë që i shpall “luftë varfërisë”, Statisti kërkon të marrë edhe më shumë autoritet e kompetenca për të shpëtuar ekzistencën e shoqërisë njerëzore. Pa qenë nevoja të përmendim parashikimet kushtetuese, vetiu mund të lindë pyetja se cfarë mund të bëhet  për të kufizuar ambiciet e Statistëve, të cilëve u intereson vetëm morali i tyre, i cili i ka lënë në fakt ata pa orientimin e duhur. Sepse vetë ata nuk tregojnë asnjëherë interes për të korigjuar të metat e tyre. Për më tepër, dështimin e tyre nuk ja faturojnë bindjeve politike, por mungesës së kompetencave. Pikërisht për këto arsye, ato përpiqen pafundësisht të argumentojnë zgjerimin gjithnjë e më shumë të autoritetit të qeverisë.

Por në mes të këtyre qëndrimeve është individi, i cili realisht ka qenë në qendër të vëmendjes së Themeluesve tanë. Duke jetuar i lirë dhe duke ndjekur interesat e tij të ligjshme, sjellja e individit bie në kundërshtim me nismat e Statistëve. Nga ana tjetër, Statistët kanë injektuar kulturën e nënshtrimit dhe të varësisë, përmes së cilës kërkohet krijimi i qytetarit ideal, i cili duhet të jetë gjithnjë në shërbim të shtetit, ndërsa individi duhet të heqë dorë nga vetvetja e personaliteti, duke patur frikë edhe nga sjellja apo mendimi i tij. Dhe kjo arrihet përmes metodave të ndryshme, kryesisht përmes masave me natyrë ekonomike dhe presionit politik.

Statistët e dinë gjithashtu se pavarësisht uzurpimit të suksesshëm të pushtetit dhe masave të shumta me natyrë detyruese, shumë qytetarë  vazhdojnë të jenë skeptikë, e madje  edhe mosbesues ndaj politikës dhe qeverisjes. Prandaj ato ndërmarrin hapa të tjerë, duke përshtatur me kujdes masa të reja, në përputhje me rrethanat që imponon koha dhe natyrën dhe shkallën e rezistencës së individit. Dhe Statistët asnjëherë nuk i marrin masat formalisht. Megjithatë, kujdes i veçantë duhet treguar tek disa të tjerë që thjeshtë veshin mantelin e konservatorit, por në të vërtetë nuk janë gjë tjetër, veçse neo – Statistë, të cilët kërkojnë te hiqet dorë nga parimet e Themeluesve tanë, për të justifikuar vendosjen e një tiranie të butë….. Ato injorojnë tërësisht sukseset e arritura përmes lirisë dhe shoqërisë civile..

Depërtimi i lirisë së vërtetë në shoqërinë Amerikane e bëjnë jo rrallë atë të pakapshme apo të padukshme edhe për ato që kanë lindur e janë rritur me të. Për më tepër, edhe kur liria njihet e pranohet, shpesh ky fakt merret si normal dhe i vetëkuptueshëm…. Në këto rrethana, Statistët shpesh nxitojnë të spekulojnë, duke i trajtuar pikëpamjet e ndryshme rreth qeverisjes jo si kërcënim në rritje ndaj lirisë, por thjeshtë si një formë bashkëjetese normale me vetë lirinë…

Konservatorët nuk e përbuzin qeverinë. Ato përbuzin tiraninë. Pikërisht për këtë arsye Konservatorët e adhurojnë Kushtetutën dhe insistojnë në respektimin e saj. Një qeveri “efektive” që vepron jashtë përcaktimeve kushtetuese është një qeveri e rrezikshme. Duke i braktisur parimet themelore të Kushtetutës, neo – Statistët nuk janë gjë tjetër veçse Statistë. Ato rrugëtojnë më ngadalë se Statistët, por megjithatë ato ecin se bashku në të njëjtin drejtim…

Konservatorët alarmohen kur përparon tirania e butë, e aq më tepër kur ajo duartrokitet nga neo – Statistët. Ato e dinë se  kur cenohet liria, është jo e lehtë ringjallja e saj.. Ato e dinë gjithashtu se receta më e mirë për të trajtuar problemet reale dhe sëmundjet e shoqërisë nuk është rritja e mëtejshme e kompetencave dhe autoritetit të qeverisë federale përtej kufijve kushtetues, por rikthimi tek parimet e vendosura nga Themeluesit tanë. Një popull i lirë që jeton në një shoqëri civile e që punon për interesat e tij, dhe një qeveri që vepron brenda kompetencave kushtetuese, janë garancia më e mirë për një jetë më të begatë e të lumtur si dhe  për krijimin e mundësive të barabarta. Konservatorët janë antidoti i tiranisë, pikërisht për shkak se parimet mbi të cilat ato mbështeten janë njëkohësisht edhe parimet e Themeluesve të vete kombit amerikan.

Përgatiti: Xhezair Zaganjori 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH