Letërsi

Mbi kishën, Sodomën, dhe Gomorrën dhe gay people

Shkruar nga Liberale

Pastaj do vijë një ditë, ku njeriu do ketë të njëjtën liri që ka pasur njeriu i lashtë dhe të njëjtën mendje të çliruar nga vargonjtë moralë.

Loer Kume

Bota jonë njerëzore, e parë në sytë e një alieni turist, shëtitës nëpër univers, me siguri shfaqet në ngjyrat e saj të vërteta, ato të një xhungle primitive, ku njeriu i sotëm jeton ende lashtësinë e tij.

Sigurisht, për shumicën e shqiptarëve në Gomorrën tonë të përditshme, të uritur e të etur, që lagin gabzherret nëpër klube elektorale të fushatës zgjedhore 2021, duke u dehur me premtime se si  Shqipëria do të jetë e jona, (Vallë, e kujt vërtetë? E një grushti njerëzish këtu e 30 vjet?!), për shumicën e shqiptarëve të papunë, parazitë dhe ende ëndërrues të premtimit me lugë floriri, kur floriri i vërtetë shqiptar ikën nëpër Angli e nëpër parajsa fiskale ishujsh tropikalë, sigurisht për shumicën e këtyre shqiptarëve është fare i panjohur debati i javëve të fundit në botën Perëndimore, midis besimit kristian, kishës katolike në veçanti, dhe komunitetit të homoseksualëve.

Historia është ne thelb e thjeshtë. Homoseksualët e tërë botës, kanë ngritur sërish pretendimin që kanë të drejtën e tyre të martohen jo vetëm sipas ligjeve, me një martesë civile, por tashmë dhe në kishë sipas riteve kristiane.

Ky shkrim nuk kundërshton diçka të tillë. Përkundrazi, e përgëzoj entuziazmin e komunitetit homoseksual.

Sigurisht, nuk po shkruaj as për të denoncuar refuzimin e kishës, përkatësisht kishës katolike, dhe saktësisht Papa Françeskut, i cili refuzoi diplomacisht e kategorikisht diçka të tillë. Përgëzoj qëndrimin e kishës, qëndrimin e kuptueshëm të kishës. Mos harrojme se në 2003, papa Gjon Pali 2 ishte krejtësisht kundër martesave civile gay.

Unë po e shkruaj këtë shkrim, në pozitat e një ateisti, dhe mbrojtësi të të drejtave të çdo qenieje njerëzore ta jetojë jetën si më mirë i vjen mbarë, pa i bërë dëm askujt. Dhe duke bërë qejf sa më fort të mundet, sepse jetohet veç një herë.

Unë kurrsesi nuk besoj në dogmën e kishës. Nuk besoj në institucionin e saj, në ikonofilinë, në parimet, në mekanizmat e saj të induksionit të kontrollit, bindjes dhe politikës së fortë në mijëra vjet në tërë Europën.

E dimë të tërë që Europa dhe Kisha janë entitete shumë të ndërthurura. Sigurisht pa i mohuar fesë anët e saj pozitive, që ka sjellë në boshtin e vlerave, ku mban lidhur miliona njerëz besimtarë.

Unë, gjithashtu, kurrsesi nuk besoj në institucionin e homoseksualeve. Nuk besoj në truste, lobingje, lëvizje, komunitete, të bazuara në shijet seksuale të njeriut.

Nuk besoj sidomos, kur këto komunitete nuk bazohen në organizimin e ngjarjeve seksuale, por të atyre politike. Sigurisht duke u vlerësuar këtyre lëvizjeve natyrën sociale emancipuese, në sajë të së cilës u realizuan, martesa civile gay dhe zbutja e klimes së shoqërisë tonë bashkohore. Shoqërisë së derdimenizuar në atë shkallë, sa të paragjykojë dhe stigmatizojë njeriun për shkak se tërhiqet seksualisht dhe emocionalisht nga një njeri i të njëjtit seks.

Por, mbi të gjitha, unë nuk besoj edhe më fort, në budallëkun primitiv njerëzor. I cili sot shprehet me dëshirën kërpudhore, të mbirë nga hiçi, kështu si pas shiut, për t’u martuar në kishë.

Në parantezë, është shumë interesant fakti, që kryesisht debatet dhe ekuilibrat gjithmonë kryhen me kishën katolike, si institucionin më të emancipuar dhe të ekuilibruar fetar, i cili lëron terren, ndryshon lehtë (fjalë e madhe ‘lehtë’), zhvillohet e përshtatet përgjatë mijëra viteve, që nga Konstandini i Madh dhe këtej. Dhe nuk kërkohet kjo e drejtë, për shembull në ritin ortodoks bizantin, në ritin islamik apo në atë të besimit hebre, të treja këto në errësirë totale ndaj çdo forme zhvillimi social bashkëkohor. Debatet dhe ekuilibrat shtyhen gjithmonë në terrenin pionier të kishës katolike. Është ajo që hap rrugët. Por, është praktikisht një budallëk prej njeriu ende në agimin primitiv të tij, ende në stad embrional të zhvillimit të tij, të kërkojnë njerëzit gay të martohen në kishë, sot, në epokën dixhitale, kur Elon Musk ëndërron të martojë njerëzit në Mars.

Kisha është dogma. Para se Katolicizmi të sundonte botën, njerëzit e lashtë ishin shumë më të emancipuar seksualisht se ne sot. Jetonin lirisht shijet e tyre seksuale, si u vinte mbarë, dhe parimi social ishte liria e plotë seksuale si njeriu është në gjendjen e tij të lirë. Është Testamenti i Vjetër, mbi të cilin është bazuar feja katolike, është trashgimia fetare judeo hebraike, ndërthurur me Testamentin e Ri, praktikisht predikimet e Jezuit mbi martesën dhe referencat në Ungjillin e Mateut, është pikërisht kjo fe, me Sodomën dhe Gomorrën në thelb të saj, që bëri mbylljen e madhe seksuale të njerëzve. Është pikërisht kjo fe e madhe monoteiste, që u veshi njerëzve kostume të ngushta shumë për madhësinë e tyre humane. Kjo fe, që besimin te zoti e reduktoi në besimin te kisha, e që dashurinë njerëzore dhe seksin njerëzor e ngushtoi në atë që i vinte për shtat politikisht për të kontrolluar njerëzit. “Homoseksualiteti është imoralitet dhe e dënon zoti!”

Dhe çohen sot njerëzit gay, në, nuk di se çfarë deliri, organizohen në komunitete, ngrenë tema diskutimi e kërkojnë me ngulm, me të njëjtin ngulm që feja i ka dënuar deri më sot, me të njëjtën dogmë, por tashmë një dogmë homoseksuale, që kisha t’i bekojë e t’i martojë në altar.

Pikërisht kjo kishë që altarin e ka ngritur mbi Sodomën antike, e ka shpikur termin sodomi, dhe dënimin me ferr për sodomitët.

Kjo mund të jetë, më në fund, arritja e madhe e dijeve, ëndrra e tërë filozofëve, martesa e dy sistemeve filozofike, atij antik, dhe atij kristian. Pikëtakimi i madh. Arritja e madhe e mendimit njerëzor.

Ose... kjo është një budallallëk primitiv, po aq sa i kishës. Nëse dy njerëz janë gay, dhe duan të krijojnë familje, shkojnë në gjendjen civile, martohen dhe jetojnë të lumtur. Lufta, që çdo vend dhe çdo fe të njohë martesën civile, është një luftë e drejtë. Por, të kërkosh të martohesh në kishë është një ekstravagancë e njëjtë me nepsin për të pjekur e ngrënë qiqra në hell.

Homoseksualët, si fillim, nuk duhet të vetëdallohen nga njerëzit e tjerë straight. Nuk ke as brirë, as ndonjë veçanti specifike ndryshe nga të tjerët, në je apo nuk je homoseksual. Është thjesht diçka që ka të bëjë me intimitetin tënd. Feja gjithashtu, është krejt e jotja, intime. Mbaje me vete, e mos qiqro në hell me martesat në kishë.

Do vijë një ditë, sidoqoftë, që ky komunitet do ia dalë të martohen dhe në kishë. Pastaj edhe në xhami. Pastaj do vijë një ditë, ku njeriu do ketë të njëjtën liri që ka pasur njeriu i lashtë. Dhe të njëjtën mendje të çliruar nga vargonjtë moralë. Dhe kjo historia e kishës do harrohet. E më pas, në rrjedhën e kohës, edhe vetë  kisha do harrohet. E mbase atëbotë, njeriu do jetë zhvilluar mjaftueshëm, do ketë zbuluar një kod moral të ri, modern, emocional njerëzor. Do kenë lindur ambasadat e ambasadorët e parë nëpër planete aliene, shkëmbimet e para tregtare me krijesat jashtëtokësore. Po derisa të vijë ajo kohë, është (në besimin tim) detyra ime, detyra jonë, që budallëkun ta thërrasim me emrin që ka. Në çdo rast, edhe sikur, kundër të gjitha shanseve për të fituar./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH