Kryesore

Mbi disa përvoja dhe kundërthënie letrare Kosovë – Shqipëri

               Publikuar në : 09:25 - 13/05/19 Liberale

Kritika

Mehmet Kraja

Imazhin idealist të Shqipërisë socialiste në Kosovë e ndërtoi letërsia e shkrimtarëve më të mirë të Shqipërisë. Ky imazh ishte aq mbresëlënës, saqë, me rastin e vizitave të rralla ose pas rënies së diktaturës në Shqipëri, të paktë ishin ata kosovarë që u besonin syve të tyre. Një numër syresh edhe tani, kur vijnë në Tiranë, kërkojnë me ngulm të shohin Shqipërinë e idealizuar të letërsisë së realizmit socialist.

Marrëdhëniet letrare Kosovë – Shqipëri gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX kanë qenë komplekse, ndonjëherë kundërthënëse dhe të mitizuara. Këto kundërthënie bëjnë pjesë sa në rrafshin e komunikimit, po aq edhe në formacionet letrare-artistike. Fakti se këto dy pjesë të letërsisë shqipe janë zhvilluar në rrethana të ndryshme historike, shoqërore dhe politike, shpesh me pengesa të mëdha në komunikim të ndërvetshëm, nxori si rezultat konsolidimin e dy përvojave letrare. Studimi dhe theksimi i këtyre dallimeve nuk çon te një çintegrim i ri, siç pandehet ndonjëherë, përkundrazi, letërsinë shqipe e bëjnë më normale, më të afrueshme me lexuesin e saj në krejt hapësirën shqiptare.

1.

Në vitet pesëdhjetë dhe gjashtëdhjetë të shekullit XX, në Shqipëri fillon konsolidimi i letërsisë së shkruar me metodën e realizmit socialist. Ishte kjo një letërsi e shkëputur nga përvoja e shkrimit të periudhës pararendëse, të kohës së mbretërisë, dhe përmes ideve nacionale përpiqej të lidhej me letërsinë e Rilindjes. Ishte ajo letërsi e realizmit, letërsi e drejtpërdrejtë, që ka një shkallë të lartë komunikimi me lexuesin e Kosovës dhe i përshtatet më shumë nivelit të tij arsimor, pra edhe aftësisë së tij perceptuese. Përveç kësaj, duke qenë e lidhur me idetë nacionale të Rilindjes, ajo komunikon me idealet kombëtare të lexuesit të Kosovës. Natyrisht që ajo ishte edhe socialiste, por ky fakt ishte më pak i rëndësishëm për lexuesin e Kosovës, ndonëse nuk mund të thuhet se kosovarët ishin të paprekur nga kjo ideologji. Pra, duke qenë letërsi nacional-socialiste, letërsia e Shqipërisë në Kosovë u konsumua jo për të përmbushur kritere estetike dhe as për efekt të kënaqësisë artistike, por thjesht për utilitarizëm kombëtar dhe politik, merret vesh.

Kjo rrethanë bëri që letërsia e Shqipërisë të ushtrojë ndikim të madh në Kosovë dhe ajo bashkë me Radio Tiranën, bëhet mjeti më i fuqishëm i propagandës. Po u shikua nga kjo distancë, nuk është vështirë të kuptohet se në Kosovë imazhin idealist të Shqipërisë socialiste e ka ndërtuar letërsia e shkrimtarëve më të mirë të Shqipërisë. Ky imazh ka qenë aq mbresëlënës, saqë me rastin e vizitave të rralla ose pas rënies së diktaturës në Shqipëri, të paktë ishin ata kosovarë që iu besonin syve të tyre. Një numër syresh edhe tani, kur vijnë në Tiranë, kërkojnë me ngulm të shohin Shqipërinë e idealizuar të letërsisë së realizmit socialist.

Nga ana tjetër, shkrimtarët e Kosovës avancuan me letërsinë e tyre, me metoda dhe shkolla letrare, bënë deri diku letërsi moderne, e cila në shumë pika qëndronte më afër letërsisë europiane, me të cilën komunikonte përmes përkthimeve në gjuhët jugosllave. Letërsia e Kosovës, pjesa më e mirë e saj, e rrezikuar nga censura dhe autorcensura, i futet aventurës së mbylljes, ose një shkalle më të ulët të komunikimit, duke vënë në përdorim metaforën si mjet të bartjes së mesazhit. Por ajo ia lë letërsisë së Shqipërisë edukimin letrar të lexuesit. Kjo rrethanë prodhoi kundërthënien e parë dhe njëkohësisht nxori si rezultat një situatë jo të natyrshme: shkrimtarët e Shqipërisë u bënë më popullorë në Kosovë sesa në vendin e tyre. Ndërkohë, shkrimtarët e Kosovës, pjesa më e mirë e tyre, mbeten pa lexuesin popullor dhe u orientuan nga lexuesi elitist, nëse mund të thuhet kështu. Por kishte edhe një letërsi tjetër në Kosovë, e cila u shkrua sipas modelit të letërsisë së realizmit socialist të Shqipërisë. Vetëm se ajo ishte letërsi e dobët dhe nuk u mirëprit nga lexuesi, i cili, në vend të kopjes së zbehtë, kishte mundësi ta preferonte origjinalin.

Për t’u treguar integralistë dhe patriotë, dhe për t’i krijuar oponencë të heshtur jugosllavizmës agresive, autoritetet arsimore të Kosovës në plan-programet e shkollave futen më shumë vepra të autorëve nga Shqipëria. Arsye ishte edhe përshtatshmëria e kësaj letërsie me nivelin kulturor dhe dijen letrare jo vetëm të nxënësve, por edhe të hartuesve të programeve dhe të teksteve shkollore. Kjo bëri që shkolla e Kosovës, në drejtim të arsimimit letrar mbeti e prapambetur. Ndryshimet që u bënë së voni, çuan në një ekstrem tjetër: u futën në programe përmbajtje letrare që nuk pranoheshin as nga nxënësit, as nga arsimtarët, sepse rruga e arsimimit letrar në Kosovë tashmë kishte dalë nga binarët normalë. Këto përmbajtje, të themi kushtimisht moderniste, dalin thuajse të pamundshme, sepse shkolla, konservative siç është, ende vazhdon të absorbojë përmbajtje letrare ose nacional-romantike, ose socrealiste.

2.

Veprat e para të letërsisë së Kosovës në Shqipëri u botuan nga fundi i viteve gjashtëdhjetë dhe fillimi i viteve shtatëdhjetë. Edhe para kësaj kohe, gazeta “Drita” dhe revista “Nëntori” botonin poezi të autorëve të veçantë, kryesisht përmbajtje të afërta me konceptin letrar të realizmit socialist, ose të nacional-romantizmit. Ndodh, kështu, që në Shqipëri botohen poetë, emrat e cilëve në Kosovë nuk thoshin gjë. Autorët reprezentativë ose nuk u botuan fare, ose u prezantuan me krijimet e tyre më të dobëta. Megjithatë, poezia e Kosovës në Shqipëri fillon të jetë e pranishme, përkundër gjinive të tjera letrare që injorohen pothuajse tërësisht. Nga fundi i viteve shtatëdhjetë dhe fillimi i viteve tetëdhjetë fillon një interesim më i gjerë për letërsinë e Kosovës, por gjithsesi kriter themelor i përzgjedhjes ishte përshtatshmëria ideologjike e tekstit. Pozicioni politik dhe ideologjik i autorëve shpesh nuk ishte shumë i rëndësishëm. Kjo mënyrë e botimit selektiv, duke u mbështetur kryesisht në përshtatshmërinë ideologjike dhe jo në vlerat letrare, do të krijojë në Shqipëri një pasqyrë të shtrembëruar për letërsinë e Kosovës. Pushteti i atëhershëm në Shqipëri, gjatë fushatave të tij të gjata kundër “shfaqjeve të huaja”, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, e vë theksin edhe te dekadentizmi i letërsisë që vjen prej Kosovës dhe te nevoja që me përmbajtjet e saj të merren në mënyrë të kujdesshme botuesit, shkrimtarët dhe bërësit e tjerë të punëve letrare. Pra, në Shqipëri, në këtë periudhë, mbi letërsinë e Kosovës hidhet një dyshim, i cili nga ideologjia gradualisht kaloi edhe në segmente të tjera të saj, siç janë përmbajtjet, metodat, shkalla e komunikimit etj., që ndryshe quhen hermetizëm, dekadentizëm e kështu me radhë. Te një masë njerëzish në Shqipëri u krijua ideja se letërsinë e Kosovës duhet ta botojmë sa për sy e faqe, sepse kosovarët i kemi vëllezër, por duke qëndruar larg nga përmbajtjet që ofron ajo.

Nuk do të lënë pa përmendur me këtë rast se, edhe përkundër kësaj, një numër shkrimtarësh të Shqipërisë lexojnë me kujdes letërsinë që krijohet në Kosovë. Mirëpo, ndërprerja e marrëdhënieve kulturore Kosovë – Shqipëri në fillim të viteve tetëdhjetë, si dhe ashpërsimi i luftës ideologjike në Shqipëri, ndikoi që këta lexues të jenë gjithnjë e më të paktë edhe nga lagjja e shkrimtarëve, në një kohë që në Kosovë, po në këtë kohë, zhvillimet në letërsi bëhen shumë dinamike.

Po ne në Prishtinë, cilat kritere kemi ndjekur në punë të botimit dhe të afirmimit të autorëve dhe veprave që vinin nga Shqipëria? Ideja se çdo gjë që vjen nga Shqipëria ka vlerë letrare, shpesh na çoi në skajshmërinë tjetër, jo vetëm te njëfarë vetëmohimi pothuajse i tërësishëm i letërsisë së Kosovës, por edhe te vlerësimi i gabuar i autorëve, të cilët në hapësirën letrare të Shqipërisë nuk paraqitnin asgjë. Në këtë pikë rol negativ ka luajtur një pjesë e kritikës në Kosovë, e cila i glorifikoi autorët, që në Shqipëri ishin model i keq i realizmit socialist. Kështu, krahas Kadaresë, Agollit, Petro Markos dhe poetëve si Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu etj., të cilët kritika letrare e Kosovës i vlerësoi jashtëzakonisht mirë, u botuan dhe u vlerësuan edhe autorë dhe veprat e tyre që i bënin shërbim të keq atmosferës dhe ambientit letrar në Shqipëri. Ta zëmë, më të njohur do të bëhet në Kosovë autorët si Ali Abdihoxha, Shevqet Musaraj, Sterio Spasse dhe Fatmir Gjata, madje edhe Jakov Xoxa, sesa në Shqipëri. Një pjesë e kritikës në Kosovë nuk kishte një qëndrim konstruktiv ndaj kësaj letërsie, sepse u bënte elozhe atyre veprave që konsideroheshin modeli më i keq i realizmit socialist. I tillë ishte, ta zëmë, romani “Këneta”, i cili në Kosovë u quajt një nga kryeveprat e prozës shqipe, ndërsa në Shqipëri romani njihej vepër-model i qërimit të hesapeve me armiqtë e klasës, respektivisht me inteligjencën shqiptare, e cila u masakrua deri në varrosje për së gjalli në Kënetën e Maliqit.

4.

Por sido që të jetë, autorët e Shqipërisë u bënë të njohur dhe të gjithë pranueshëm në Kosovë, ndërkohë që shkrimtarët e Kosovës ose nuk njiheshin fare, ose konsideroheshin si autorë minorë në Shqipëri. Në këtë pikë, në Kosovë kanë luajtur rol të paqartë botuesit, plan-programet mësimore dhe një pjesë e kritikës. Në Shqipëri të gjitha fajet i lihen diktaturës, por nëse e shikojmë më nga afër këtë problem, nuk do të nxjerrim gjithmonë përfundimin se përzierja e drejtpërdrejtë e diktaturës dhe instrumenteve të saj ishte i vetmi faktor ndikues për të krijuar bindjen se Kosova bën letërsi minore, në krahasim me atë të Shqipërisë. Duhet ta pranojmë se politika e ndarjes dhe e refuzimit, sikundër edhe ajo e vetëmjaftueshmërisë, kishin ndikimin më të madh, por jo të vetëm. Kjo politikë dhe ideologjia e saj krijoi edhe bindjen te shumica e njerëzve në Shqipëri, se e vërteta rreth Kosovës është ashtu siç thotë Partia. Për pasojë, një pjesë e shkrimtarëve të Shqipërisë besonin, madje akoma besojnë, se letërsia e Kosovës, pjesa e saj më e mirë, jo vetëm që ka mungesa të ndjeshme në vlera, por është edhe mendjeturbullt, jokomunikative dhe dekadente. Pra, në Shqipëri, edhe pas viteve nëntëdhjetë, kishte një konfuzitet të madh në mendje dhe letërsia e Kosovës, pjesa më e mirë e saj, vazhdoi të refuzohej po me ato arsyetime që i kishte vendosur sistemi i mëparshëm, duke i shtuar kësaj mungesën e gatishmërisë për ta pranuar letërsinë e Kosovës si pjesë integrale të letërsisë shqipe. Dhe një mungesë e përgatitjes letrare për ta pranuar këtë letërsi. Vetëm se, aty-këtu, disa shkrimtarë të Shqipërisë, më shumë poetë se prozatorë (njësoj si përkthyesit që i përdorën pa kufizim librat e përkthyer në Kosovë), ndërsa filluan ta çlironin letërsinë e tyre nga shtrëngesat ideologjike dhe nga kufizimet e metodës, me bisht të syrit i shikonin jo pa kureshtje veprat e kosovarëve.

5.

Një problem që përsëritet shpesh, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, është problemi i gjuhës. Një pjesë e mirë e lexuesve, por edhe e njerëzve të letërsisë në Shqipëri mendojnë se shkrimtarët e Kosovës, të gjithë së bashku, kanë probleme serioze me gjuhën. Nëse këtë nuk e thonë publikisht aq shpesh dhe aq qartë, e diskutojnë dendur në biseda joformale. Megjithatë, asnjëherë deri më sot kjo çështje nuk është shtruar dhe nuk është diskutuar me kujdes, në mënyrë të paanshme dhe argumentim logjik dhe shkencor. Përkundrazi, çështja është lënë në dorë të gazetarëve, ose të disa publicistëve të gjuhës dhe të letërsisë. Situata paraqitet e papërballueshme, sepse në Shqipëri, gradualisht, refuzimi i dikurshëm ideologjik i letërsisë së Kosovës, është zëvendësuar pak nga pak me refuzim gjuhësor. Nga ana tjetër, në Kosovë bëhet gjithnjë e më e pranueshme ideja se integrimi kulturor, gjuhësor, letrar etj., qenka pothuajse i pamundur, sepse Shqipëria, për shkak të gjuhës dhe trashëgimisë komuniste tregohet refuzuese ndaj Kosovës. Natyrisht që kjo situatë kaq kundërshtuese kërkon një analizë më të themeltë dhe shteruese, profesionale, historike, gjuhësore dhe letrare njëkohësisht. Kësaj radhe mjafton të themi se problemi i gjuhës, sa është real, por aq paraqitet i simplifikuar. Nuk duhet mohuar se një numër shkrimtarësh të Kosovës kanë probleme serioze me gjuhën, por ata nuk janë shkrimtarë përfaqësues; se të tillë shkrimtarë, që nuk kanë ndjeshmëri të mjaftueshme për gjuhën, ka në secilën letërsi, përfshirë edhe letërsinë që bëhet në Shqipëri. Megjithatë, këtu ekziston një dallim. Nuk do mend, gjuha standarde në Shqipëri, edhe në përdorim letrar, e ka arritur një nivel “standard” të përdorimit, kështu që në këtë pikë edhe shkrimtarët e dobët paraqitën të pranueshëm “së jashtmi”. Në brendi kjo është “gjuhë e kooperativizuar”, gjuhë e realizmit, madje e realizmit socialist, pa depërtime abstrakte. Pikërisht “standardi i kooperativizuar”, që aplikohet gjerësisht në Shqipëri dhe që konsiderohet si masë edhe për komunikim letrar, bën që të bjerë shkalla e fleksibilitetit, respektivisht bëhet kriter për refuzimin e përmbajtjeve, të cilat mund të jenë më depërtuese në abstragimet filozofike dhe meditative. Duhet ta pranojmë se një pjesë e letërsisë së Kosovës asnjëherë nuk do të lexohet me ëndje në Shqipëri, ndonjëherë për shkak se nuk e ka arritur standardin e gjuhës së komunikimit letrar, herë të tjera, për shkak se është një prurje letrare që del jashtë konceptit të thjeshtëzuar të letërsisë së realizmit socialist, i cili vazhdon të reflektojë përmbajtje, perceptime, koncepte dhe ide letrare edhe në ditët e sotme në letërsinë e Shqipërisë.

Së këndejmi, ata që mendojnë se janë tejkaluar të gjitha pengesat për një integrim të tërësishëm të letërsisë shqipe, për mendimin tim, e kanë marrë me nguti. Në të vërtetë, ky integrim i tërësishëm as që do të ndodhë ndonjëherë, sepse rrugët e ndryshme, nëpër të cilat kanë ardhur deri në ditët e sotme të dy krahët e letërsisë sonë, do të ruajnë edhe më tej dallime dhe veçanti./ Gazeta Liberale

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *