Kryesore

Master Class/ Lea Ypi në UET: Pabarazia është rritur shumë në Shqipëri, duhet të mësojmë nga dështimet e së shkuarës

               Publikuar në : 09:28 - 23/11/21 liberale

Në kuadër të botimit të librit “Të Lirë” studentët e rrjetit të ekselencës së Shkencave Politike dhe Komunikimit zhvilluan një bisedë me filozofen dhe pedagogen e London School of Economics (LSE), Lea Ypi

 “Liria është një ideal moral, por në një farë mënyre është edhe një e vërtetë, që na shfaqet sa herë që ne nuk pranojmë të jetojmë në një shoqëri pa moral.” Kështu do të shprehej filozofia e njohur, Lea Ypi në “Master Class”, një diskutim i hapur me pedagogë e studentë të ekselencës në Universitetin Europian të Tiranës, referuar librit të titulluar “Të lirë”.

I shkruar fillimisht në anglisht, e më pas edhe në shqip nga Lea Ypi, pedagoge në Londër, studiuese, shkrimtare, një shqiptare e cila ndalet te biografia e jetës së saj.

Libri flet për një fëmijë të rritur në fund të viteve 1980 në Shqipërinë komuniste. Është një roman, ku personazhi kryesor rritet dhe kalon nga fëmijëria në adoleshencë, ndërsa vendi po jeton të njëjtin transformim. Pra, është një fëmijë që kërkon lirinë në një vend që është në kërkim të lirisë. Dhe siç ajo thotë “u rrit në fund të historisë”.

Një shoqëri që nuk i reflekton të drejtat në mënyrë të njëjtë për të gjithë nuk reflekton as lirinë, pra është një shoqëri ku, për disa çdo gjë funksionon dhe për disa të tjerë nuk funksionon. Këto i kam gjetur në të dyja sistemet”, u shpreh shqiptarja Lea Ypi që rrëfeu historinë tonë në anglisht dhe tashmë e sjell edhe për publikun shqiptar.

Ajo rrëfeu se si filluan “ngacmimet” e para për “sjelljen në jetë” të kësaj vepre, e cila është komentuar jo pak, edhe nga media shumë të njohura botërore.

 “Redaktorja e projektit me pyeti nëse kam menduar që ndonjëherë të shkruaj jo vetëm për një publik akademik, por për të gjithë. Mu duk një sfidë interesante, pasi mua më ka ngacmuar gjithmonë tema e lirisë nga ana filozofike, por dhe ideja e lirisë në traditat liberale dhe socialiste të mendimit politik. Dhe rashë dakord që do të shkruaja një libër mbi konceptin e lirisë.”

Ndërsa më herët “The Guardian” shkruante: “Ajo që e bën librin me kujtime jashtëzakonisht tërheqës nuk janë vetëm zhvillimet politike që tregon Lea, por mënyra se si ajo arrin të zbulojë se si prindërit e saj dhe gjyshja e dashur, Nini, fshehin gjërat për ta mbrojtur atë. Kur thonë se një i afërm është diplomuar, nënkuptojnë se është liruar nga burgu. Të braktisësh shkollën do të thotë të vrasësh veten. Të studiosh marrëdhëniet ndërkombëtare do të thotë të burgosesh për tradhti.”

Autorja tregoi se “Të lirë” është një libër për publikun e gjerë, dhe që vjen nëpërmjet shembujve, për të dhënë një lloj sensi historik dhe për të shpjeguar teoritë.

“Kërkimi i lirisë duhet të japë një lloj shtyse kritike, nëpërmjet të cilës ne t’i qasemi historisë, me pjekurinë që duhet, për të mësuar nga gabimet dhe të shfaqet shpresa aty ku ka mundësi.”

Edhe pse fati i saj do të ndryshonte tërësisht me ardhjen e pluralizmit në vend, studiuesia Ypi e shpreh hapur pakënaqësinë.

“Pabarazia është rritur shumë në Shqipëri. Nëse të intereson koncepti i lirisë, patjetër duhet të të interesojë ë e barabartë. Duhet të jetë për të gjithë, jo vetëm ata që duhet të kenë mundësi. Mund të thonë që shiko se në Shqipëri ka shumë të mira, për mendimin tim përderisa ka shtresa shoqërore që janë në kushte të pabarabarta, atëherë kjo nuk më kënaq. Unë jam e lirë, jo vetëm nga ana filozofike, por edhe materiale. Problemi filozofik që kam është: unë nuk jetoj në një botë të lirë dhe që ë i garantohet të gjithve. Dhe kur nuk jeton në një botë të tillë, ajo që i mbetet fëmijëve të tu është shqetësuese. Dhe ajo që më bën kritike është se njeriu nuk jeton vetëm për interesin e tij personal. Është shumë e rëndësishmë që bindjet politike të formohen sipas arsyes.Është mirë të mësojmë nga dështimet e së shkuarës. Pësimet të bëhen mësim që të ndërtosh kritikën në mënyrë sa më efektive.”, u shpreh autorja e librit “Të lirë”. /Gazeta Liberale

 


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back