Editorial

Mashtrimi i madh (3)

Shkruar nga Liberale
Mashtrimi i madh (3)

Nga Eugjen Merlika

(Demokracia e trukuar dhe komunizmi rozë)

“Shqipërinë do t’a gëzojmë ne dhe fëmijët tanë”

Ramiz Alia

Tejdukja ramiziane në këtë Fjalë para Byrosë politike na jep në tërë vërtetësinë e saj rrënqethëse portretin e saktë të komunizmit shqiptar. Në lakuriqësinë e tij ai zhvishet nga të gjitha fjalët e bukura e reduktohet në një grusht njerëzish, pa ideale, pa parime, pa moral, pa skrupuj, që ka vetëm një qëllim: ruajtja e pushtetit me çdo kusht, me çdo mjet, me çdo çmim. Kjo e vërtetë merr përmasa tragjike kur mendohet se, për gati gjysëm shekulli, ky grusht njerëzish ka mashtruar në mënyrë marramendëse miliona shqiptarë, duke u prrallisur mbi idealet, mbi interesat e popullit e të atdheut, mbi parimet, besnikërinë ndaj tyre e luftën për mbrojtjen e tyre, mbi moralin proletar, njeriun e ri e dokrrat e tjera të këtij lloji, duke u “përgjëruar” për çështjen kombëtare e bashkatdhetarët jashtë kufijvet.

“Kosova është në pragun e shpalljes së Kushtetutës. Le të bëjnë si të duan, sepse ne kemi platformën tonë.” Një indiferentizëm që arrin deri në cinizëm, jo sikur bëhet fjalë për gjysmën e ndarë e të dhunuar të Kombit, por për një popull të panjohur të Azisë apo Afrikës. Ky ishte qëndrimi i vërtetë i komunistëve shqiptarë ndaj vëllezërvet të gjakut. E kishin shpalosur atë gjatë luftës, kur nuk patën guximin apo vullnetin të mbronin kufijtë e rifituar të Shqipërisë, kur s’patën kurajon as të kërkonin referendumin për Kosovën që ju kishte premtuar vetë Titoja në Bujan. E kishin tregur që në agimin e pushtetit të tyre, duke miratuar në heshtje vrasjet masive të kosovarëvet nga ushtarët e Titos si në rastin e masakrës së Tivarit, apo më vonë shpërnguljet e tyre nga trojet e degdisjet në Anadollin e largët nga udbashët e Rankoviçit. Megjithatë, nëpërmjet propagandës demagogjike, kishin arritur të bindnin një pjesë të mirë të kosovarëve se Qeveria e “Shtetit-amë” dhe “Baca Enver” mendonin ditë e natë për ta.

Në përfytyresën e tyre Shqipëria komuniste kishte marrë formën e ylberit, drejt të cilit ktheheshin të gjitha shikimet. E vërteta qëndronte krejt ndryshe. Ata që u munduan t’a “kapërcejnë” ylberin, për të gjetur lirinë , larg dhunës sërbe, e kuptuan shpejt duke provuar burgjet e internimet si “agjentë jugosllavë” se cila ishte e vërteta. Të tjerët do t’a kuptonin vonë, shumë vonë, kur panë me sytë e tyre se si ishte katandisur Shqipëria nga “Baca” e ndjekësit e tij. Ka prej tyre që nuk e kanë kuptuar ende e vazhdojnë t’i thurin hymne në internet. Është e drejta e tyre, por do të bënin mirë të lexonin frazën e vetme që, në drejtim të Kosovës e cila luftonte për mbijetesë mbas fjalimit ogurzi të Millosheviçit, shqiptonte kreu i komunistëve të “Dheut amë”. Do të bënin mirë t’i kërkonin falje atyre mijra shqiptarëve, që kërkuan lirinë në oborret e ambasadave të huaja atë 2 korrik 1990, të cilët u damkosën prej tyre si “renegatë e tradhëtarë të atdheut”.

Kjo bandë zaptuesish të pushtetit, që nuk tërhiqet para asnjë krimi për t’a përjetësuar atë, ka projektuar me një saktësi që të shtang edhe vitet e ardhshme, kur ai nuk do të mund të ishte më bir i dhunës. Ndryshimet në botë bëjnë të detyrueshëm ndrrimin e stilit. Mashtrimi gjysëm shekullor, në kushte të reja, duhet të përsoset më tej. Tashmë ai nuk do t’u shërbehet vetëm shqiptarëve, të tejngopur me të, por edhe “botës së lirë”, në të cilën zyrtarisht Shqipëria do të kërkojë të hyjë si një “Vend demokratik”, që ka lënë pas krahëve përvojën e urryer të “shoqërisë moniste”.

Llogaritë bëhen në imtësi e duke marrë parasysh të gjitha rastet. Ka shenja padurimi në rininë shqiptare e mund të ketë orvatje apo prirje për të ndryshuar rrënjësisht gjërat. Kjo mund të bjerë ndesh me projektin e përjetësimit të pushtetit, që sendërtohet nëpërmjet kalimit të tij nga etërit tek bijtë. Pra Shqipëria përceptohet si një mbretëri mesjetare, në të cilën kasta drejtuese i jep vetes të drejtën e trashëgimit të pasurisë e të ofiqeve, siç bënte aristokracia në kohët e hershme. Për të siguruar këtë gjëndje, që do të tingëllonte anakronike në kapërcyellin e mijëvjeçarëve, partia ka vënë në lëvizje të gjitha levat e saj, nga moria e kuadrove deri tek banditët që, me dhunë, do të ligjësojnë vullnetin e saj.

“...Prandaj gjithmonë të jemi të pregatitur për të dyja rrugët e mbajtjes së pushtetit: rrugën paqësore dhe rrugën e luftës së armatosur. Ne jemi të pregatitur për të dyja rrugët dhe për këtë kemi organet tona të dhunës dhe njerëz tepër të vendosur që i kemi pregatitur gjithë këto vite me mund dhe sakrifica. Mjerë ata që do të guxojnë të na dalin përpara e të na kundërvihen...”

Kuadrot i futën shpejt në punë, duke i shpërndarë nëpër partitë, nëpër organet e shtypit, në institucionet, ndërsa banditët u ruajtën për ditë më të vështira, për sulmin e fundit, për t’i vënë zjarrin Shqipërisë e besueshmërisë së saj më 1997. Në atë rast u shfaqën, në gjithë larminë e mizorisë së tyre, “njerëzit tepër të vendosur” , idhtarët e dhunës së verbër që arritën të djegin të gjallë djemtë shqiptarë të Shikut, që mbronin institucionet. Pati ndonjë që arriti deri në kanibalizëm, duke pirë gjakun e një djaloshi të torturuar e më pas të vrarë nga turma e hazdisur. Si shpërblim ajo “zonjë e nderuar” u bë deputete, ndërsa për djaloshin që ra heroikisht në krye të detyrës, ra heshtja së bashku me lotët e dhimbjen e familjarëve. Vetëm pak ditë më parë Presidenti Moisiu pati kurajon t’i dekorojë si shërbyes të Shtetit, të rënë në krye të detyrës.

Kjo do të ishte skema e fundit e strategjisë së pushtetit, një skemë që nuk mbante parasysh asnjë farë respekti as për traditat e moralin e shqiptarit dhe as për rregullat më të thjeshta të së drejtës. Por ustai i kësaj ngrehine me themel krimesh din mirë se në panikun e shembjes së regjimit idhtarët e tij nuk janë të qetë. Përpara është e panjohura e ballafaqimit me botën tjetër, atë të Perëndimit, që ka fituar “luftën e ftohtë”gjysëm shekullore. Mbi atë botë deri ahere ishin derdhur lumenj boje të zezë, pa kursyer shprehjet më fyese. Por edhe ky ballafaqim është marrë në shqyrtim që herët e për habinë e të gjithëve Kryetari Alia nxjerr në shesh kartat e kredisë, që prej shumë vitesh mbaheshin të fshehta.

“Nëse lind nevoja do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të jashtëm ideologjikë në pushtet, të cilët nuk është nevoja tua përmënd. Pavarësisht problemeve që na ndajnë me ta, kini parasysh se na bashkon kauza jonë e përbashkët, që është pushteti i komunistëve, pavarësisht nga nuancat dhe diskonkordancat e përkohëshme. Përveç aleatëve ideologjikë, nëse do të jetë nevoja, do të keni edhe mbështetjen e aleatëve të tjerë në Perëndim, me të cilët kemi ruajtur fijet e lidhjeve të vjetra për hir të interesave të mëdha.

Shoku Enver dhe Unë, i kemi ruajtur këto lidhje të domodsdoshme dhe jetike, që në fund të fundit, garantonin pushtetin tonë popullor, të cilin do ta ruajmë si sytë e ballit edhe tani edhe në të ardhmen dhe përgjithmonë...”

Është kjo një nga pikat kulmore e më interesante të Fjalës që spjegon shumë “enigma”, jo vetëm të së shkuarës por edhe të viteve të kalimit në të ashtuquajturën demokraci. Mendimi fluturon larg, në vitet e mjegullta të luftës civile, kur ndihmat i shkonin partizanëve e jo forcave nacionaliste, kur Miladini detyronte Enver Hoxhën të bënte copa-copa marrëveshjen e Mukjes, që përkonte me strategjinë aleate të luftës pa i lëvizur qerpiku, kur prijësit nacionalistë braktiseshin në Shqipëri e trajtoheshin si robër lufte në kampet e aleatëve në Itali apo Greqi, kur ata gjenin çfarëdo preteksti për të mos zbarkuar në Shqipëri në ndihmë të forcave kundër komunistëve, të grumbulluara në Veri, kur Mbretit të Shqipërisë nuk i jepej mundësia e kthimit në Atdhe mbasi kështu kishin vendosur komunistët, kur...

Mbas një flurudhe gjysëm shekullore mendimi ndalet në vitet e para të ndryshimit, në kohët e shpresave të mëdha, në përfaqësuesit e ndryshëm të Evropës që predikonin paqen, faljen, që i vinin në një rrafsh ata që vinin nga përvojat e përndjekjeve dhe ata që i kishin vënë në jetë ato, që i jepnin strehim politik ish kuadrove të Sigurimit që “kërcënoheshin” nga “regjimi i Berishës”, që parapëlqenin të diplomuarit e regjimit kundrejt të “pashkollëve” të kundër regjimit për t’ju dhënë mundësinë e mërgimit.

Mbas blindimit që i bëhet së ardhmes nga lidhjet e vjetra e të reja me ish miqtë e ish armiqtë, Kryetari Alia përfundon fjalën e tij me një shprehje besimi, që nuk le shteg për mëdyshje: “Fitorja dhe pushteti do të jenë përjetësisht Tonat.”.

Sikur t’a kisha lexuar këtë material më 1990-91 do t’a kisha quajtur si shprehje e delirit të një diktatori që nuk don të besojë fundin e tij, si ëndrra që i serviren bashkëpuntorëve për të mbajtur gjallë moralin e trupës që po shpërbëhet nën peshën e gërmadhave, si prodhimin e një truri të nxehur nga ethet e pushtetit. Fjala e tij do të më shëmbëllente më shumë me optimizmin e Hitlerit që, megjithëse i rrethuar nga të gjitha anët prej ushtrive armike, shpresonte të fitonte luftën në çastin e fundit me bombën atomike që shkencëtarët e tij po mundoheshin të prodhonin. Sot, mbas pesëmbëdhjetë vitesh, që në ecjen e tyre kanë plotësuar mozaikun që Ramiz Alia vizatonte më 1989, një trishtim më kapllon shpirtin e më paralizon mendimin.

“Vëndi i mjerë, trëmbet kur sheh veten. E kishim nënë dhe na u bë varr, ku s’qesh veç buza e ndonjë të marri, ku psherëtimat, klithmat e rënkimet, që ngjethin erën s’kanë të numuruar...” Kjo nuk ishte Skocia e Makbethit, por Shqipëria e Enverit dhe e Ramizit. Në të kaluam pjesën më të madhe të jetës pa liri, pa të drejta, pa zhvillim, në mjerim, në terror psikologjik e policor. Patëm një shkulm gëzimi kur pamë murin e Berlinit duke u prishur e rrëzimin e qeverive komuniste në Vendet e tjera. U entuziazmuam deri në ngazëllim atë 20 shkurt të 1991 shit, kur pamë të rrëzohej e të tërhiqej zvarrë monumenti i diktatorit.

I besuam me gjithë zemër ndryshimit të jetës sonë e të jetës së Vendit. Me naivitetin e një fëmije i besuam të gjithëve: partive që mbinin si këpurdha e drejtuesve të tyre që përgjëroheshin për demokracinë, premtimeve për një Shqipëri evropiane e çeqeve të bardha, Perëndimit se do të na priste krahë hapur e do të na bënte menjëherë të pasur, idesë se do të kishte një dënim për kriminelët e një shpërblim për viktimat e tyre. Por, mbi të gjitha, i besuam përfytyrimit të një shoqërie që dal ngadalë do të shkëputej nga historia, idetë dhe praktikat e shkuara, për të ecur përpara në rrugën e lirisë, të zhvillimit ekonomik, të mirëqënies e të qytetërimit, një shoqërie që do të përtërihej në vazhdimësi e do të dinte të vlerësonte mundësitë e saj potenciale në të mirë të saj.

Sot kuptojmë se të gjitha iluzionet tona mbetën vetëm të tilla, se ne qemë robër të një mashtrimi të madh, se demokracia jonë duhej futur në thojza.

Uinston Çërçill thonte se “Burri më i madh i Shtetit nuk mund të parashikojë më shumë se gjashtë muaj”. Mbas pesëmbëdhjetë vitesh sot janë vërtetuar të gjitha “profecitë” e ish Kryetarit Ramiz Alia. Është shprehje e gjenialitetit politik të tij, e aftësive mediatike, apo është një fatalitet historik që vazhdon të përcaktojë jetën tonë, në trajtën e një sundimi të tejzgjatur të një kaste që përcjell në breza një etje të pashuar vetëm për pushtet? A mund të kishin marrë tjetër drejtim ngjarjet e dukuritë e këtij tranzicioni të tejzgjatur? Deri kur do të mbetemi robër të një skeme që na ka shkaktuar kaqë dhimbje e që vazhdon të paragjykojë t’ardhmen tonë? Deri kur do të vazhdojmë të jetojmë në prehrin e atij mashtrimi të madh që na shoqëroi në këto vite? Deri kur, me naivitetin tonë, do të vazhdojmë t’a ushqejmë atë mashtrim, duke i besuar ende atyre që e sendërtuan atë simbas ideve të kryemjeshtrit?

Ndoshta ka ardhur koha që secili, në ndërgjegjen e tij, t’i përgjigjet këtyre pyetjeve e përgjigjet të derdhen në detin e gjërë të vetëdijes së përgjithëshme të Popullit e Kombit, që ka nevojë për një shkundje, për një ringjallje, për një rivlerësim të vetes...

U mundova të shtjelloj në këtë shkrim një sërë përsiatjesh rreth këtyre viteve, tashmë të mjaftueshme si kohë, për të bërë ndryshimin e nevojshëm, që do t’a kishte çuar Shqipërinë më pranë Evropës si nivel jetese, si mendësi institucionale, si bashkësi njerëzish që, mbasi ka kryer provimin e ndërgjegjes për të shkuarën, e shikon t’ardhmen me besim e synime të qarta. Kur u rrëzua e u tërhoq zvarrë monumenti i diktatorit këto ishin ëndrrat e pjesës më të madhe të shqiptarëve. Sot, fatkeqësisht, këto mbeten përsëri ëndrra. Shqipëria mbetet e lidhur , në një masë të bollshme, me të shkuarën e saj e nuk është në gjëndje t’a heqë nga supet. Mendësitë, njerëzit e simbolet e saj zotërojnë kudo, së bashku me mjerimin, paligjshmërinë, arrogancën e kastës së re, të shartuar mbi trungun e vjetër. Bilanci i këtyre viteve mbetet i varfër në nivel bashkësie, megjithëse nismat vetiake të shqiptarëve kanë rezultate të dukëshme brënda e jashtë Vendit. Edhe njëherë tjetër treguam se na tërheq më tepër “çështja e humbur”, sikur duam t’i japim të drejtë edhe sot historianit të madh të dyqind viteve më parë.

Përsiatjet e mija u përpoqën të spjegojnë këtë kohë jo të shkurtër kalimi, me të gjitha peripecitë, dështimet, mos arritjet e problemet e saj, simbas një projekti të hartuar me shumë dinakëri mbi pesëmbëdhjetë vite më parë dhe të vënë në jetë, me shumë përpikmëri, në gjithë ata vite. Do të desha që ky arsyetim i imi të ishte vetëm një hamëndje, një ëndërr e keqe, që ecuria e ngjarjeve të mos vërtetonte bindjen, që besoj se nuk është vetëm e imja, sado fantazi politike të duket. Mendoj se ju takon atyre që, në një mënyrë apo në një tjetër, patën dhe kanë barrën e përgjegjësive për vendimet e marra në jetën e sferës drejtuese të Shtetit, të vërtetojnë të kundërtën. Përndryshe, më e pakta detyrë morale karshi të sotmes e së ardhmes, është të spjegojnë pse u bënë prè dhe sendërtues të atij projekti, që po i kushton aqë shtrenjtë këtij Vendi.

FUND Mars 2004

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH