Editorial

Mashtrimi i madh

Shkruar nga Liberale
Mashtrimi i madh

Demokracia e trukuar dhe komunizmi rozë

Nga Eugjen Merlika

“Shqipërinë do t’a gëzojmë ne dhe fëmijët tanë”- Ramiz Alia

Sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji.”

Me këtë pohim “të sinqertë” që binte ndesh me dogmën gjysëm shekullore të “epërsisë së socializmit” si rend shoqëror, politik dhe ekonomik, Kryetari i Shtetit dhe i partisë së komunistëve shqiptarë, Ramiz Alia, në tetor 1989, fillonte fjalën e tij para Byrosë Politike. Ai ishte i vetëdijshëm se ajo fjalë do të ishte një gur sinori mes dy kohëve historike, asaj të socializmit dhe një tjetre që do t’a pasonte, me gjithë të panjohurat e saj e që do të ishte, në synimin e tij dhe të kastës së kuqe që ai kryesonte, një kapitalizëm rozë.

Viti 1989, i mrekullive të paimagjinueshme të një shekulli luftërash mizore e diktaturash të pashembullta, po ecte me revan drejt fundit të tij. Kishte sjellë flladin e lirisë në Vendet e Evropës Lindore që, njëri pas tjetrit, rrëzuan regjimet komuniste që i kishin sunduar për gati një gjysëm qindvjeti. Muri i Berlinit ishte shembur dhe “perdja e hekurt” mes dy pjesëve të kontinentit mbetej vetëm një relike e një periudhe historike që, çuditërisht, kishte arritur në stacionin e saj të fundit.

Në Shqipëri ndryshimet epokale të kampit socialist përcilleshin me një heshtje të përgjithëshme, nën të cilën ndizeshin shpresat e vakëta e mbi të cilën vigjëlonte si skifteri arma e mprehtë e diktaturës së kuqe, Sigurimi i Shtetit. Dyshja Ramiz-Nexhmije, që deri atëhere ishte nanurisur në përrallën e përjetësisë së enverizmit pa Enverin, në fshehtësi projektonte një t’ardhme që do t’ju siguronte atyre dhe vartësve të tyre një pleqëri të rehatëshme e pa telashe e fëmijëve të tyre një sundim të qetë, jo më në një sistem terrori siç kishte qënë diktatura e kuqe, por në një “demokraci kapitaliste” në ngjyrën e formën që do t’ju këshillonin “miqtë e Perëndimit”.

Ky ishte thelbi i fjalës së Ramiz Alisë në Byronë Politike në tetor 1989. I arkivuar si “shumë i fshehtë” për vite të tëra ky dokument, një nga më të rëndësishmit e historisë së Shtetit bashkëkohor shqiptar, ka disa vite që është në duart e shqiptarëve të cilët, nëpërmjet tij, kanë mundësi të kuptojnë e të shpjegojnë të gjitha “enigmat” e periudhës së  kalimit nga një sistem në një tjetër. Si i tillë ai vlen të studjohet e të komentohet në hollësi. Fjala është një parashtrim i qartë dhe i detajuar i një projekti të madh, që do të fillonte sendërtimin e tij së shpejti e do të shtrihej në gjatësi kohe.

Simbas ish Kryetarit Alia ndryshimi i pashmangshëm do të kufizohej në dy pika:”në respektimin e të drejtave të njeriut e në pluralizmin politik”. Ishin çështjet në të cilat këmbëngulte Evropa Perëndimore në dokumentat e saj e të cilat, dështimi ekonomik i sistemit socialist, i kishte bërë të detyrueshme për t’u gëlltitur nga hierarkët e tij. Se sa do të ishin të mjaftueshme këto dy parime bazë për të ndërtuar një demokraci të vërtetë  e treguan përvojat e këtyre viteve, por e paralajmëroi dhe dinaku Alia kur parashtroi:

Të drejtat e njeriut janë diçka brënda nesh dhe mund të abuzohet me to deri diku, por pluralizmi do të bëhet se s’bën. Kundërshtarët tanë do t’i nxisim që të krijojnë parti sa të duan; të majta, të djathta e të qendrës, por gjithsesi këto parti duhet të kontrollohen e drejtohen nga Ne. Programet e themelimit të këtyre partive, do t’i formulojmë dhe do t’i miratojmë Ne. Në krye të këtyre partive, duhet të nxirren njerëz që të përkrahin strategjinë tonë”

A u zbatuan porositë e Ramiz Alisë në krijimin e partive, apo ato lindën spontanisht nga dëshira e ndrydhur dhjetëvjeçarë me rradhë? A ishte një rastësi që në krye të partive u vunë ish kuadro të regjimit, madje të ardhura edhe nga shërbimet e fshehta, apo ata patën guximin që u mungoi të përndjekurve të diktaturës? A ishte thjesht pasioni i politikës, një mënyrë për të nxjerrë jetesën apo pjesë e strategjisë për të copëzuar opozitën ndaj partisë komuniste “të reformuar” krijimi i dhjetra partive në jetën shqiptare? Këto e të tjera pyetje si këto ende e mundojnë shqiptarin e thjeshtë që nuk arrin dot të kuptojë se kujt i shërbejnë dhjetra grupime njerëzish, që quhen parti, kur ritmet e zhvillimit të Vendit nuk kanë krahasim as me fqinjët tanë e standarti i jetesës njeh ngjitje marramendëse vetëm për kastat në pushtet e për trafikantët e shkelësit e ligjit.

Të gjithëve u kujtohen kohët e entuziazmit të krijimit të partive, duke filluar nga ajo Demokratike. Drejtuesit e tyre, që hodhën shpejt triskën e kuqe në kosh dhe u vetëshpallën kampionë të demokracisë e të antikomunizmit, flisnin me zjarr e pasion kundër Enver Hoxhës, për krimet e regjimit, mungesën e lirisë etj. Binte në sy  fakti se në këto parti kishte pak ose aspak ish të burgosur të ndërgjegjes apo përfaqësues të diasporës antikomuniste. Kjo i detyrohej deri diku dhe ndrojtjes së tyre  e mendimit se populli i indoktrinuar nuk do t’a kuptonte pjesëmarrjen e tyre në jetën politike, por diku haptas e diku në mënyrë të maskuar dhe mospranimit të drejtuesve të rinj. Këta të fundit që mendonin, sikurse ustai i tyre, se i nevoitej “karta morale” e të dënuarve të diktaturës bënin garë në  demagogji për të fituar përkrahjen e tyre.

Partia Demokratike qe ajo që mori në gjirin e saj më shumë ish të përndjekur. Në vitet e para disave prej tyre  u dha poste me rëndësi partiake dhe shtetërore, në nivele të ndryshme. Por aktivizimi i ish të përndjekurve politikë ishte vetëm një anë e treguesit të prirjeve demokratike të këtyre partive. Ana tjetër dhe më e rëndësishmja ishte strategjia ekonomike dhe e reformave që duhet të ndryshonin sistemin.

Thelbi i këtyre reformave ishte njohja dhe kthimi i pronave, pra një rindarje e pasurisë shtetërore ndërmjet qytetarëve, të cilëve gati gjysëm shekulli më parë Shteti komunist ua kishte grabitur me dhunë. Qëndrimi i partive qe një ngritje shqytesh e përgjithëshme e përmbledhur në shprehjen shqeto komuniste:” nuk do të lejojmë të nakthehen bejlerët dhe agallarët.”. Ligji 7501, që u miratua thuajse njëzëri nga Kuvendi, si pasojë e një marrëveshjeje ndërmjet demokratëve e socialistëve, ishte themeli i të gjithë prapësirës pas komuniste. Ai ligj jepte tokën në përdorim pa shumë ndryshim nga reforma agrare e 1946,  pa synimin që t’i bashkonte sërish forcërisht fshatarët, por edhe pa mbajtur parasysh se e kujt kishte qënë ajo tokë. Me një ndërhyrje zbukuruese vetëm për dukje krijohej ideja se Shteti po zhvishej nga pushteti ekonomik e se popullit i kthehej mundësia e rivendosjes së pronësisë vetiake. Fshatarët ktheheshin në argatë të tokës, që nuk ishte e tyre, por që për një farë kohe nuk do të paguanin detyrimet që rridhnin nga shfrytëzimi i saj. Nuk ishte gjë e rastit që populli në disa zona të Vendit, sidomos në pjesën Veri-Lindore nuk e pranoi këtë ligj dhe vendosi njëzëri khimin e pronësisë së secilit në kufijtë e para reformës agrare. Kasta komuniste, që ishte e vetëdijshme se duhej lëshuar përkohësisht pushteti politik për të zotëruar në mënyrë “demokratike” atë ekonomik, e kishte hartuar atë me synimin , më pas të sendërtuar, të ruante mundësinë e pasurimit të saj në rrugë të ligjshme e më shumë të paligjshme.

Mungesa e përcaktimit të pronësisë i humbi Vendit shortet e investimeve të huaja që, në fillimet e viteve 90, ishin pothuaj të barabarta për të gjitha Vendet e Lindjes, duke çuar në kalendat greke kohët e vënies së tij në rrugën e zhvillimit ekonomik. Ky dëm i stërmadh që iu shkaktua Vendit, pasojat e rënda të të cilit vazhdojmë t’i paguajmë çdo ditë, ishte rrjedhojë e paaftësisë, e diletantizmit të klasës drejtuese pas komuniste që nuk arrinte të kuptonte përparësitë e çastit, apo zbatim i një strategjie të paracaktuar? Përgjigjen shkoqur e pa dredha e gjejmë tek fjalët e Ramiz Alisë: “ Ne, “Komunistët Reformatorë”, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist, të jemi ne dhe njerëzit tanë. Me këtë strategji, brenda dy tre legjislaturave, do të arrijmë që nga klasat komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes që e kemi planifikuar dhe po e pregatisim vetë....”

Në zbatim të kësaj strategjie qemë të pranishëm në fillimin e viteve 90 në sulmin asgjësues të vandalizmit mbi objektet ekonomike, social-kulturale, të tregëtisë, mbi mjetet e trasportit, madje deri dhe mbi drurët frutorë e jo frutorë, në grabitjet e depove e të dyqaneve. Ky lloj banditizmi, i mbuluar me vellon e “urrejtjes për komunizmin”, i orkestruar nga një rrjetë e padukëshme ish sigurimsash e antarësh të partisë së punës, synonte të zotëronte nëpërmjet grabitjes atë pasuri që kishte mbetur në depot e Shtetit, por dhe të kthente, në dukje, në gjëra pa vlerë objektet shtetërore. Askush, duke filluar nga Qeveria e papërgjegjëshme e  “destabilitetit” të Ylli Bufit, nuk shqetësohej për dëmin e madh që i shkaktohej imazhit të Vendit nga kjo strategji shkatërrimi, në një nga çastet më vendimtare për të ardhmen e tij.

Mallrat e grabitura do të shërbenin si bazë për të filluar rrugën e pasurimit, ndërsa zhvleftësimi i objekteve do të kishte si pasojë blerjen e tyre, gati falas, në proçesin e privatizimit që do të fillonte së shpejti. Ky i fundit do të bëhej me kritere haptas favorizuese për komunistët që, simbas parimit të vjetër “politika në plan të parë” kishin në dorë të gjitha postet kyç në sektorët e ndryshëm të ekonomisë e në tregti. Përparësinë në blerjen e objekteve Shteti i PD do t’ja u jepte atyre që punonin në to. Në pamje të parë ishte diçka e drejtë, në fakt ishte vënie në jetë e strategjisë së krijimit të “klasës kapitaliste” nga komunistët. Në këtë drejtim do të jepnin ndihmesën e tyre komisionet e privatizimit që, jo vetëm për përzgjedhje klasore por edhe për përfitim vetiak, do të zbatonin çmime krejtësisht në dobi të blerësve. Lidhjet me mjediset e fitimit të paligjshëm në Vendet fqinjë e në ata Perëndimore, sidomos në Itali, do t’i jepnin shkas lindjes së trafiqeve të ndryshme që sollën pasurime marramendëse në kohë relativisht shumë të shkurtëra.

Kjo ishte strategjia afatmesme e komunistëve por, për çastin, duhej mbajtur vetëm si një synim i fshehtë e i padeklaruar. Për çastin duhej lëmuar fasada, duhej fituar besueshmëria e Perëndimit që duhej të miratonte rrugën e nisur, për të çelur epokën e paqtimit e të lënies së konflikteve mbrapa krahëve. Për këtë nevoitej një qëndrim i ri karshi të gjithë atyre që, deri dje, kishin qenë “armiqtë e betuar” të socializmit brënda dhe jashtë Shqipërisë. Ujqit do të vishnin lëkurët e qëngjave e, duke sharë  sa të mundnin kryeujkun, do t’ju krijonin viktimave iluzionin se tashmë kishte ardhur koha e tyre. Strategjia ramiziane parashihte një përmirësim të ndjeshëm të kushteve të jetesës të asaj pjese të popullsisë, që kishte qenë kavje e sprovës enveriste në larminë djallëzore të burgjeve, kampeve të punës e atyre të internimit për dhjetëvjeçarë me rradhë.

Strategjia ishte sa dinake aq dhe e poshtër. Për t’u bërë bindëse në “qëllimin” e saj i duhej besuar jo ish ministrave të Adil Çarçanit, gazetarëve të Zërit të popullit apo studjuesve të Institutit që kryesohej nga Nexhmije Hoxha, por klasës së re politike, të përbërë nga profesionistë të të gjitha fushave e ndonjë ish të burgosuri politik. Kryetari Alia projekton si në një ekran ngjarjet e pritëshme dhe mundësitë e kanalizimit të tyre simbas interesave të caktuara e planit të studjuar deri në imtësitë e tij.

Partia që do të marrë pushtetin, do të shajë komunizmin në themel e në çati. Në këtë mënyrë do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të Disidencës Antikomuniste. Ata që janë nëpër burgje, të dënuarit dhe të persekutuarit politikë antikomunistë do të flasin për ne dhe do të na shajnë. Dhe këta dihet që e urrejnë komunizmin por do  të na afrohen e do të na përkrahin. Neve na intereson karta morale e tyre. Këta do t’i afrojmë dhe do t’u japim punë të parëndësishme;por kurrë nuk do t’i lemë të na marrin pushtetin, sepse Ata, sa të marrin fuqinë, do të fillojnë të hakmerren dhe ne kështu do të bëheshim hyzmeqarët e tyre.

Në zbatim të të drejtave të njeriut, duhet t’u japim edhe kompensimin në para, të burgosurit politikë t’i kompletojmë me komoditete banimi...”

Përcaktohen kështu qartë kufijtë, brënda të cilëve do të vërtitet demagogjia e stilit të ri, për të arritur në synimin thelbësor që mbetet ruajtja e pushtetit nga rreziku i rënies së tij tek ata që duhej të kishin qenë trashëgimtarët e ligjshëm të tij në kushtet e shëmbjes së sistemit. Skenari u vu në jetë me një besnikëri të admirueshme, madje lëshimet e detyrueshme qenë më të pakta se sa ata që parashikoheshin.

Sot, në largësi 15 vitesh, ish të përndjekurit  duhet t’i ngrenë një “përmendore” Kryetarit Alia, sepse po të ishte sendërtuar programi i tij, ndoshta do të kishin patur të gjithë nga një shtëpi e do të kishin përfituar edhe paratë e dëmshpërblimit për djersën e papaguar nëpër kampet e punës së detyruar të Shqipërisë socialiste. Pasardhësit e tij në pushtet bënë garë me njëri tjetrin se kush mund t’i mashtronte më shumë ata. Problemi  i banesave të tyre, që normalisht duhej të ishte zgjidhur në kuadrin e rindarjes së pasurisë së paluajtëshme shtetërore ende sot mbetet një rebus. Me paratë që Shteti u ep si shpërblim nuk mund të blejnë as  banesë për një person kurse ata, të cilëve u është njohur pronësia e shtëpive të sekuestruara, ende vazhdojnë të shohin qiraxhinjtë “zotër shtëpie”, që paguajnë qira qesharake, më pak se simbolike. Shumë të tjerë vazhdojnë të sorollaten vite me rradhë gjyqeve, siç kishte profetizuar “magjistari Alia” në tetor 1989:

Të sekuestruarvet dhe të shpronësuarvet do t’u japim nga një letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’u japim pronën e tyre dhe në forma të ndryshme do t’i ngatërrojmë me njëri tjetrin. Ata do të kalojnë nëpër gjykata, ku do të zbatohet rotacion nga Gjykata e Shkallës së parë në të dytën etj. dhe për “difekte teknike” do të kthehen përsëri në të parën...”

Tuneli i errët i drejtësisë, një nga problemet e pazgjidhura të gjithë këtyre viteve. Sa drama e tragjedi i janë shtuar shqiptarëve nga vendimet e sallave të gjykatave, sa padrejtësi janë ligjësuar në to. Nga fjalët e regjizorit të pas komunizmit kuptohet qartë se drejtësia ka qenë e telekomanduar, se nuk i ka shërbyer krijimit e fuqizimit të Institucionit të pavarur. Ajo ka shërbyer si mashë, si dora e gjatë e partisë komuniste për të sendërtuar synimet e saj, që mbeteshin përjetësimi i grabitjes së qytetarëve shqiptarë, i nisur më 1945, e përvehtësimi me mjete “demokratike” i pasurisë së tyre. Sorollatjet shumëvjeçare në dyert e gjykatave, që kanë helmuar jetën e shumë njerëzve në këto vite, nuk janë vetëm pasojë e zbrazësirës morale të një pjese të shërbyesve të tempullit të drejtësisë, por edhe pjesë e strategjisë ekonomike e pushtetore të projektit ramizian.

Mars 2004

Vijon...

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH