Aktualitet

Marrëzi në zheg

Shkruar nga Liberale

Vladimir Myrtezai

Ishte një pasdite nga ato që ndjell fillim vera, plot lëvizje e gjallëri të zhurmshme. Një botë shplodhëse plot ngjyra dhe reflekse të multiplikuara në xhamat e lokaleve saqë të dukej që po jetoje në një skenë të lumtur ku mbi gjithçka superpozoheshin ngjyra dhe mbivendosje të përsëritura njollash në lëvizje. Një nga ato gëzime në rrugë ku dashje pa dashje lakuriqësia e femrave të zhveshura nga stina e bënte situatën të lyrtë e plot cytje të kuriozitetit mashkullor. Do mund të arratiseshe si të duash me secilën syresh dhe të plekseshe në fantazi në forma nga më të befta, pasi që të gjitha pothuajse ruanin një stil të ndryshëm e karaktere nga më të llojtat për të zhvendosur kënaqësinë në secilën syresh. Në një liri që nuk se ta kontrollon kush. Mendja m’u arratis herët në kohë në njerëz që të vijnë në sy pa trokitur, si rezultat i përshtypjes dhe shenjave që ata kanë lënë gëzueshëm në memorien e gjithkujt. M’u duk sikur më doli para syve Severino Vuksha. Nga mbiemri po ta zhvendosje në gjuhën sllave do qe përngjashmërisht një ujk i vërtetë në kohë të hershme. Një histori dhe pleksje shenjash që ja vlen ta sjell në rrëfim.

 

Ishte koha kur luhej fshehtazi këlliç dhe pihej fërnet me kafe, ose një shkartisje pijesh që porositej shkurt si “kaçurrel”. Ishte koha ku flirtet njerëzore qenë të fshehta, ose të dubluara ndër njerëz të tretë për të ndihmuar një lidhje. Qe po ajo kohë kur njerëzit bënin gjeste të marra për të shpjeguar dendësinë e forcës dashurore sy partnerëve, ose thyenin ora dore e gjëra të shtrenjta dhe bënin akte mazokizmi të dukshme në formë dedikimi e besnikërie për dashnoret misterioze. Kishte një ndryshim të dukshëm: koha përjetohej si e ndaluar dhe ritmet e njerëzve po ashtu. Marrëzitë bënin të mundur lëvizjen, ajrin dhe arratitë e fshehura, duke ndjellë një erë të marrë, të brendshme e të shthurur në fantazinë e tyre, si një majë e dukshme a si një puls i çartur jete: i fshehur për të lëmuar edhe më tej frustacionet e mbyllura të njerëzve, me një dukje rreshtore, kuadratizuar rregullit standard hapësirash gjallimi. Natyra ishte po e njëjta gjë, si aleancë – sfond baritës me ulje-ngritje të pakta, e herë-herë me një zheg të padurueshëm e të thatë.

Xhirot e njerëzisë mbrëmjeve po të njëjta, me rituale që përsëriteshin; me njerëz që e afronin pamjen paksa të pandryshuar në rutinën e tyre, aq sa mund të mos dalloje as edhe një detaj shprese. Beqarët, të pozicionuar në vende të përhershme, në pamundësinë e tyre për të ndryshuar strategji dhe vëmendje, ëndërronin me sy hapur të qenit çift, pavarësisht se ajo kohë t’i vriste ëndrrat.

Autobusët e rrallë fizarmonikë rrëshqitnin ngadalë në pikat urbane dhe tërhiqnin njerëz të mbetur stacionesh me radhë të përsëritura, në një metafizikë monumentale në tiktakun e kohës utopike. Për nga ritmi dhe apatia, ky qytet do t’i ngjante rregullit, monotonisë së një spitali, ku si aksidente e fishkëllima të larta jete do ishin disa lajme në formë aksidentesh nga bota e politikës dhe e ngjarjeve të reduktuara mbi rrezikun e imperializmit amerikan dhe revizionizmit të disa vendeve komuniste të asaj kohe. Të dukej që çdo gjë lexohej dhe qe në kontroll të mbyllur nga një makineri e fshehtë, dhe njerëzit që nuk e shpallnin hapur që jetonin gati së bashku në rregulla të qarta e të përcaktuara mirë.

Role dhe hapësira pushtetesh të kontrolluara mirë, ku në masë ruhej një kuriozitet për një pakicë, që me fije të padukshme mbante nën kontroll jetën e gjithsecilit, dhe ku njerëz të dorëzuar kishin hyrë në një qerthull kolektiv, ku merrnin dhe jepnin gjëra të kufizuara e të kontrolluara marrëdhëniesh që kishin të bënin me përditshmërinë, dhe kur gjërat ndodhnin ngadalë, si në ‘slow motion’, në një simetri të akullt e të pandryshueshme. Por, e gjithë tabloja shkatërrohej nga bulëza irracionaliteti të pazakontë, poshtë pjesës së padukshme të njerëzve, pikërisht ndër arratisje çmendurake të fantazisë, si rrathë ajri, të yshtur me jetë. Mbi lëkurë shfaqej tjetër gjë, nën të dëshira e ëndrra për tokën idilike, ku njeriu mund të provojë mjaltin dhe gjakun e jetës së mohuar.

Severino Vuksha ishte një artist i një lloji krejt të veçantë, që jetonte diku në Gjuhadol nga lagjja e katolikëve. Riosh, krejt i thinjur e simpatik, i dhuntisur me një inteligjencë që, më shumë se e tillë i ngjante besimit ngjitës në subjekte tabu për shumicën e njerëzve. Dukej sikur kishte lindur në Rilindjen e hershme, ku banonte përputhshmërisht nën rite dhe marrëdhënie si dikur në atë kohë, duke sfiduar të tashmen për të gjetur mistikën e saj.

Mund të them se ishte i pa përshtatur, dhe ruante një lloj sjelljeje krejt të kundërt e krejt të përveçme krahasuar me gjinden që e rrethonte. Severino krijonte vorbulla tërheqëse dhe dukej si një truall lirie për të tjerët. Ndjente një dobësi karnale e të dhunshme për femrën, dhe e kishte strumbullar të motivuar të ditës së lume. Femrën e kishte të rrjedhur në ballë, që në çastin që e zbulonte si kërshëri të parë, dhe e shijonte si një territor mistik plot tjerrje e vello të mistershme. Atë e ndiqte një tis blu në të gjithë harkun e fatit të tij, dhe vijonte një jetë si mes besimtarësh të flirtit human, të kthyer në dishepuj të një udhëheqësi mistik që shquhej mes njerëzve.

Severino Vuksha kishte një pamje krejt moderne, të freskët dhe të ngjashme me njerëz të artit që nuk hanë fort diskutim për shijet dhe preferencat. Në të pavetëdijshmen e tij arti nuk se ishte gjë tjetër veç një magjie me drejtim nga Rilindja e hershme, dhe në të gjitha përsiatjet e tij në fushën e kërkimit i ngjante në mënyrë rrëqethëse skenave të dashurisë, amshimit dhe mistikës. Qendra ku ai përcillej pambarimisht, si një lirik i vërtetë në nota të theksuara romantike dhe në një touch të vazhdueshëm me erosin. Magjia e të qenit mistik, nën vellon e një panatyrshmërie që, me thënë të vërtetën, i rrinte mjaft mirë në shpërfaqet e tij në qytet. Atë e hante meraku për një formë jetese si në libra. Ishte një përjashtues i rregullit në një vertikale magjepsëse; diçka e ngjashme me personazhe të së kaluarës, si nga koha e Balzak-ut dhe Stendal-it, ku rishtarë të rrugës përpiqeshin të ishin në qendrat mondane e të lëshoheshin në to me gjithsej, për të hyrë në vallen e fatit e për të shkëlqyer me mish e me shpirt si yje që bënin shenjë për një botë të kundërt, që bëhej e ngjashme në një postim fiktiv.

Ky artist enigmatik jetonte në një vend ku llava e kolektivizmit ishte motori bazë, dhe ku fshehjet erotike ishin si pluskime dëshirash të fshehura; si projektime të yllta e të papërshkrueshme; si format më të larta të transit mendor, ku njeriu kryhet me gjithë çka, pa mundësi të tjera hierarkike e pa ndonjë kapital: një cytje e egos për të rrëmbyer kështjella që bënin ndonjë shenjë, në të njëjtën valë ëndërrimi. Janë situata të atilla që zor të shpjegohen me fjalë: vetëm bëmat e një marrëdhënieje që natyra njerëzore propozon thellë në dëshira të papërmbushura – këto e thonë shumë më mirë atë përvojë. Një hare e shurdhët plot kuisje seksuale, si i vetmi terren jete i tjetërllojtë.

Rastet e arratisë së njerëzve duke zhburgosur më së shumti raportet rutinë drejt shpirtrave disi të hapur e të lirë, të ngjashëm me “kurvërimin” çlirues, si një njësi bazë dëliri, për të mos e mbyllur hapësirën njerëzore në një ngasje të përfundme dhe të hekurosur një herë e mirë. Severino qe një çelës dëshirash; një fenomen më shumë interes për të kuptuar se si në rrethana lirie me kusht, historia e shpirtrave të ndjeshëm dhe të zhvendosur nga rregulli mund të ishin edhe vatra dashurish të ndaluara, të mbarsura me raporte të skajshme për kohën. Është interesante se si me erë e instinkt do mund të gjesh dhe të përshkruash jetë të gjalla dhe intimitete të pasura, që përfliteshin në provincë si filma e drama njerëzore.

Me Severinon ishim takuar disa herë, si e njëjta specie që në atë kohë mbaheshim si njerëz të veçantë për një jetesë plot shabllone. Në fakt, pak a shumë, të gjithë piktorët ishin të veçantë në dukje, të ngasur nga histori të tilla të trilluara e të folura në qytet. Për mungesë shpalljesh të hapura marrëdhëniesh mister mes grave e femrave në zë, duhej me patjetër të zbarkoje në të tilla takime e maniera të fshehura, për të ndërtuar kështu një histori erosi të ndaluar.

Gjuetia e femrave të bukura kishte një anatomi që orvatej për të ngritur një grackë në një marrëdhënie, më shumë për çudanëri sesa për pragmatizëm fiziologjik. Ngjanin si histori të pjella nga barku i rrugës, por, në fakt, kisha bindjen se, si kudo, ashtu si bimësia ujore, edhe bota njerëzore kishte shkaktesat e veta natyrale, për të ushqyer fantazinë dhe kuriozitetin, si dhe erën erotike, në të njëjtën formë derdhëse, si një gjë krejt e natyrshme dhe afër gjakut e mishit.

Si kurioz i madh që isha, e ngacmoja Severinon që të më rrëfente se si e kishte zgjidhur raportin me femrat e me gratë, dhe se çfarë e bënte atë kaq tërheqës e të kërkuar nga ato, meqë kishim dëgjuar në qytet për aventura dashurish të dhunshme, të rrëmbyera, dhe herë-herë edhe me akte publike me nam. Por, më shumë se rrëzimi i këtyre kështjellave me zë, interesohesha për procesin se si ai e ndërtonte të gjithë gjuetinë e tij. I palodhur në punën për këtë qëllim, përveçse dhe tërheqës, ai nuk reshtte, si një ushtrim i përditshëm për të qenë në ballë të rrezikut drejt femrave më të bukura në qytet; një lloj Don Zhuani, që më shumë spektakolonte sesa ushqehej nga natyra normale e një mashkulli. I kudogjendur në ambiente publike, dhe për shkak të profesionit, ai më pohonte shpesh se marrëdhënia me seksin tjetër është kimi, është tingull dhe më shumë një rrethanë çliruese. Nuk se ka gjallesë njerëzore, më thoshte, që nuk e ka bazën e pëlqimit në vetvete, dhe pikërisht për këtë duhet të ndjellësh kiminë/tërheqjen për të kuptuar që je në një valë gjaku me atë zë të heshtur që vjen rrotull teje. Duhet të jesh i aftë ta zbulosh dhe, më tej, ta ndjellësh për ta cytur, e më pas ta pushtosh me të gjitha mjetet, që ta rrëzosh duke i dhenë shkak rrethanën si një pohim jokundërshtues i saj. E dëgjoja dendur Severinon dhe më çudiste se si edhe në shkretëtirën e thatë, ku nuk mbin as edhe një bimë, do mund të ndjellësh erën... Por, edhe si një mënyrë mbijetese për ta mbipopulluar boshin me lulet e projeksionit – nuk mund të jetë gjë tjetër.

Vite më vonë m’u kujtua kur jetoja për disa kohë në Augzburg, takimi me vajzën e një miku malazez, që ishte martuar me një gjermane. Shoqërohej me një koreanojugor, diçka e verdhë dhe e shpëlarë. Me një xhelozi të lehtë për zgjedhjen e saj krejt të panatyrshme, e pyeta se pse duhej të ishte një korean e jo një gjerman, ose thjesht nga Evropa. Ma shpjegoi thjesht, me një përgjigje asgjësuese, duke më pohuar se ishte një natyrë njerëzore fort e rrallë dhe mjaft frymëzuese. U shtyva më tej me një gjest që i lashë të kuptoja se qe shumë pak për të ajo peshë e lehtë, dhe në përfytyrimin tim jo një mashkull që i shkonte për shtat. Më tha shkurt se ti e shikon të gjithë marrëdhënien nga fuqia seksuale. Mbeta disi keq. M’u gjegj akoma duke më pohuar se ti e sheh në prerje të gabuar perceptimin tim për një mashkull. Më tha përsëri se nuk e shoh nga çlirimet seksuale këtë çështje, por si një zonë kulturore, ku dhe kryej mjaftueshëm nevojat e mia. Ngela si i sfiduar, sepse në perceptimin tim, asaj femre i duhej një hamshor i gjallë, për ta përmbushur, që të mos e mundonte gjithë atë bukuri.

Llojet e shprehjes në kohën e Severinos kishte të tjera gjëra në tavë. Një psikologji force dhe sipërmarrjeje të lumturisë së tjetrit, në formë projeksioni dhe dëshirash të varura në shoqëri të mbyllura e të kontrolluara. Me një opinion të ngrysur e të zymtë njerëzish, ku raportet e seksit peshoheshin para së gjithash si fuqi, si dominante e jetëgjatësisë në dashuri, por edhe me kapërcime marrëzish romantike, ku në vend të librave luhej në një dyfishim të stërmunduar heronjsh të stampuar në psikikën e marrëdhënieve të dyfishta.

Rrëfimi i fundit i Severinos qe një përrallë e thjeshtuar, se si e vishte ai tregimin me dritë – një dritë e epërme, që e pozojnë sisteme dhe individë që vijnë nga mbyllja apo nga mbijetesa në një shkretëtirë. Më tregonte se si në autobusin e qytetit kishte ndjekur një alamet femre, që për nga pamja dukej krenare dhe e paepur ballazi kimisë në rrugë apo rastësisë fatlume. Më pas – më tregonte Severino – e ndoqa në rrugën e drejtë, ku kishte vetëm trotuare të zbrazët e me zheg. I  fola nga afër dhe nisi të komunikonte, dhe më tha se e kishte të pamundur lidhjen. Ngula këmbë – vazhdoi Severino – duke i folur lehtë dhe duke ecur në krah të saj. Vazhdonte të më përgjigjej negativisht, por ngula këmbë ta shoqëroja, dhe në horizont pashë një tufë ligustrash që po afroheshim pranë ndërtesës së Komitetit të Partisë. Iu luta sërish duke e shoqëruar me hap më të shpejtë, por si duket – vijoi Severino – u afruam afër pemëve dhe që të dy ndjemë një lloj freskie. Po e ndiqja akoma dhe, teksa po humbisja shpresën, më hodhi një vështrim të turbullt e m’u gjegj se ku mund të takoheshim. Isha i bindur – rrëfente Severino – që vetë skenografia e ngjarjes ndikoi për mrekulli tek ajo, se unë isha në një moment të gabuar e të thatë kur i kërkova lidhjen. Rasti i fundit qe një nga pjesët e vetëreflektimit të Severinos në raport me rrethanën, se si mund të pushtohej realisht gjendur në një situatë absurde: thatësi, një kështjellë dëshire, eros, pesimizëm dhe shpresë.

Femra është bërë me madhështi, pasi jepet si një shkak njerëzor, që ka të bëjë me atmosferën, spontanitetin dhe mistikën mashkullore – vijoi ai.

Një rrëfenjë e vendosur në kohë pa kohë, sak utopi, për të gjalluar figurina të çapit njerëzor, që i ngjajnë flirteve që përvëlojnë në lëkurë.

E kam takuar Severinon këto kohë, i kthyer nga emigracioni, dhe vura re se nuk kishte ndryshuar: ishte e njëjta gjë, i gjithi në flirt me blerësit e artit të tij në rrugë, me qindra histori flirtimi dhe molepsje dëshirash të lëna përgjysmë, si makth i ndërsyer në pambarim për seksin tjetër dhe erosin e mbyllur skutave të pikturave të tij. Kishte një mani që e bënte të estetizonte në një tingull e me sharm krejt kanonik.

Ishte i vyer e tërheqës në kohën utopike: tanimë veçse artikulonte dëshira, në formë të pandryshuar, si oksigjenin që thithte e jetonte, pa e kuptuar ende përjetimin, ose i pozuar si gjithmonë, sipas mënyrës së tij, si një dëshirë a shenjë agresive jete, me dihatjet e mashkullit në rrugë.

Marrë nga libri “Atdheu si Dasanta H” /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH