Kryesore

Marrëveshja Kosovë- Serbi, a ishte vërtetë historike!?

               Publikuar në : 09:01 - 07/09/20 liberale

Ervis Iljazaj

Takimi i liderëve politik të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë pritej prej kohësh  me një inters të madh. Madje, për atë çka do nënshkruhej atje dhe çfarë do të arrihej kishte një debat politik e publik te brendshëm. Siç ishte normale, marrëveshja e pritshme do të ndikonte edhe politikën e brendshme shqiptare, ashtu sikurse ndodhi, ku palët akuzonin njëra-tjetrën dhe u rreshtuan në Kosovë e Shqipëri sipas njërit opsion apo tjetrit. Aq i madh ishte ky ndikim në politikën e brendshme kosovare, sa që ishte pikërisht ajo që ndryshoi qeveritë atje.

Në këtë kuptim, takimi në Washington midis Kosovës dhe Serbisë, pas dështimit europian për të zgjidhur çështjet e ndryshime midis palëve pritej me antkh, me shpresë dhe kuriozitet nga të gjithë. Edhe për faktin se, në media ishin hedhur opsione të ndryshme se çfarë mund të përmbante një marrëveshje e tillë. Opsioni më i disktueshëm dhe i debatueshëm, ishte ai i shkëmbimit të territorit apo çështjeve që lidhen me të .

Sapo u dha lajmi që marrëvshja u firmos në Shtëpinë e Bardhë në prezencën e Presidentit Donald Tramp, të gjithë liderët politik, të Tiranës kryesisht, edhe përse nuk kishin dalë ende detaje nga marrëveshja apo nuk ishin kuptuar akoma mirë, nuk ngurruan ta quanin atë historike. Është e qartë përse një reagim i tillë. Siç ndodh zakonisht në Shqipëri, askush nga liderët politik shqiptar do të kishte kurajo të ngrinin qoftë edhe një kritikë për të, sepse ajo u bë më bekimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, a ishtë vërtetë historike kjo marrëveshje, ashtu sikurse u paraqit?

Dhe për ‘ti dhënë përgjigje kësaj pyetje duhet parë marrëveshja si në kuadrin formal, ashtu edhe në atë përmbajtësor.

Për sa i përket të parit, absolutisht që nuk mund të konsiderohet e tillë. Ky ishte një impenjim që të dyja palët më ndërmjetësimin amerikan morën për të bashkëpunuar midis njëra-tjetrës. Kjo marrëveshje në kuadrin juridik dhe të së drejtës ndërkombëtare nuk ka asnjë forcë ligjore. Sepse është një marrëveshje e cila nuk u depozitua askund. As në Departamentin e Shtetit, as në OKB  dhe as në ndonjë institucion tjetër ndërkombëtar. Madje, pas takimit kishte dhe një replikë për natyrën e marrëveshjes, ku Presidenti i Serbisë u shpreh se marrëveshjen e kishte bërë me ShBA-në, gjë e cila u përgenjeshtrua nga Grenell, i cili theksoi se Serbia e ka bërë marrëveshjen me Kosovën dhe jo me Shtetet e Bashkuara. Në këtë drejtim, kuptohet fare mirë që natyra e marrëveshjes lë shumë hapësira intepretimi, dhe kjo do të bëjë të pasigurtë edhe zbatimin e përpiktë të saj. E vetmja garanci për zbatimin dhe fuqinë e asaj marrëveshje është prezenca amrikane. Mirëpo siç dihet, në gjeopolitikë konjukturat ndryshojnë.

Për sa i përket përmbajtjes, pa hyrë në pika konkrete dhe cila nga palët fiton më shumë,  e vetmja çështje që mund ta konsideronte historike në atë  marrëveshje, do të ishte vetëm njohja e Kosovës nga ana e Serbisë, gjë e cila nuk ndodhi. Madje as nuk u pranua të përmendej nga pala serbe, qoftë edhe si opsion i largët.

Prandaj, ajo që ndodhi në Washnington, sigurisht që është një ngjarje e rëndësishme për Kosovën por aspak historike. Një ngjarje e rëndësishme, e cila e nxori Kosovën nga izolomi  ku ishte e futur në vitet e fundit për shkak të paaftësisë të politikës kosovare dhe asaj shqiptare. Si të thuash, Kosova rekuperoi atë çka kishte humbur në këto vite, por nuk avancoi aspak në raport me Serbinë. Ky takim shërbeu si një kamardare për fatet e Kosovës, për faktin se Shtëpia e Bardhë ktheu sytë edhe njëherë nga ajo. Pa vëmendjen e shtuar amerikane, ska rëndësi për interes të saj gjeopolitik apo jo, Kosova rrezikonte realisht që të mbetej një realitet i izoluar. Pra, Kosova fitoi atë që kishte humbur në vitet e fundit. Dhe kjo, kurrsesi nuk mund të quhet historike. Gjithashtu, pavarësisht se u etiketua nderkombëtarisht si një vend myslyman kur në fakt është laik, marketingu që ju bë nëpërmjet njohjes së Izraelit është shumë i rëndësishëm për fatet e saj. Po të shtosh këtu influencën që ka Izraeli në arenën ndërkombëtare, atëherë mund të thuhet se kjo ishte e vetmja fitore e Kosovës në këtë histori.

Por, pavarësisht mbështetjes amerikane, dhe tashmë dhe asaj izraelite, Kosova ka marrë dhe një risk përsipër. Ftohjen dhe prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Europian, kryesisht Gjermaninë, e cila është tërësisht kundër politikave të jashtme në lindjen e mesme të Donald Tramp. Edhe njëherë Kosova po gjendet midis një konflikti të aleatëve të saj kryesor, Bashkimit Europian dhe ShBA, që kësaj herë, për fatin e saj të keq nuk e mendojnë njësoj të gjithë këtë histori./Gazeta Liberale

 

 

Tags: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back