Letërsi

Mark Gjomarkaj– “Therror i traditës" dhe Shqipëria e kohës së tij

Shkruar nga Liberale
Mark Gjomarkaj– “Therror i traditës" dhe Shqipëria e

Nga Eugjen Merlika

(Vijon nga numuri i kaluar)

Mbas kërkesave të z. Mirakaj , që fliste n’emër të tij, por përfaqësonte Bllokun Kombëtar Indipendent dhe shqiptarët në përgjithësi, i erdhi rradha kryeministrit italian të shprehte pikëpamjet e tij e të Shtetit të tij, në lidhje me gjëndjen e përgjithëshme dhe, në veçanti, mbi marrëdhëniet ndërmjet Italisë e Shqipërisë. Mussolini tregohet shumë dashamirës e i vendosur të sigurojë popullin shqiptar, në lidhje me t’ardhmen e tij. Nga ajo bisedë po shkëpus për t’i paraqitur këtu pjesët më të rëndësishme:

"Jam thellsisht i prekun nga sinqeriteti me të cilin më foli kaq kjartë e me zemët të haptë kamerata Mirakaj. Më keni folë burrnisht edhe tjera herë si Ju shkëlqesë, ashtu edhe të tjerë përgjegjsa e patriotë Shqiptarë.

            I çmoj burrat e sinqertë qi kanë guximin t’a thonë të vërtetën edhe kur të jetë e hidhun"

            Është një hyrje më duket, më shumë diplomatike, se sa e sinqertë, në përputhje më shumë me mendësinë shqiptare se sa atë italiane. Por të rëndësishme janë fjalët që ai thotë, pavarësisht se ato ishin të kushtëzuara nga shumë faktorë, e nuk mundën të sendërtohen në vepra.

"Përveç korigjimeve që janë në vazhdim simbas dëshirës së shprehun nga përgjegjsat Shqiptarë, provën ma të prekëshme të dashunisë e të ndjenjës së drejtësisë, u a kam dhanë tue i këthye në gjiun e Atdheut tokët iredente menjëherë, pa pritë mbarimin e luftës; me këte kam dashtë t’u jap provën e të drejtave të njëpërnjëshme të dy popujve tanë në çështjet që i përkasin veçmas njanit apo tjetrit. Lufta siç ka barrën e randë e rreziqet, ka edhe të drejtat e saj. Në parim të këtyne të drejtave, Italia po të kishte dashtë kishte mujtë me i konsiderue Kosovën e të tjera vende, pjesë integrale të Jugosllavisë së mundun, e si të tilla, me i administrue për llogari të vet deri në mbarim të luftës.

Nuk desha të përfitoj këte rasë e këte të drejtë, konseguent me premtimet  që i kam ba un Popullit Shqiptar.

Kemi lanë të varun për tashti çështjen e Çamërisë me administratë autonome dhe një Komisar Shqiptar, pse ashtu e lypshin rrethanat, por edhe kjo në mos ma përpara, në mbarim të luftës do të zgjidhet në favor të Shqipnisë pse asht e drejtë e saj."  [1]

Ka një dozë të theksuar hipokrizie në këto fjalë të Kryeministrit italian. Ai e din se flet për një problem tejet qenësor e jetik për shumicën dërmuese të shqiptarëve e përdor në këtë rast "shkopin dhe karrotën". Nga një anë ve në pah rëndësinë e vlerën e vendimit te qeverisë italiane për t’i bashkëngjitur Shqipërisë krahinat e rrëmbyera me fuqinë ushtarake nga Vëndet fqinjë e në tjetrën i përmënd bashkëbiseduesit "të drejtën për t’i administruar për llogari të vet deri në mbarim të luftës" që bie ndesh me premtimin e mëposhtëm se "në mbarim të luftës do të zgjidhet në favor të Shqipnisë pse asht e drejta e saj". Mbi të njëjtin objekt, simbas tij, ka dy të drejta.

Për sa i përket bashkimit të Çamërisë ai thotë një të pavërtetë, të cilën e mbulon me shprehjen e përgjithëshme "pse ashtu e lypshin rrethanat". Fakti ishte se edhe mbas dy vitesh të prillit 1941 ai mbeti vetëm një shpresë e pasendërtuar, megjithë përpjekjet e pafund të kombëtaristëve shqiptarë. Madje ai përgënjeshtrohet nga vetë komisari i caktuar prej tij, që nuk është as Fejzi Alizoti dhe as Xhemil Dino, por Karlo Umiltà, njeriu drejtpërdrejtë përgjegjës për mos bashkimin e Çamërisë, si pasojë e raporteve të rreme që dërgonte nga terreni. Ja çfarë shkruante vetë komisari Umiltà në librin e tij: "Jugosllavia e Shqipëria":

"Të gjithë ishin të një mendimi, të përjashtonin  si të papërshtatëshëm zmadhimin e Shqipërisë drejt jugut, me bashkimin e territoreve të  tjera, të banuara, pothuajse krejtësisht nga grekët. Edhe shqiptarët  myslimanë ishin kundër bashkimit me çamët e racës dhe besimit të tyre. Nga ajo anë kufijtë shqiptarë ishin mirë ashtu siç ishin.

Megjithë ankesat e Xhemil Dinos  dhe të atyre si ai që ishin t’interesuar për projektin e rrezikshëm të Çamërisë, qeveria e jonë miratoi plotësisht përfundimet e mija dhe u arrit të bindej dhe qeveria shqiptare për mungesën e leverdisë për të mbajtur në Shqipëri e jashtë saj, një shqetësim në dobi të bashkimit, që tashmë nuk mund të sendërtohej në kundërshtim me opinionin e pothuaj gjithë popullsisë, që do të bëhej viktimë pa dobi për askënd.

Për Çamërinë nuk u fol më dhe vetë Xhemil Dino u kthye nga Tirana në Romë pa bezdisur më qeverinë tonë"  [2]

Duket qartë kundërshtia në mendime ndërmjet Mussolinit dhe komisarit Umiltà mbi çështjen e bashkimit të trevave jugore. Kjo gjë të le një farë dyshimi në strategjinë italiane n’atë drejtim, dyshim që kthehet në siguri, sepse nuk u vu asnjëherë në tryezë për zgjidhje. Por le të vazhdojmë të ndjekim fjalën e kryeministrit në përgjigje të bisedës së Mirakajt:

"Një gja asht e krejt e kjartë  dhe e pandryshueshme në koceptin tim evropian, e në të cilin hyn në konsideratën ma të favorshme edhe Atdheu i të Madhit Gjergj Kastrioti-Skënderbé, i Atij Hero që nuk asht vetëm i Shqipnisë, por edhe i gjithë Evropës: një  ndër shpëtimtarët e qytetërimit evropian-kristjan. Ky koncept përmblidhet në këtë formulë:

"Do t’ishte utopija ma e shëmtueme e shekullit të XX me synue aneksimin e kolonizimin e një Populli Evropian cilido kjoftë. Do t’ishte mohimi i misionit qytetnues e turp për historinë e Italisë po të synonte këtë padrejtësi, e po e them: vepër barbare në dam të Popullit Shqiptar, që asht ndër ma të vjetrit e autokton të këtij kontinenti."[3]

Retorika e kryeministrit italian është në një nivel të lartë. E po n’atë nivel është edhe mashtrimi i tij, por le t’a ndjekim deri në fund në këtë sprovë gojtarie të lëvdueshme:

"Ju ap autorizimin t’a shkëmbeni Partinë Fashiste Shqiptare në "Lëvizjen e Birëve të Shqipes" e t’i epni ato karakteristika e atë frymë që ma mirë e ma me dobi u përshtaten  ndjenjave, nevojave e dëshirave të Popullit tuej. Ju autorizoj të formoni njëzet bataljone shëtitës e jam i bindun se do të jenë të denjë për emnin me të cilin keni vendosë t’i pagëzoni; emën magjik "Birt e Shqipes" (nome magico "figli dell’aquila), për të cilin ata, që do të kenë nderin me e pasë, duhet të jenë krenarë (orgogliosi). Do t’u ve në dispozicion  gjithshka  u lypet për plotsimin  e këtyne  formacioneve, përfshi këtu edhe fondet. Ka kohë që kam vendosë me i dhanë individualitetin kombtar ushtrisë Shqiptare, në kuadrin e përgjithshëm t’ushtrisë italiane. Kemi shembull HONVED-in e dikurshëm të Hungarisë. Hapi i parë asht ba  në bashkfjalimin qi kam pasë së fundit me shkëlqesën Kruja, i cili m’a pat kërkue këte gja, tue i përmbledhë përnjëherë bataljonet Shqiptare në katër regjimente, e tue i dallue me Kunorën e Skënderbeut në qafore të xhaketës. Që atëherë i premtova shkëlqesës Kruja , me arrijtë në katër divizione e me iindividualizue krejt Shqiptarisht."[4]

"U kam premtue Shqipninë e Madhe; e Madhe them, pse tregu politik ndërkombëtar e pat gjymtue tepër padrejtësisht ndër kufinjtë e 1913-ës. Do të keni mbas ksajë lufte Shqipninë Shtet Sovran, ndër kufinjtë etnikë tansisht."

"Edhe në rasën ma fatkeqe, të hipotezës së humbjes së luftës nga ne, nuk kanë për t’iu mungue armët as tjerat mjete, e as teknikët për të mbrojtë ekzistencën e Kombit. Kam mjaft djelmoça që, me një shenjë të shprehjes së vullnetit tim, kanë për të ngelë në Shqipni, e që do të vihen vullnetarë në rreshtat e forcave t’armatosuna Shqiptare. Justifikimi i një veprimi të tillë asht i thjeshtë. Un due t’i jap Popullit Shqiptar provën e plotë se, në Popullin italian ka me të vërtetë një vlla ma të madh, tek i cili ka për të gjetë përherë mbështetje të sinqertë."[5]

Këtu mbaroi fjala e Benito Mussolinit. Për z. Mirakaj dhe shoqëruesit e tij qenë fjalë shprese e besimi që mbështeteshin tek vetë shpresa e kryeministrit italian që e bëri të tejdukej në aluzionin për armët speciale të gjermanëve. Falënderimet qenë të sinqerta, por nuk mungoi nga ana e tij, shprehja e shqetësimit dhe ritheksimit të nevojës imediate e të domosdoshme për Shqipërinë, duke paralajmëruar një tjetër "trokitje në derën e Duçes":

"Gjaja e ngutëshme për t’i a  arrijtë qëllimit përfundimtar në çështjen Shqiptare asht sigurimi i qetësisë së mbrendëshme, sigurimi i rregullit. Kjo arrihet me shkatrrimin e lëvizjes komuniste, që çështja Shqiptare e ka thikë mbas shpatullash në shërbim të sllavizmit, prandej, gjaja e parë e kryesore për tani asht me rekrutue e organizue bataljonet shëtitës, i vetmi mjet për të vue qetsinë e për të shkatrrue lëvizjen bolshevike.

Porsa të kthejmë në Tiranë , do të vé në dijeni Kryeministrin dhe Ministrin e punëve të mbrendëshme, me të cilët më lidhë edhe miqësi e ngushtë (e ka fjalën për Mark Gjomarkajn) (shënim i autorit), e kështu, na vihemi në dispozicjon pa kushte. Po kje se ndeshim në moskuptime e pengesa, kemi për të trokitë prap në derën e Duçes" [6]   

Siç shihet në këtë bisedë jo zyrtare të ish ministrit Mirakaj, vihet në dukje një problem i hershëm i Shqipërisë së pushtuar nga italianët, ai i kërkesës për mundësinë e armatosjes së një numëri të caktuar të të rinjve shqiptarë, që të ishin të varur nga ministria e Brëndëshme e që të ishin të gatshëm për të mbrojtur kufinjtë e Shqipërisë etnike kur të vinte çasti i volitshëm e i nevojshëm. Kjo kërkesë ishte bërë edhe nga Mustafa Kruja, si kusht për të marrë në dorëzim qeverinë në dhjetor 1941. Edhe atëherë ishte premtuar nga ana e Italisë, por mbeti vetëm një premtim. Kola e dinte mirë, por ka dashur t’i a shkëpuste këtë premtim kryeministrit italian, si e vetmja shpresë për të përballuar gjëndje shumë të vështira që hamendësonte se mund të vinin për Shqipërinë e për kombëtarizmin shqiptar. Mussolini e premtoi përsëri por nuk pati mundësi t’a sendërtojë, sepse mbas tre muajsh ai nuk ishte më kryeministër. Ishte vetëm kjo arsyeja e mos realizimit të premtimit apo mungesa e dëshirës e ndoshta frika tek italianët se ata ushtarë shqiptarë do të ktheheshin kundër tyre? Fakti ishte se premtimi i bujshëm mbeti vetëm në fjalët e tij pa gjetur zbatim.

Megjithatë ai mbeti në histori si një veprim në dobi të atdheut e dëshmon se ajo klasë politike, bashkëpunuese me Italinë, ka punuar me ndershmëri për interesat e vërteta të Shqipërisë, pa vështruar interesat vetiake. Edhe Marku ishte i vendosur në vijën atdhetare të kolegëve të tij. Mbas dorëheqjes së qeverisë Kruja ai u kthye në shtëpi, por më 12 shkurt 1943 ai u betua përsëri si ministër i Punëve të Brëndëshme në qeverinë  e Maliq bej Bushatit, që mbeti në fuqi vetëm 76 ditë. Në librin  “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë” të studjuesit e gazetarit Roland Qafoku shkruhet: “Vetëm pas disa ditësh që mori detyrën kryeministri pati debat të madh me ministrat, shumica e të cilëve ishin nga Veriu. Një prej tyre ishte Marka Gjoni, ministër i Brëndshëm , i cili kërkonte të vepronte me forcë në jugë të Vëndit për të shtypur rezistencën. Kryeministri nuk e pranoi këtë, madje debatoi gjatë, deri sa i mërziti italianët...”Ky fragment i cituar është marrë nga libri “Shqipëria gjatë luftës “1939-1945”të historianit e e politologut amerikan Bernd Fischer.[7]

Muajtë kalonin me shpejtësi e lufta kishte ndërruar drejtim përsa i përkiste fateve të saj. Si pasojë e fuqisë së aviacionit amerikan të zotuar në qiejt e Bashkimit Sovjetik, Stalingradi qëndroi kundër rrethimit gjerman  e, më pas, filloi kundërsulmin sovjetik. Italia kapitulloi më 8 shtator 1943 e Gjermania mbeti e vetme në luftë kundër aleatëve. Megjithatë, për të mos lejuar hapjen e një fronti të ri në Ballkan me ndonjë zbarkim të anglezëve, komanda e lartë gjermane dha urdhër të pushtohej Shqipëria. Marku, siç e thamë më sipër, me mirditorët e tij siguroi qetësinë e duhur për të lejuar zhvillimin e lirë të punimeve të Asamblesë kombëtare të dalë nga zgjedhjet e vetme të përgjithëshme të Shqipërisë etnike.

Vijon

[1] Kol Bib Mirakaj: "Vetvrasja e një Kombi" Botimet Fiorentia Shkodër 2014 Faqe 99, 100

[2] Carlo Umiltà: "Jugoslavia e Albania" Faqe 133, 134

[3] Kol Bib Mirakaj: "Vetvrasja e një Kombi" Botimet Fiorentia, Shkodër 2014 Faqe 100

[4] Kol Bib Mirakaj: "Vetvrasja e një Kombi" Botimet Fiorentia Shkodër 2014 Faqe 101

[5] Po aty Faqe 103,104

[6] Kol Bib Mirakaj: “Vetvrasja e një Kombi” Botimet Fiorentia Shkodër 2014 Faqe 105

[7] Roland Qafoku: “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë” Onufri Faqe 175

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH