Kryesore

Manifesti i ruajtjes së zgjedhjeve  

               Publikuar në : 09:51 - 21/05/19 Liberale

Si asnjëherë më parë, koha e parafushatës po përdoret nga kryeministri për të shpalosur dënimet e Kodit Penal për krimet elektorale dhe për të nxitur militantët socialistë të filmojnë çdo incident ditën e zgjedhjeve. Por a mjafton?

Arion Sulo

Zgjedhjet do të bëhen më 30 qershor. Filmoni dhe fotografoni çdo incident. Denonconi këdo që tenton të prishë zgjedhjet. Mos u provokoni. Ua bëni të qartë derisa t’u bëhet këngë, se atyre që do të bllokojnë procesin zgjedhor do t’u bllokohet hyrja në SHBA dhe BE. Shkoni derë më derë për t’u treguar qytetarëve ndëshkimet që përmban Kodi Penal për krimet elektorale.

Paragrafi i mësipërm nuk ka të bëjë me ndonjë fushatë sensibilizuese të KQZ-së apo me nenet e Kodit Penal në pjesën e akteve të paligjshme gjatë zgjedhjeve. Ato janë porositë që kryeministri Rama u ka dhënë dje deputetëve të grupit socialist. Prej tri ditësh dhe kështu duket se do të vazhdojë deri më 30 qershor, Rama ka nisur një komunikim të pangjashëm në historinë e zgjedhjeve pas rënies së komunizmit.

Ai po bën fushatë sesi duhet të ruhen zgjedhjet dhe sa do të dënohen ata që do të pengojnë procesin e votimit dhe administrimit, ndërsa projektet dhe programet e kandidatëve rrezikohen të mos dëgjohen madje as të mos paraqiten fare këtë herë.

Në formën e një manuali “Si të ruajmë zgjedhjet”, kryeministri që duket i vendosur të kalojë pa opozitën në stacionin elektoral të 30 qershorit, po propagandon slogane, që edhe pse në një pjesë të pavërteta, ngjisin te njerëzit. Ndalimi i hyrjes në SHBA e BE i shqiptarëve që mund të pengojnë zgjedhjet, fjala bie, nuk dihet nga cili legjislacion buron dhe hap pikëpyetje për vërtetësinë, ndërsa kontekstit të cilit i referohej një media para dy ditësh rezultoi i gabuar,  pasi ndalimi në atë rast ka të bëjë me zyrtarët e korruptuar dhe jo me qytetarët e thjeshtë.

Me kamera, por pa opozitë

Përpjekjet e ditëve të fundit të kryeministrit dhe mazhorancës socialiste vijnë pasi deputetët e listës së opozitës në Kuvend, por edhe Partia e re, Bindja Demokratike, nuk po arrijnë që të mbushin, qoftë edhe pjesërisht vendin e opozitës politike. Fiaskoja e tyre në Kuvend, paaftësia për të dalë me një formacion partiak, por edhe niveli i patretshëm politik për opinionin e kanë bërë të detyrueshme për qeverinë daljen në publik me këtë lloj fushate, e cila veç pasojave të rënda që ka me mungesën e opozitës dhe programeve të kandidatëve, mund ta kthejë ditën e zgjedhjeve në një ditë tensionesh dhe përplasjesh.

Rama është duke i karikuar deputetët dhe kandidatët e më pas këtë të fundit shtabet e tyre elektorale që të jenë në gatishmëri për incidentet e mundshme apo për të kapur në flagrancë aktet kundër zgjedhjeve, gjë që mund të sjellë përplasje mes votuesve.

Qeveria, e vetëdijshme se mungesa e opozitës në zgjedhje do të sjellë përgjysmim të votuesve, po bën përpjekje për të nxjerrë sa më shumë njerëz atë ditë. Në takimin që ka pasur dje pasdite me strukturat e partisë në Tiranë, ai ka kërkuar që duhet synuar një pjesëmarrje 2,5 për qind më shumë se dy vite më parë.

Por më shumë se pjesëmarrjes, qeveria dhe kryeministri i druhet cilësisë së zgjedhjeve më 30 qershor. Mungesa e opozitës, e cila e bën sistemin demokratik jofunksional deri tani është kaluar nga kryeministri me batuta të tipit: “Nuk jemi ne që i nxorëm nga Kuvendi dhe nuk jemi ne që i thamë të mos hyjmë në zgjedhje”. Ndërkaq, cilësia e 30 qershorit është diçka tjetër.

Mosdalja e gjysmës së qytetarëve në votime do të përshkallëzohej edhe më tepër nëse në të 5000 qendrat e votimit do të kishim bllokime apo incidente, të vogla apo të mëdha qofshin. Duket e pamundur që kapacitetet policore apo të KQZ-së të reagonin njëherësh apo brenda ditës në të gjithë vendin për të bërë normale të gjithë procesin elektoral, nga votimi tek administrimi.

Edhe nëse zgjedhjet do të vendoseshin të përsëriteshin në një pjesë të territorit, sërish ato nuk do të mbaheshin dot në këmbë. Skenat e tensionit dhe përplasjeve që kanë kohë që imagjinohen në të dyja kampet do t’i sakatonin, gjithsesi dokumentimet e  militantëve socialistë. Produkti i fushatës që kryeministri ka nisur do të ishin furgonë policie të mbushur me demokratë të denoncuar nga socialistët. Arrestimet në masë pas padive socialiste s’është e sigurt se do të trembnin të tjerët apo do të ndiznin gjakrat më shumë.

Shpresa e qeverisë është përsëritja deri në mërzi e burgut apo e heqjes së vizave për prishësit e zgjedhjeve, ndaj Rama po i mëshon komunikimit derë më derë derisa kjo të bëhet këngë. Në të kundërt opozita i ka quajtur protestuesit e arrestuar deri tani të burgosur politikë që do të dëmshpërblehen.

Kundërlëvizja tjetër e opozitës ishte me komisionerët. Së shpejti pritet që KQZ-ja të vendosë se a do të ketë PD-ja dhe LSI-ja përfaqësuesit e saj në KZAZ dhe qendrat e votimit apo bojkoti i zgjedhjeve ia heq këtë të drejtë. Me komisionerë në sistemin e administrimit të zgjedhjeve fuqia e opozitës për të mos lejuar procesin rritet ndjeshëm dhe këtë qeveria e di. Ka shumë gjasa që KQZ-ja të hedhë poshtë kërkesën e opozitës për të pasur komisionerë, çka do të kërkojë një tjetër proces në Kolegjin Zgjedhor.

Bunkerizim

Edhe pak më shumë se një muaj nga data e zgjedhjeve dy kampet politike po shkojnë drejt tyre pa dhënë shenja ndryshimi. Kreu i PD-së dje nga Shkodra i përgjigjej vendosmërisë së Ramës me betejë për jetë a vdekje, ku fundi është i përcaktuar. Basha është shprehur se protestat e opozitës dhe qytetarëve janë një betejë për jetë a vdekje dhe se është përcaktuar fitorja e të gjithë shqiptarëve dhe fund i atyre që sipas tij duan të kthejnë tiraninë. “Për të ndaluar këtë tirani të krimit, ia vlen çdo sakrificë”, tha Basha. Kryeministri dje porosinë e parë ka dhënë përhapjen e vendosmërisë se 30 qershori do të jetë dita e zgjedhjeve.

“Manuali për ruajtjen e zgjedhjeve” është shumë pak për t’i bërë ato demokratike, ndërsa kryeministri, edhe pse është shprehur që pranon dialog pa kushte, si kusht ka nxjerrë mosndryshimin e datës së zgjedhjeve. Në mungesë të tryezës së dialogut ai po kërkon t’i kthejë militantët në policë apo avokatë penalistë. Ky skenar e shndërron 30 qershorin në një “Big Brother”, por a do të mjaftojë gjithë ky monitorim që zgjedhjet të njihen dhe të quhen normale?/ Gazeta Liberale

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *