Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, ka ftuar 5 futbollistë për t’u bërë pjesë e stërvitjes së tij sot, meqenëse nuk ka ende grupin e plotë të futbollistëve të grumbulluar në dispozicion.
Qendërmbrojtësit Jon Mersinaj dhe Adrian Bajrami i bashkohen vetëm sot në darkë grupit, ndaj nuk kanë qenë të pranishëm në stërviten e pasdites të organizuar në ambientet e Shtëpisë së Futbollit.
Ndaj për të zhvilluar stërvitjen me numra të plotë, Silvinjo ka ftuar 5 futbollistë nga kampionati shqiptar. Dy prej tyre janë emra të njohur të Superiores: Marcelino Preka i Partizanit dhe Artan Jazxhi i Teutës të cilët iu bashkuan kuqezinjve sot pasdite.
Përkrah tyre ishin edhe Segersio Geci i Vorës, Andri Xhafa i Kastriotit dhe Kesli Shani i Erzenit të cilët ishin ftuar për t’u stërvitur me kuqezinjtë para sfidave të Ligës së Kombeve.