Një muaj nga ndeshja e fundit e luajtur nga Shqipëria në Euro 2024, UEFA ka bërë të ditur se ka marrë një vendim ndaj SHqipërisë për shkak të ngjarjeve në ndeshjet Kroaci-Shqipëri dhe Shqipëri-Spanjë në Euro 2024, ku objektiv i hetimit ishte sjellja “raciste/ diskriminuese” e tifozëve shqiptarë.
“Komisioni i Etikës dhe Disiplinës vendosi të gjobitë FSHF 30 mijë euro dhe të ndalojë Federatën nga shitja e biletave për ndeshjen e saj të radhës në kompeticionet e UEFA-s si udhëtuese, për sjellje raciste dhe diskriminuese të mbështetësve të saj. Dënimi në fjalë për shitjen e biletave do të jetë i pezulluar në një periudhë prove prej dy vitesh”, shkruhej në njoftimin e UEFA-s.
Me pak fjalë, FSHF duhet të paguajë gjobën, ndërsa dënimi i pezullimit të shitjes së biletave ndaj tifozëve shqiptare në një ndeshje jashtë fushe, do të hyjë në fuqi vetëm nëse në dy vitet e ardhshme do të evidentohen incidente të ngjashme.
UEFA ka dhënë sot dënime të ngjashme edhe për Hungarinë, Austrinë, Slloveninë, Rumaninë, Kroacinë dhe Serbinë.