Sport

Tronditet Italia, futbollisti i Interit humb Europianin

Shkruar nga Liberale
Tronditet Italia, futbollisti i Interit humb Europianin

Lajm i keq për Italinë e Luciano Spallettit, që ka nisur përgatitjet për kampionatin europian Gjermani 2024, ku do të provojë të mbrojë kurorën e fituar në “Wembley” në Europianin e kaluar.

Mbrojtësi kampion Italie, Francesco Acerbi nuk ia ka dalë të lërë pas dëmtimin dhe nuk do të udhëtojë me skuadrën drejt Gjermanisë. Lajmin e ka konfirmuar Federata Italiane e Futbollit, e cila sqaron se mbrojtësi veteran italian ka probleme me pubalgjinë dhe nuk mund të luajë në Europian.

Acerbi u la pushim nga Inzaghi për më shumë se dy javë dhe dukej se kishte lënë problemet pas shpine, por nuk ka rezultuar kështu, teksa Spalletti pritet të marrë në grumbullim mbrojtësin e Juventusit, Gatti.

Dëmtimi i Acerbit është padyshim një lajm i keq për trajnerin e Italisë, që ka ndryshuar edhe skemën për t’i besuar pikërisht bllokut zikaltër, me Acerbin e Bastonin në mbrojtjen me tre dhe Dimarcon në krahun e majtë.

Spalletti ka grumbulluar 29 futbollistë, nga të cilët do të marrë vetëm 26 me vete në Gjermani, teksa gjasat janë që edhe Gatti të luajë shanset e tij për një vend në Europianin 2024.

Italia do të nisë Europianin në “Signal Iduna Park” të Dortmundit, me përballjen ndaj Shqipërisë mbrëmjen e 15 qershorit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH