Lara Kolturi ka arritur të shkëlqejë gjatë këtij sezoni në garat për Kupën e Botës. Skiatorja italo-shqiptare ka arritur të korrë suksese të jashtëzakonshme dhe ka rrëmbyer vendin e katërt në Kupën e Botës.
Kolturi spikati me dy zbritje shumë të mira, duke u renditur në vend të katërt. Ajo e ndali kronometrin në kohën 57.00 në zbritjen e parë, ndërsa fiksoi kohën 59.50 në zbritjen e dytë, duke e mbyllur me rezultatin total 1:56.50, për të “flirtuar” me podiumin.
Gara e djeshme e sllallomit gjigant u fitua nga Alice Robinson e Zelandës së Re, me kohën e përgjithshme 1:55.28. Në vend të dytë u rendit Lara Gut-Behrami e Zvicrës me rezultatin 1:55.84, ndërsa podiumi u plotësua nga Paula Moltzan e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me kohën 1:56.22.
Ndërkohë, duke kaluar në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës, me paraqitjen e djeshme, Lara Kolturi ka ngjitur dy shkallë, teksa tashmë klasifikohet në vendin e katërt në kuotën e 198 pikëve të grumbulluara gjatë këtij sezoni.