Sport

SHIFRA E DITËS: Zero medalje! Arsyet e përjashtimit historik dhe brutal të Shqipërisë nga suksesi i mundshëm ndërkombëtar

Shkruar nga Liberale

 

SHIFRA E DITËS: Zero medalje! Arsyet e përjashtimit historik dhe

Aranit Muraçi

Mundësi rus i natyralizuar në shqiptar, Zelimkhan Abakanov,  humbi në çerekfinalen e mundjes së Olimpiadës, Paris 2024, duke i çuar në zero shanset e ekipit tonë kombëtar për të marrë medaljen e parë historike në një olimpiadë. Ndeshja e vlefshme për peshat 57 kg që u zhvillua këtë të enjte në Paris, e vlefshme për Lojërat Olimpike, u mbyll me fitoren e indianit Aman Sehrawat i cili iu afrua shumë pranë zonës së medaljeve. Zelimkhan Abakanov ishte shpresa e madhe e Shqipërisë për medaljen e parë, në një olimpiadë. Pas humbjes së mundësit Abakanov, ekipi olimpik shqiptar nuk ka thuajse më asnjë shans që të kthehet nga Parisi me ndonjë medalje. Ndërkohë më herët atletja Luiza Gega konfirmoi të njëjtin zhgënjim.

Olimpiada Paris 2024 nxori në pah një fakt historik dhe të pakontestueshëm. Në garat sportive ndërkombëtare, Shqipëria nuk ka siguruar ende një medalje, ndryshe nga thuajse çdo shtet tjetër i Europës. Si krahasim kujtojmë se Kosova, shteti tjetër i të njëjtit komb edhe pse ka vetëm dy pjesëmarrje nëpër olimpiada siguroi sërish dy medalje, në Paris. Kosova ndryshe nga Shqipëria e ka zbuluar talentin dhe ka investuar tek ata sportistë, si në xhudo, ku edhe sheh se mundësitë janë më të mëdha për medalje. Suksesin Kosova e arriti duke ndjekur të njëjtin model si vendet e tjera pa shumë peshë në botë, që janë në kërkim të sukseseve ndërkombëtare.

Aty ku konkurrenca është e ashpër, si në not, atletikë, dhe sporte ku Shqipëria nuk ka traditë, sigurisht që është e pamundur të pretendosh sukses. Për më tepër në një garë ku përballë ke sportistë nga vende me buxhete dhe me kapacitete të jashtëzakonshme. Është fjala për vendet e mëdha e të zhvilluara të cilat garojnë për medalje thuakse në çdo disiplinë. Për në sporte individuale, si në peshëngritje, mundje, qitje, në xhudo, në hedhje shtize etj, ku Shqipëria ka pasur rezultate, është e pafalshme që nuk ka mundur dot të sigurojë ende një medalje. Fakt tjetër është që sportistë që kanë qenë me Shqipërinë, medaljen e kanë siguruar kur kanë ndërruar flamur siç janë për shembull rastet e dy sportistëve që siguruan medalje ari me Greqinë, si Pirro Dhima apo Mirela Manjani.         

Çfarë nuk shkon me Shqipërinë?

Nëse analizojmë lojërat e fundit Olimpike, Paris 2024, por edhe të kaluarat në Tokio, dhe bëjmë krahasimin me Kosovën, del në pah se Shqipëria nuk ka qenë e fokusuar te sportet apo sportistët ku i ka më shumë mundësitë që të ketë sukses. Nuk investon dhe nuk kujdeset për talentin siç duhet dhe siç e dimë, shpesh ka pasur ndërhyrje duke çuar në olimpiadë “sportistë me miq”.  Ashtu siç ndodh rëndom me fushat e tjera.

Shqipëria i konsideron garat ndërkombëtare, si ato kombëtare. Duke kualifikuar sportistë që siç dalin të kenë "sukses" shpesh pa garë brenda kufirit, mund të bëjnë të njëjtën gjë edhe jashtë, në gara me prestigj botëror. Kjo është arsyeja pse garat ndërkombëtare, ku konkurrenca është e ashpër dhe ndërhyrjet për të “vjedhur” suksesin nuk ekzistojnë, e kanë përjashtuar historikisht dhe brutalisht vendin tonë nga zona e medaljeve.

Olimpiadat, si kjo e fundit, japin një arsye të shëndoshë mbi dështimet tona në thuajse të gjitha fusha e tjera si në politikë, ekonomi, arsim, shkencë etj. Për të fituar garat ndërkombëtare kërkohet vizion, punë, strategji, përgatitje. Shqipëria nëse kërkon sukses ndërkombëtar, duhet të mësojë se një i tillë nuk është i rastësishëm. Kombëtarja e futbollit, e përbërë nga lojtarë që kanë lindur dhe janë rritur në vendet perëndimore, me suksesin e saj të fundit duke u kualifikuar në Gjermani2024, e vërtetoi më së mirë këtë.    

SHIFRA E DITËS: Zero medalje! Arsyet e përjashtimit historik dhe

Mbi numrin e medaljeve,  Shtetet e Bashkuara janë favoritë për të fituar më shumë medalje. Kina nuk ka gjasa të kalojë SHBA-në në sasinë e përgjithshme të medaljeve, por ka një shans për të fituar më shumë medalje të arta se amerikanët. Kina kishte ruajtur një epërsi në medalje të arta për pjesën më të madhe të javës së parë, por SHBA-ja i kapërceu ato në fillim të javës së dytë të lojërave. Siç tregohet edhe në tabelë, dy vendet më të fuqishme ekonomikisht janë edhe në garë për më shumë medalje.

Tabelat (në fund) tregojnë qartazi se vendet e pasura që investojnë më shumë tek sportistët, pra vendet e zhvilluara, ato kanë edhe më shumë sukses. Nuk mund të pretendojë Shqipëria medalje në not, përballë vendeve si Kina që i dedikojnë një pishinë çdo sportisti që në moshën 9 vjeç, kur i zbulojnë talentin dhe e përgatisin vetëm që të sigurojë medalje ari, në një garë me vende të tjera po aq të zhvilluara si SHBA, Britania, Japonia, Gjermani, Australia, Franca etj.   

Pra, cili vend kryeson në medalje në ditën e 12-të të garës? Një vështrim mbi numrin e medaljeve olimpike deri të enjten, 8 gusht 2024:

SHIFRA E DITËS: Zero medalje! Arsyet e përjashtimit historik dhe

SHIFRA E DITËS: Zero medalje! Arsyet e përjashtimit historik dhe

SHIFRA E DITËS: Zero medalje! Arsyet e përjashtimit historik dhe

SHIFRA E DITËS: Zero medalje! Arsyet e përjashtimit historik dhe

SHIFRA E DITËS: Zero medalje! Arsyet e përjashtimit historik dhe

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH