Taulant Seferi shpreson që viti 2025 të shënojë një arritje shumë të madhe për futbollin shqiptar, siç është kualifikimi në Botërorin 2025. Sulmuesi i Kombëtares, në një intervistë për “Sport News” në “News 24”, ka treguar objektivat që synon të arrijë gjatë këtij viti me kuqezinjtë.
Seferi është ndalur sidomos te përballjet me rivalët e kuqezinjve, Anglinë e Serbinë, duke theksuar se ndeshja në Beograd do të jetë padyshim shumë e veçantë.
Seferi, do e “fshije” Euro2024 për një kualifikimin në Botëror?
Padyshim se po. E kam thënë edhe më herët që kam qenë tifoz i Kombëtares. Botërori do të ishte historia jonë.
Si ishte ky vit për ty Seferi? Cili ishte momenti më i bukur në 2024?
Falenderimi i takon Zotit. Ky vit ka qenë i suksesshëm si për mua individualisht, ashtu edhe për kombëtaren.
Po pengu më i madh? Çfarë do doje të bëje ndryshe, çfarë mund të kishim bërë më mirë?
Padyshim se ishte hera e parë në Kombëtare dhe na mungoi eksperienca. Do doja që të kishim një grup të nivelit tonë. Gjithë ato ekipe kanë fituar trofe. Do doja një grup të nivelit tonë dhe mund të ecnim më shumë në Europian.
Nëse në Europian mund dhe të justifikoheshin rezultatet, pasi rivalët ishin shumë të fortë, çfarë ndodhi në Ligën e Kombeve? Pse që pas kualifikimit në Europian kemi pësuar një rënie të vazhdueshme, jemi bërë të lexueshëm?
Nuk do thosha që jemi të lexueshëm, por futbolli është bërë i vështirë. Çdo kundërshtar futet për të dhënë maksimumin. Kjo është pjesë e futbollit, ne duhet të shikojmë përpara. Kemi dashur të bëjmë më shumë për Kombëtaren por ky është futbolli. Ndonjëherë gjërat nuk shkojnë si do.
E keni diskutuar me trajnerin, mes jush lojtarëve, pse kjo rënie pas kualifikimit në Europian? Në një kohë kur ne, tifozët, prisnim një kombëtare edhe më të fortë…
Është bërë analiza dhe e dimë se ku kemi gabuar. Kemi bërë gjithashtu edhe ndeshje të mira, si ato ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Duhet të shikojmë përpara. Duhet të përmirësohemi që të bëjmë më mirë në ndeshjet që na presin.
Seferi, u kthyem pak pas në kohë, për të kuptuar se çfarë na pret në të ardhmen. Të gjithë ishim sy e veshë nga shorti i Botërorit. Cila ishte gjëja e parë që të shkoi ndërmend kur goglat na vendosën në një grup me Anglinë dhe Serbinë?
Shortin e ndoqa me vëmendje. Grupi i fortë. Anglia dhe Serbia janë ekipe të forta, por siç e thashë, nëse futesh në fushë i fokusuar, atëherë mund t’i krijosh probleme çdo lloj kundërshtari.
Kë do doje të shmangie Seferi, Anglinë apo Serbinë?
Kur e ke grupin e fortë, ka edhe anën pozitive, pasi mund të tregosh veten. Nuk do largoja asnjë skuadër nga ky grup.
10 vite më parë me Serbinë ishte një nga ndeshjet më të bujshme. Sot pas 10 vitesh, si e sheh këtë përballje, je gati për të luajtur në Beograd?
Ne e mendojmë anën tonë profesionale dhe do shkojmë atje ta tregojmë veten. E kam thënë edhe diku tjetër që duhet të kemi mendjen e ftohtë, kokën e ftohtë dhe zemrën flakë.
Ke folur me djemtë për këtë përballje, si u prit mes jush, mes grupit?
Po padyshim që është një grup i fortë. Jemi kënaqur kur kemi parë që kemi rival kaq të fortë. Ne duam të futemi në fushë dhe të japim maksimumin. Shpresoj që të bëjmë krenarë shqiptarët.
E imagjinon një gol ndaj Serbisë dhe një festë me shqiponjë…
Gjithmonë e mendoj një gol ndaj Serbisë. Nuk dua të merrem me provokime, do Zoti do shënoj dhe të bëj krenarë gjithë shqiptarët.
E vendos kjo përballje dyshe me Serbinë vendin e dytë?
Çdo ndeshje duhet të merret një nga një. Duhet të bëjmë më të mirën në çdo ndeshje dhe do shikojmë situatën e pikët.
E nisim nga mitiku “Wembley” ndaj Anglisë, është e pamundur kjo ndeshje…
Anglia është rival i fortë dhe favorit i grupit. Çdo ndeshje i ka veçoritë e veta. Nëse ne jemi të bashkuar mund të luajmë futboll ndaj çdo lloj rivali. Besoj se mund t’i shkaktojmë probleme edhe Anglisë.
Çfarë ndjesie ke ti personalisht Seferi, mund të kualifikohemi në Botëror? Apo arritje do ishte dhe vendi i dytë dhe play-off?
Ne duam kualifikimin dhe do bëjmë të pamundurën për këtë.