Michael Jordan ka vite që e ka lënë karrierën e tij fantastike në basketboll, por ai vazhdon të mbetet shumë i dashur nga tifozët.
Legjenda e Chicago Bulls ka adhurues të mëdhenj, madje ka nga ata që janë në gjendje të paguajnë miliona euro për fanellën legjendare të tij.
Një fanellë e veshur nga ikona e basketbollit Michael Jordan gjatë ndeshjes së fundit të finaleve të NBA në vitin 1998 është shitur për një rekord prej 10.1 milion dollarëve.
Ky është një rekord absolut për një fanellë të shitur, pasi kurrë më parë nuk ishte paguar një shumë e tillë.
Të enjten, Sotheby’s kanë deklaruar se për të blerë fanellën legjendare të Jordan ishin gjithsej 20 oferta. Drejtori i Sotheby’s, Brahm Wachter, tha se ofertuesit ishin të etur për ta blerë fanellën e Jordan.
“Shitja e fanellës është një rekord. Duke dëshmuar se emri dhe trashëgimia e Michael Jordan janë po aq të rëndësishme sa 25 vite më parë”, ka thënë Wachter.
Fanella tejkaloi rekordin e mëparshëm prej 9.28 milionë dollarësh, të paguar për një fanellë të veshur nga ylli i futbollit Diego Maradona në Kupën e Botës 1986.