Sport

PROTAGONISTI I DITËS/ Sokol Çikalleshi, fundi i një piedestali

Shkruar nga Reldar Dedaj
PROTAGONISTI I DITËS/ Sokol Çikalleshi, fundi i një piedestali

Sokol Çikalleshi luajti për dhjetë vite me Shqipërinë që nga mosha 23 vjeç, deri në 33 vjeç. Ai ishte pjesë e Euro 2016, por nuk arriti dot të merrte një vend në Euro 2024-ën. Në 58 ndeshje në toal, mes kualifikueseve për Evropianin dhe Kupën e Botës, Nations League, Euro apo dhe miqësoreve, Cikalleshi ka realizuar 13 gola dhe një asistim. Ai vendosi të largohej si kampion, ashtu siç dinë gjithmonë të largohen të gjithë kampionët.
 
Djali nga Kavaja njoftoi këtë të martë tërheqjen nga Kombëtarja shqiptare e futbollit. Ky vendim vjen një ditë pasi trajneri Sylvinho shpalli listën me lojtarët e ftuar për Euro2024 dhe emri i tij mungonte, pavarësisht rolit të tij qëndror në kualifikuese.

Teksa shpalli listën me 27 lojtarët e thirrur (23-26 lojtarë do të jetë lista përfundimtare), Sylvinho nuk pranoi të fliste për mungesën e Cikalleshit, i cili luajti një rol të rëndësishëm për kuqezinjtë gjatë kualifikueseve, duke qenë titullar i padiskutueshëm.

Me një reagim në mediat sociale, 33-vjeçari i dha fund aventurës së tij me kuqezinjtë, e cila filloi në vitin 2008 me U-19 dhe në vitin 2014 me ekipin A.

“Fundi i një rrugëtimi”, shkruan Cikalleshi, duke shtuar: “Rrugëtimet jane të bukura, me uljet e ngritjet e veta. Gjatë rrugëtimeve nëse gjërat i ke bërë siç duhet, fundi është i lumtur, paçka se, jo gjithmonë e zgjedhim vetë mënyrën”.

“Ka qenë një krenari dhe emocion i papërshkueshëm përfaqësimi i fanellës së ekipit kombëtar të futbollit. Bartja e emocioneve të një kombi mbi shpinë, është sa privilegj, aq edhe një përgjegjësi, cila më ka bërë të përunjur dhe mirënjohës ndaj çdokujt që besoi, ndaj çdokujt që më dha kurajo për të vazhduar, e padyshim, në mënyrë të veçantë ndaj çdokujt që brohoriti për mua”.

“Ashtu siç, çdo fillim e ka një fund, edhe rrugëtimit tim me ekipin kombëtar të futbollit i erdhi fundi”.

“Ndihem i lumtur për çka bëra gjatë këtij rrugëtimi, ku dhashë pakursimin më të vogel pikën e fundit të djersës dhe shpirtin për të bërë më të mirën e mundshme”.

“Falenderoj Zotin për gjithëçka më ka dhënë në jetë, familjen për mbështetjen, tifozët ‘Kuq e Zi’ që meritojnë shumë më shumë sesa ne kemi dhënë në fushën e blertë”.

“Lutem Zotit që shokët që do vijojnë rrugëtimin në Euro2024 të kenë sukses dhe të bëjnë një paraqitje dinjitoze”, përfundon kështu shkrimi i Cikalleshit, autorit të 13 golave me Kombëtaren A të Shqipërisë.

Viti 2024 është vit në të cilin futbolli shqiptar do të shijojë frytet e suksesit të vitit që lamë pas. Në një grup me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë, Shqipëria nuk ka se çfarë humbet në finalet e “Gjermani 2024”. Do të tentojë më të mirën, ndërkohë që e ka të garantuar mbështetjen e madhe në Gjermani nga tifozët. Në ndeshjet kualifikuese tifozët erdhën nga të gjitha trevat shqipfolëse, ndërkohë që kapaciteti i stadiumit ishte shumë më i vogël se interesi i shfaqur prej tyre./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH