Ish-futbollisti i kombëtares turke të futbollit dhe Fenerbahces, Serhat Akin është plagosur me armë zjarri mbrëmë në Turqi.
Sipas medieve turke, në momentin që 43-vjeçari ka dalë nga një emision sportiv dhe i është drejtuar mjetit të tij, një person i armatosur dhe i maskuar ka zbritur nga motori dhe ka hapur zjarr ndaj tij duke e plagosur në këmbë.
Një nga plumbat e ka qëlluar ish-futbollistin në këmbën e djathtë dhe më pas autori është larguar me shpejtësi. Ndihma ka qenë e menjëhershme për Akin, që u transportua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar dhe vetë Akin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka bërë me dije se është qëlluar me armë zjarri në këmbë.
“Më gjuajtën në këmbë pas programit, fjala jonë e fundit është Fenerbahçe”, ka thënë ai.