Klubi amerikan, Austin, ne Teksas ka bërë një ofertë marramendëse për sulmuesin e kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni.
Në Spanjë bëjnë me dije se oferta për Uzunin është 10 milionë dollarë në 4 vite, dhe 10 milionë dollarë për kartonin e tij. Granada kërkon 12 milionë euro, aq sa ka klauzolën.
Sulmuesi mësohet se ka njoftuar klubin se dëshiron të largohet, por Granada nuk ka rënë dakord. Situata është tensionuar shumë mes klubit dhe lojtarit, ndërsa nuk është stërvitur dy ditët e fundit dhe pritet të mos luajë nesër kundër ekipit të Burgos.
“Kur u kthyem nga pushimet ai erdhi dhe tha se nuk e shihte veten në gjendje të stërvitej dhe nëse nuk stërvitet nuk ka rëndësi. Ai vazhdon me atë pozicion që nuk dëshiron të stërvitet me skuadrën, nuk mund të detyroj askënd të stërvitet dhe nëse nuk e bëjnë, nuk e llogaris”, tha Fran Escriba, trajneri i Granadas.
Uzuni është i lidhur me Granadan deri në verën e 2026 dhe këtë sezon ka shënuar 14 gola dhe dhuruar një asist në 18 ndeshje. Këto shifra e kanë kthyer Uzunin në lojtarin më të mirë të Granadas dhe sulmuesi theu edhe rekorde duke u bërë golashënuesi më i mirë i klubit në histori.