Vajza më e madhe e Pep Guardiolës ka dalë në një intervistë pas lajmit tronditës për ndarjen e trajnerit të Manchester City-t nga gruaja e tij, Cristina Serra.
Në intervistën e saj të parë, Maria Guardiola, modele dhe influencuese, foli me dashuri për prindërit e saj, duke bërë shaka se kishte trashëguar “kokëfortësinë” nga babai, ndërsa “vetëbesimin dhe ndjenjën e pavarësisë” nga nëna.
Prindërit e saj, të cilët ishin së bashku për tre dekada dhe u martuan në vitin 2014, ende nuk kanë komentuar për ndarjen e tyre pas lajmit që u bë publik të hënën në mbrëmje.
Maria nuk komentoi për ndarjen e prindërve të saj dhe nuk është dhënë asnjë arsye për divorcin. Megjithatë, të martën një mik i Pep-it i tha MailOnline se zakonet e tij si “pasionant i punës” ishin arsyeja kryesore.
“Mendoj se çifti është larguar nga njëri-tjetri. Ajo u largua nga Mançesteri rreth tre vite më parë për t’u rikthyer në Barcelonë. Kjo ka ndikuar shumë,” tha burimi, i cili kërkoi të mbetet anonim.
“Ai është një punëtor i palodhur dhe fakti që nuk ishte i përfshirë në biznesin familjar të modës mund të ketë ndikuar gjithashtu në marrëdhënien e tyre.”
Madje, gjatë kohës që luante për FC Barcelona, shokët e tij të ekipit e quanin “Perfecto” për shkak të obsesionit të tij me lojën dhe pakënaqësisë ndaj lojtarëve që i jepnin përparësi jetës sociale.
Po ashtu, gazetarja spanjolle që publikoi lajmin e ndarjes, Lorena Vazquez, theksoi se nuk kishte asnjë “person të tretë” të përfshirë.
“Ky ka qenë një vendim i mirë-menduar që çifti e diskutoi për disa muaj. Ata vazhdojnë të kenë një marrëdhënie të përzemërt dhe të dashur. Askush tjetër nuk është i përfshirë. Nuk ka palë të treta. Ne do të vazhdojmë t’i shohim ata së bashku.”