Volejbolli dhe sporti shqiptar në zi, ndahet nga jeta "Nderi i Kombit" , Vangjel KOJA
As më pak dhe as më shumë; një legjendë. Në ditët më të lavdishme të volejbollit shqiptar emri i Vangjel Kojës është gdhendur me germa të arta. Një kampion i lindur, i cili me pasion, punë dhe përkushtim ia dedikoi tërë jetën e tij volejbollit, duke shkruar historinë e sportit të rrjetës në Shqipëri dhe deri në mes më të mirëve, në Europë. Koja e ka nisur karrierën si atlet, me pas si basketbollist dhe volejbollist duke u bërë trajner i skuadrës së Dinamos për shumë vite me radhë në volejboll për meshkuj.
Vangjel Koja lindi në Tiranë në vitin 1933 më 19 prill. Xhela, ashtu siç e njihnin të gjithë ishte një legjendë e gjallë e historisë sportive të volejbollit.
Karriera e tij nisi si atlet më pas si basketbollist, volejbollist dhe duke përfunduar më pas si trajner i skuadrës së famshme, Dinamo në volejboll për meshkuj, duke qenë jo vetëm fitues titujsh kampion, por duke lënë gjurmë të pashlyeshme në përfaqësimet evropiane.
Vangjel Koja e kishte nisur sportin në vitin 1947, kur në moshën 14 vjeçare ishte shpallur kampion me të rinjtë e ekipit të Tiranës në katër gara: hedhje shtize, kërcim së gjati dhe në vrapimet në distancat 800 e 400 metra.
“E kam filluar me atletikën, 400m, 800m, kërcim së gjati, trehapësh. Kam marrë pjesë pesëgarësh. Për trajnerin isha si ajo lotaria, kur i duhej fitorja në kampionatin e atletikës, apo kërcim së gjati, më fuste mua. Gara ime personale ka qenë kërcim së gjati”, – tregonte Xhela.
Në vitin 1956, një direktivë e ardhur nga lart, i detyroi sportistët që të specializoheshin në një lloj sporti. Vangjeli zgjodhi volejbollin. Dhe bëri zgjedhjen e duhur. Fitoi tituj pa fund, u shndërrua në një idhull për volejbollistët e djeshëm dhe të sotëm. Koja u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”, titull i dhënë nga Presidenti i vendit në dhjetor 2003 dhe laureuar gjithashtu me tre urdhra “Naim Frashëri” të kategorive 1,2 dhe 3, ai mbante edhe titullin “Mësues i Popullit”.
Në kohën që ai ishte drejtues i Dinamos, ekipi ka fituar 17 kupa republike dhe 23 tituj kampionësh, nga viti 1965 deri në vitin 1990, u nderua nga televizioni “TeleSport” dhe gazeta “Sport Plus” me çmimin prestigjioz “Medalja e meritës, për rezultate të shkëlqyera në sport”.
Ai i ka dhënë shumë këtij ekipi duke fituar disa tituj kampion dhe duke lënë gjurmë edhe në kompeticione europiane. Koja, ose siç njihej ndryshe si “babai” i volejbollit vendosi diktatin e tij te Dinamo, kampione absolute në vitet ’70-’90, ku arriti të hynte mes 4 më të mirave në Evropë.
Pasionin për volejbollin Vangjeli ia trashëgoi edhe djalit të tij Orlandos i cili edhe sot po nderon emrin e babait të tij. Homazhet do të mbahen këtë paradite në kishën e Shën Sotirit e më pas do ti jepet lamtumira e fundit legjendës së volejbollit shqiptar.
Në vitin 2024, Vangjel Koja u nderua nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Z. Erlind Pëllumbi me titullin " Nderi i Volejbollit Shqiptar". Tre vite më parë, Vangjel Koja u nderua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, me çmimin ‘’Nderi i Kombit’’.
Vitet e fundit të jetës i kaloi mes Tiranës dhe SHBA-së, duke mos iu ndarë pasionit për volejbollin. Për Federatën Shqiptare të Volejbollit, ish-sportistë, miq, të afërm, dashamirës të shumët të sportit, Vangjel Koja do të mbetet një model frymëzimi dhe shembull suksesi për brezin aktual dhe ata që do të vijnë.
VANGJEL KOJA (1933 - 2024)
● "Nderi i Kombit"
● “Mjeshtër i Merituar i Sportit”
● "Nderi i Volejbollit Shqiptar"
● “Nderi i Sportit Shqiptar”
● Dekoruar me “Naim Frashëri” I, II, III
● Diplomuar në A.E.F.S “Vojo Kushi”
(Sot, Universiteti i Sporteve)
● 1955-1990, trajner i Dinamos, volejboll meshkuj
● 1965-1990, trajner i ekipi Kombëtar të volejbollit për meshkuj
● 23 herë kampion më Dinamon,
● 17 herë fitues i Kupës së Republikës
● 50 herë fitues i kupave të ndryshme jubilare
● 2 herë fitues i Spartakiadave Kombëtare
● 100 ndeshje ndërkombëtare me Dinamon dhe ekipin Kombëtar
● Vendi i katërt midis skuadrave kampione të Europës në volejboll për meshkuj në vitin 1972