Sport

Kabo dhe Sinemati komentojnë rastin e Duros: Jemi shoqëri e dhunshme

Shkruar nga Liberale

Kabo dhe Sinemati komentojnë rastin e Duros: Jemi shoqëri e dhunshme

Profesor Përparim Kabo ka folur në lidhje me rastin e Klodian Duro, ish-futbollistit të Kombëtares, i cili u eliminua nga Big Brother pas deklaratave të tij për dhunimin e gruas së tij dhe kërcënimeve ndaj banorëve. Në intervistën e tij në “Procesi Sportiv”, Kabo ka theksuar se futbollistët e kombëtares duhet të jenë shembull pozitiv për të gjithë shoqërinë.


“Shpreh një keqardhje për Klodin që i ndodhi kjo gjë. Përtej kësaj është mirë që të mbajmë një qëndrim. Dhuna nuk është zgjidhje në asnjë rast dhe ne jemi një shoqëri relativisht e dhunshme, deri në rastet flagrante të marrjes së jetës së njerëzve. Një sportist është një person publik, por një sportist i ekipit kombëtar është më shumë se një person publik. Është një model. Unë dëgjova që një lojtar i ekipit kombëtar që ka veshur flamurin kuqezi do të hynte në një format të tillë mendova se shtrëngimi i dorës së kundërshtarit pas çdo ndeshje, pranimi i humbjes si humbje e një beteje e jo i një lufte do të ishte një model i mirë për të zbutur gjakrat. Ne jemi njerëz përjashtues, është e vështirë të ndërtojmë një komunikim që pranon të ndryshmen.

Kur më thanë fjalët e Duros thashë që duhet të përjashtohet. Sot dëgjova ndjesën e tij, dëgjova edhe një interviste shumë të çiltër dhe shumë të ndjerë të bashkëshortes së tij e cila tha se çfarë ka ndodhur është private me mua dhe nuk e prisja që kjo çështje të hapej kaq publikisht përmes këtij formati popullor. Duhet të bëjmë shumë kujdes për gjeneratat e reja, cilat modele i ofrojmë ne gjeneratave të reja. Një sportist ofron një lojë të ndershme”, tha profesor Kabo.

 Kabo dhe Sinemati komentojnë rastin e Duros: Jemi shoqëri e dhunshme

Rastin e Duros, e  ka komentuar edhe gazetari i njohur sportiv, Gëzim Sinemat ku sipas tij mund të ketë qenë duke folur nën efektin e alkoolit dhe ka rënë në grackë.

“Për Duron më ka ardhur keq që i ndodhi. Do të doja që t’i dilte për mirë. Nuk do të thotë gjë që ka qenë lojtar i mirë dhe lojën në Big Brother ta bëjë mire. Ai ra në grackë. Ne jemi mësuar të themi lloj lloj gjërash kur jemi në lokal. Ne jemi shoqëri lokalesh dhe kafesh. Klodi mund ta ketë thënë edhe nën avujt e asaj që ka pasur përpara”, u shpreh Sinemati.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH