Tirana do të përjetonte një ndër dramat më të mëdha, në vitin 1981.
Silva Turdiu (në foton e rrallë), vajza e profesorit të nderuar të matematikës, Qazim Turdiu, njëherësh edhe mbesa e gjigantit të letrave, Arshi Pipa, të arratisur në Shtetet e Bashkuara, një prej simboleve të bukurisë tiranase, volejbolliste kampione me Dinamon, përjetoi një fat tragjik jo vetëm ndarjen nga i fejuari i saj, por dhe nga pasioni i saj më i madh, volejbolli
Drqma e dashurisë në volejbollin e femrave lindi midis djalit të ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, Skënder Shehut me volejbollisten kampione te Dinamos, Silva Turdiut.
Fejesa e Skënder Shehut me Silva Turdiun, edhe pse fillimisht e pranuar nga Enver Hoxha, ky i fundit i uroi personalisht, do të ishte një nga shkaqet kryesore të vetëvrasjes apo vrasjes së Mehmet Shehut, burgosjen e Skënder Shehut dhe largimin përfundimtar nga volejbollit të Silva Turdiut, një prej vajzave më të bukura të Tiranës asaj kohe.
“Drama e vajzës më të shkëlqyer të ekipit, Silva Turdiu, për “faj” të volejbollit dhe absurdit politik të regjimit komunist, është një nga pengjet e mia”.
Kjo është brenga e madhe e Kreshnik Tartarit, ish-trajnerit të Dinamos së famshme të viteve 1975-1990, në lidhje me ato që ai përjetoi në “vetë të parë” pas ndëshkimit të volejbollistes bukuroshe 20-vjeçare, Silva Turdiu, për shkak të fejesës më Skënder Shehun, djalin e dytë të ish-kryeministrit më jetëgjatë komunist, por dhe të gjithë historisë shqiptare, Mehmet Shehut.
Lidhja e pazakontë Shehu-Turdiu, i pari pinjoll i njeriut të dytë më të fuqishëm në regjimin komunist pas Enver Hoxhës dhe e dyta, pinjolle e dy prej familjeve më të shquara shqiptare, Turdinjve (nga i ati) dhe Pipajve (nga e ëma), ishte sintezë e një regjimi sa human në dukje, aq brutal në ndëshkime shembullore.
Një lidhje e nisur midis dy të rinjve të dashuruar marrëzisht në fillim të vitit 1980, e zyrtarizuar si fejesë më 1 shtator të vitit 1981; e shoqëruar me një vizitë urimi të Enver Hoxhës më 3 shtator 1981, e vazhduar me një proces të frikshëm “Hoxha kundër Shehut” dhe e përfunduar me vdekjen e kryeministrit Mehmet Shehu më 17 dhjetor 1981, në një nga enigmat më të mëdha të historisë 45-vjeçare komuniste, nëse ishte vrasje apo vetëvrasje.
Nga mikeshat më të mira të saj, Ela Tase, Mimoza Ibrahimi, Emona Gripshi, por dhe nga trajneri i saj, njeriu që e rriti dhe e bëri të famshme, trajneri Kreshnik Tartari.
“Silva nuk u bë e famshme nga lidhja me djalin e Mehmet Shehut, ajo ishte një kampione e madhe, dhe e tillë ka mbetur”, është shprehur në një intervistë Kreshnik Tartari, trajneri që e stërviti 5 vjet më radhë, qyshkur ajo ishte vetëm 15 vjeçe, e derisa u nda përfundimisht nga bota e sportit.