Sport

Gigi Riva dhe Sardenja

Shkruar nga Liberale

Gigi Riva dhe Sardenja

 

OBITARY: Ai mbërriti atje rastësisht dhe me idenë për t'u larguar sa më parë, por më pas preferoi të luajë deri në fund të karrierës me Cagliarin, duke u bërë një simbol i ishullit, pasi refuzoi çdo transferim në ekipet e mëdha të veriut.

Gigi Riva, një nga lojtarët ikonë të Kombëtares Italiane, ndërroi jetë në moshën 79-vjeçare. Për herë të parë debutoi 17 vjeç në serinë C me Leganon, më pas u radhit si golashënuesi më i mirë i Kombëtares, me 35 gola në 42 ndeshje. Luajti me Cagliarin e Sardenjës, deri kur doli në pension në moshën 32-vjeçare.

Në vitet 1960 dhe 1970, Riva ishte një nga lojtarët më të mirë italianë dhe europianë. Të imagjinosh sot një lojtar të atij niveli që luan gjithmonë vetëm me një ekip dhe, jo një nga ata që zakonisht konsiderohen “të mëdhenj” dhe me mundësi më të mëdha ekonomike, mund të duket shumë e çuditshme... Kështu ishte edhe atëherë në fakt.

Lidhja e tij me Cagliarin, ishte një anomali, duke u shndërruar në një dashuri të madhe mes tij dhe gjithë Sardenjës. Ai ishte një simbol që s’e braktisi kurrë edhe atëherë kur karriera e tij përfundoi. Dëshira për të qëndruar tek Cagliari dhe në Sardenjë, e detyroi Gigi Rivan të refuzojë në disa raste transferimin e tij në disa nga klubet më të mëdha të Italisë veriore, ku dhe do të kishte fituar më shumë dhe ndoshta mund të kishte krijuar një emër shumë më të madh në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Gigi Riva dhe Sardenja

Ai mbërriti në Cagliari në verën e vitit 1963, kur ishte 19 vjeç dhe kur ishulli ishte komplet i ndryshëm nga sa është sot. Costa Smeralda, për shembull, ishte ende një zonë kryesisht e pabanuar, sipërmarrësi dhe princi Karim Aga Khan IV e kishte blerë tokën vetëm një vit më parë me synimin për ta shndërruar në një destinacion turistik. Lidhjet me pjesën tjetër të gadishullit ishin të kufizuara, ekonomia bazohej në kultivimin e deleve, peshkimin dhe minierat, ndërsa zhvillimi industrial do të vinte pak më vonë.

Ideja për të gjetur një rrugë apo mënyrë që të largohej më shpejt nga ishulli u braktis shpejt, pasi Riva gjeti aty një skuadër të re dhe ambicioze, sa në vitin e parë debutoi në Serinë A. Në Sardenjë, Riva do të krijonte një lidhje të fortë më trajnerin Manlio Scipigno, i cili e stërviti atë duke filluar nga viti 1966. Në fushë, ai shpejt debutoi si sulmuesi më i mirë në kampionat, ndërsa jashtë fushe lidhja me tifozët u bë akoma edhe më e fortë.

Në këtë periudhë, Riva u konfigurua si një nga lojtarët më të mirë në botë, duke u radhitur në vend të dytë për Topin e Artë të vitit 1969, pas një italiani tjetër, Gianni Rivera të Milanit.

Skuadra ku Riva ishte simboli dhe lojtari më i mirë, kishte edhe shumë lojtarë të tjerë të talentuar, ndër të cilët spikatën Enrico Albertosi, Comunardo Niçolai, Mario Brugnera, Pierluigi Cera, Angelo Domenghini, Bobo Gori, etj. Skuadrat e mëdha nga veriu i Italisë u përpoqën të merrnin lojtarët më të mirë. Më i kërkuari ishte padyshim Riva, kështu që në verën e vitit 1973 Juventusi bëri një ofertë fantastike, por që Riva e refuzoi. Milani dhe Interi do të përpiqeshin më vonë gjithashtu, por morën të njëjtin refuzim nga ai. Riva nuk fitoi asgjë tjetër më Cagliarin, por krijoi një lidhje me ekipin dhe me Sardenjën që vazhdoi edhe përtej fundit të karrierës së tij. Doli në pension shumë herët, pas një dëmtimi të rëndë, i treti që mori në karrierën e tij, pasi mbrojtësit i kishin thyer dy herë këmbën. Ishte një periudhë ku loja e ashpër ishte shumë më e shpeshtë dhe sulmuesit ishin shumë më pak të mbrojtur.

Gigi Riva dhe Sardenja

Një vit pasi doli në pension, Riva iu bashkua stafit të klubit, pas dymbëdhjetë muajsh, në vitin 1979 u bë menaxher dhe në vitin 1985, në vitet më të vështira ekonomike për klubin, sa i përket financave dhe rezultateve, merr përgjegjësinë e presidencës. Një vit më pas dorëhiqet nga çdo pozicion në drejtimin e klubit. Pas 24 vitesh, ai emërohet president nderi i Cagliarit. Riva ka jetuar gjithmonë në ishull, madje stadiumi tjetër i Cagliarit, për të cilin projekti është miratuar, do të mbajë emrin e tij./Përgatiti Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH