Sport

Futbollisti i Juventusit rrëfen si u bë i varur nga bastet: Kisha shumë borxhe dhe nuk dija si t'i paguaja

Shkruar nga Liberale

Futbollisti i Juventusit rrëfen si u bë i varur nga bastet: Kisha

Nicolò Fagioli, mesfushori 23-vjeçar i Juventusit dhe kombëtares italiane, ka rrëfyer në një dokumentar të “Prime Video” betejën e tij me varësinë nga bastet. Ai tregoi se si nisi gjithçka dhe si përfundoi duke humbur shuma të mëdha parash:

“I thosha vetes ‘nuk ndodh asgjë’. Ndonjëherë fitoja, por paguaja për humbjet e mëparshme. Në momentin më të keq rrija 12 orë në telefon, koha kalonte si të ishin vetëm 2 ose 3 orë”.

Fagioli tregon se filloi të vinte baste që në moshën 16-vjeçare me miqtë e tij për argëtim. Më pas, gjatë kohës së izolimit për shkak të Covid-19, situata u përkeqësua: “Kur isha te Cremonese, mbeta në shtëpi për një muaj për shkak të Covid-it dhe gjithçka u bë automatike”.

Edhe pse shuma maksimale për bast ishte 10.000 euro, ishte frekuenca e lartë e të luajturit që e çoi në humbje të mëdha: “Kam humbur qindra, mijëra euro. Luaja futboll për të paguar këto disfata në baste”.

Në një moment, ai madje u kërcënua nga persona të panjohur: “Më thoshin ‘të vrasim’ para se të luaja ndeshjen në Sevilla. Nuk mund të tregoja kush më kërcënonte. Është e tmerrshme të kërcënohesh nga njerëz që nuk i njeh”.

Fagioli kujton edhe momentet e vështira në pankinë në “Reggio Emilia”, kur qante pas një gabimi në ndeshje: “Kisha shumë borxhe dhe nuk dija si t’i paguaja. Ne futbollistët kemi shumë kohë të lirë, por unë e përdora gabimisht”.

Ai kërkoi ndihmë në qendrat për varësinë, por nuk pati sukses: “Shkova dy ose tri herë te qendra për varësi, por më dukej e kotë”.

Fagioli pranon se është e vështirë të shërohesh plotësisht nga varësia: “Nuk shërohesh nga bixhozi, por mëson ta kontrollosh veten”.

Për këtë, falënderon familjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme: “Familja më qëndroi gjithmonë pranë, i detyrohem shumë. Kalova 7 muaj agoni, çdo ditë shënoja në kalendar sa ditë kishin mbetur”.

Në përfundim, Fagioli pranon humbjet e tij, jo vetëm financiare, por edhe të viteve të jetës: “Kam humbur më shumë se dy vite jetë për shkak të basteve. Kam humbur para, kohë dhe momentet me familjen”. Megjithatë, ai tani ndihet më i fortë: “Në depresion isha më parë, kur vija baste. Tani ndihem më mirë, jam kthyer, po stërvitem seriozisht”.

Futbollisti i Juventusit rrëfen si u bë i varur nga bastet: Kisha

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH