Sport

Flaka Olimpike Paris 2024 u ndez në Greqi në vendlindjen e lashtë të Lojërave

Shkruar nga Laert MIRAKU

Flaka Olimpike Paris 2024 u ndez në Greqi në vendlindjen e lashtë

Përgatiti dhe përshtati për Liberale.al, Laert Miraku

Qiejt me re penguan ndriçimin tradicional, kur një aktore e veshur si një priftëreshë e lashtë greke përdor diellin për të ndezur një pishtar argjendi.

Në vend të kësaj, u përdor një flakë rezervë që ishte ndezur në të njëjtin vend të hënën, gjatë provës përfundimtare.

Stafeta e pishtarit do të kulmojë me ndezjen e flakës olimpike në kryeqytetin francez në ceremoninë e hapjes së Lojërave. Parisi do të presë Olimpiadën Verore për të tretën herë pas 1900 dhe 1924.

"Në këto kohë të vështira që po jetojmë, me luftëra dhe konflikte në rritje, njerëzit janë të ngopur me gjithë urrejtjen, agresionin dhe lajmet negative me të cilat po përballen çdo ditë," tha presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar  (IOC), Thomas Bach në fjalën e tij.

"Ne dëshirojmë diçka që na bashkon, diçka që na jep shpresë. Flaka olimpike që po ndezim sot është simboli i kësaj shprese."

Flaka do t'u dorëzohet zyrtarisht organizatorëve të Lojërave të Parisit në stadiumin Panathenaic të Athinës, vendi i Lojërave të para moderne në 1896, më 26 prill pas një stafete 11-ditore në të gjithë Greqinë.

Më pas do të niset të nesërmen për në Francë në bordin e anijejes "Belem" dhe do të mbërrijë më 8 maj në Marsejë, pritet që 150,000 njerëz marrin pjesë në ceremoninë në Portin e Vjetër të qytetit jugor.

Marseja, e themeluar nga kolonët grekë të Fokesë rreth vitit 600 pes, do të presë anijet olimpike të lundrimit.

Stafeta franceze e pishtarit do të zgjasë 68 ditë dhe do të përfundojë në Paris me ndezjen e flakës olimpike gjatë ceremonisë së hapjes më 26 korrik.

Zyrtarët theksuan të martën se Lojërat e Parisit do të vendosin piketa të reja, pas trashëgimisë së dy olimpiadave të mëparshme të mbajtur në kryeqytetin francez.

"Flaka olimpike do të shkëlqejë mbi Lojërat e para Olimpike të frymëzuara nga reformat e agjendës sonë olimpike nga fillimi në fund," tha Bach. 

"Këto Lojëra Olimpike do të jenë më të reja përmarimtare, më gjithëpërfshirëse, më urbane, më të qëndrueshme. Këto do të jenë lojërat e para Olimpike me barazi të plotë gjinore, sepse IOC ndau saktësisht 50 përqind të vendeve për atletet femra dhe meshkuj," tha ai.

Organizatori kryesor i Olimpiadës së Parisit, Tony Estanguet, vuri në dukje se gratë morën pjesë për herë të parë në Lojërat e Parisit 1900.

Për herë të parë që kur pandemia Covid-19 imponoi aktivitete të zbutura për Lojërat Olimpike të Tokios 2020 dhe Lojërat Dimërore të Pekinit 2022, ceremonia e ndezjes së flakës u rikthye me gjallëri dhe shumë spektatorë.

Presidentja greke Katerina Sakellaropoulou, ministrja franceze e sportit Amélie Oudea-Castera dhe kryebashkiaku i Parisit Anne Hidalgo ishin të pranishëm në ceremoni.

Mezosopranoja amerikane Joyce DiDonato mbajti himnin olimpik. 

Një udhëtim 17,000 kilometra

Pishtari kthehet në "Lojërat Olimpike të lashta" kur një flakë e shenjtë digjej gjatë gjithë Lojërave. Tradita u ringjall në vitin 1936 për Lojërat e Berlinit. 

Gjatë stafetës 11-ditore në tokën greke, rreth 600 pishtarë do të mbajnë flakën në një distancë prej 5,000 kilometrash (3,100 milje) përmes 41 komunave.

Nana Mouskouri, këngëtarja 89-vjeçare greke me ndjekës mbarëbotërorë, është ftuar të performojë në ceremoninë në stadiumin e Panathenaic më 26 prill, kur organizatorët e Lojrave Olimpike Paris 2024 do të marrin flakën.

Të nesërmen, flaka do të fillojë udhëtimin e saj për në Francë në bordin e avullores (anije) me tre shtylla të shekullit të 19-të, Belem, e cila rizgjoi traditën disa javë pas Lojërave të Athinës 1896.

Dhjetë mijë pishtarë do të bartin më pas flakën në 64 territore franceze.

Flaka Olimpike do të udhëtojë nëpër 400 qytete dhe dhjetëra atraksione turistike gjatë udhëtimit të saj prej 12,000 kilometrash (7,500 milje) përmes Francës kontinentale dhe territoreve të huaja franceze në Karaibe, Oqeanin Indian dhe Paqësor përpara se të formojë pjesën qendrore të ceremonisë së hapjes së Olimpiadës së Parisit.

Ceremonia është planifikuar të mbahet në lumin Seine – hera e parë që nuk mbahet në stadiumin kryesor të Lojërave.

Megjithatë, presidenti francez Emmanuel Macron tha të hënën se ai mund të zhvendoset në stadiumin kombëtar në rast të një kërcënimi për sigurinë.

Macron tha se në vend që ekipet të lundrojnë në Seine, ceremonia mund të "kufizohet në ndërtesën Trocadero" përtej lumit nga Kulla Eifel ose "madje të zhvendoset në Stade de France".

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH