Sport

Elbasani i bashkohet elitës, zyrtarisht në kategorinë superiore

Shkruar nga Liberale

Elbasani i bashkohet elitës, zyrtarisht në kategorinë superiore

Elbasani i ka mbyllur hesapet me ngjitjen në Superiore sezonin e ardhshëm, ku pret vetëm konfirmimin matematikor për të nisur zyrtarisht festën. Me 15 pikë mbi vendin e tretë, kur kanë mbetur edhe gjashtë javë në lojë, duket se kjo histori ka marrë fund.


Madje, verdheblutë mund të shpallen që këtë javë zyrtarisht si skuadra e parë që sezonin e ardhshëm do t’i bashkohet elitës. Gjithsesi, kuptohet që tani fokusi i elbasanasve është ngjitja një kategori më lart duke u shpallur kampionë dhe mos u mjaftuar thjesht me arritjen e këtij objektivi nga vendi i dytë.

Mjafton që të kombinohen disa rezultate dhe nga Peshkopia të shtunën elbasanasit të kthehen në shtëpi me Superioren në “xhep”. Nëse verdheblutë fitojnë dhe Flamurtari nuk shkon më shumë sesa barazimi do të sillte edhe ngjitjen e ekipit të Nevil Dedes në elitë, pasi do të bëhej i pakapshëm në pesë javët e mbetura. Një tjetër variant është edhe barazimi i elbasanasve dhe në kahun tjetër vlonjatët të humbnin në shtëpi ndaj Tomorit. Nëse njëri nga këto dy variante realizohet të shtunën, verdheblutë janë matematikisht të ngjitur.

Në të kundërt, gjithçka mbetet për javën e ardhshme në “Elbasan Arena”. Gjithsesi, në Peshkopi nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi Korabi është skuadra që i ka shkaktuar humbjen e parë Elbasanit këtë sezon, duke sjellë në njëfarë mënyre edhe hidhërim. Kësaj here, elbasanllinjtë rikthehen në këtë qytet për të bërë historinë, pasi në harkun kohor të tri viteve ngjisin të gjitha shkallët një e nga një, për të shkuar deri tek niveli më i lartë i futbollit shqiptar.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH