Egnatia u rikthye te fitorja në kampionat, pasi mposhti Bylisin me rezultatin 0-2 në transfertë, në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të.
Rrogozhinasit vuajtën jo pak në Ballsh, por ia dolën të largohen me 3 pikë. Goli i Zejnullait me penallti në fund të pjesës së parë dhe goli i Ujkës në fund të takimit, i dhanë suksesin skuadrës së Edlir Tetovës.
Kampionët e mbyllën ndeshjen me 10 lojtarë, pasi Edison Ndreca u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 88-të.
Me këtë fitore, Egnatia ngjitet në vendin e tretë me 23 pikë, ndërsa Bylis pëson humbjen e dytë radhazi dhe renditet i fundit me 10 pikë të grumbulluara.