Superliga mbylli këtë të diel raundin e 13-të. Gjithçka nisi në orën 14:00 me barazimin 1-1 mes Laçit dhe AF Elbasanit. Në 17:00 në "Niko Dovana" të Durrësit Tirana mposhti 4-0 Bylisin, duke bërë që Gugash Magani të debutonte me tri pikë në rikthimin pas nëntë vitesh si trajner i bardhebluve.
Në "Niko Dovana" të Durrësit, Tirana mposhti 4-0 Bylisin në një stadium të "ftohtë" për shkak të mungesës së tifozëve, kjo pas dënimit që Disiplina u bëri bardhebluve.
Kryeqytetasit pas 12 javësh vinin në këtë takim me vetëm një fitore dhe shkarkimi i Bledi Shkëmbit dhe emërimi si trajner i Gugash Maganit ka dhënë frytet e veta.
Jarmouni me dopietë në minutat 43 (penallti) dhe 69, Ismajli në të 81 dhe Bajrovic në 90+1 shënuan për Tiranën që ngjitet në vendin e shtatë me 14 pikë, duke lënë në zonën e ftohtë Skënderbeun, Laçin dhe Bylisin.
Në Kurbin, Laçi dhe AF Elbasani barazuan 1-1. Mjaki që në minutën e katërt kaloi në epërsi vendasit. Ndeshja u barazua nga Blaise Tsague në minutën e 60-të. Kjo është ndeshja e gjashtë radhazi pa fitore për AF Elbasanin, që me 17 pikë mban vendin e pestë. Ndërkohë Laçi me 12 pikë ndodhet në vendin e nëntë.
E shtunë, 9 nëntor
14:00 Egnatia 1-1 Vllaznia
17:00 Dinamo 1-2 Partizani
17:00 Teuta 1-1 Skënderbeu
E diel, 10 nëntor
14:00 Laçi 1-1 AF Elbasani
17:00 Tirana 4-0 Bylis