Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave se Shqipëria, nuk fitoi medaljen e parë olimpike me mundësin Chermen Valiev, pasi medalja e parë është marrë nga peshëngritësi Ymer Pampuri në vitin 1972.
Në një reagim të gjatë në “Facebook”, Rama shprehet se e vërteta është siç ai e shkroi dje dhe siç e thotë edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Ymer Pampuri bëri një sukses e bujë të jashtëzakonshme duke dalë i pari në stilin e forcës, por i nënti në klasifikimin e garës olimpike të Mynihut, si rrjedhojë e rezultatit shumë më të ulët në tre stilet e kombinuara, shkruan Rama.
Medalja e Ymer Pampurit nuk është medalje olimpike, thotë ai por është medalja e artë në stilin përkatës në kampionatin botëror që atë vit luhej paralelisht në të njëjtën garë olimpike.
Reagimi i ish-kryeministrit Berisha, i cili teksa përshëndeste medaljen e bronzit të Valiev, theksonte se në fakt medalja e parë e Shqipërisë ishte marrë në peshëngritje në Mynih 1972 nga Ymer Pampuri.
“Kreu i piramdës së mashtrimit Edi Rama paraqiti medaljen olimpike të Valiev si medaljen e parë në historinë e vendit. Këtij njeriu që shet injorancë, neveri dhe gënjeshtra nga mëngjesi në darkë dikush duhet t’i kujtojë se peshengritesi legjendë, Ymer Pampuri u kthye nga Olimpiada e Mynihut 1972 me medalje të artë!”, shkruante Berisha.
Një reagim të tillë Rama e quan “miza dhe mushkonjat e nënkësulës politike”, që sipasj tij, përqeshën gjuhëjashtë edhe numrin e vogël të përfaqësueses shqiptare në Paris, por nuk kanë se si ta kujtojnë dot që Shqipëria e deri para dhjetë vjetëve nuk kishte as palestra shkollash.
Si qëndron e vërteta lidhur me Olimpiadën e vitit 1972?
Gara e 29 gushtit 1972 ka qenë një duel spektakolar midis Nurikian të Bullgarisë dhe Shanidze të Bashkimit Sovjetik për medaljen e artë, po ajo ka në mes, atë verë të 72-shit, edhe shqiptarin Ymer Pampuri, të cilit i bëhet ceremonia dhe i jepet medalja e Kampionit të Botës.
Këtu është ngatërruar gjithçka, ngatërrim që për ne mbeti nëntokë për tri dekada. Shtypi shqiptar i kohës e quan atë “medalje të rekordit olimpik”, të cilën ne më 1972 e konsideronim si rekord olimpik, çka absolutisht nuk njihet në olimpiada.
Lojërat Olimpike të vitit 1972 për turneun e peshëngritjes kanë qenë pra edhe Kampionat Botëror, madje ndërsa Olimpiada jep vetëm 3 medalje: të artë, të argjendtë, të bronztë vetëm për renditjen si tregarësh, për Kampionatin Botëror jepen medalje për katër kampionë të botës në çdo peshë për secilin stil, si dhe për tregarëshin. Eshtë pikërisht kjo rregullore që e shpall Ymer Pampurin Kampion të Botës në stilin e forcës.
Pra, me pak fjalë Ymer Pampuri u shpall kampion bote në stilin e forcës në garat e 1972 në peshëngritje dhe jo një kampion Olimpik. /Liberale.al/