Ka ndëruar jetë në moshën 59-vjeçare ish-futbollisti italian Totò Schillaci. Ai ka ndërruar jetë mëngjesin e kësaj të mërkure në spitalin Civic, pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua ndjeshëm.
“Në 24 orët e fundit gjendja klinike e pacientit Salvatore Schillaci po përkeqësohej ndjeshëm, mbështetja farmakologjike dhe instrumentale e funksioneve kardiorespiratore lejoi që parametrat jetikë të qëndronin të palëvizshëm”, komunikoi menaxhmenti shëndetësor i kompanisë Civico Di Cristina në Palermo.
Schillaci luajti për Juventusin, Interin dhe kombëtaren. Me golat e tij, teksa luante me “Të kaltrit” ai “ndezi” Italinë në verën e Botërorit legjendar 1990, shkruan “Il Messaggero”.
Kohët e fundit ai Vuante nga kanceri i zorrës së trashë dhe ishte operuar dy herë. Ai kishte fituar shumë beteja, brenda dhe jashtë fushës, në jetën e tij të dytë. Këtë herë ai nuk ia doli.
Ai lindi në Palermo më 1 Dhjetor 1964 dhe u martua dy herë, me Ritën dhe Barbarën: ai la pas tre fëmijë, Jessica, Mattia dhe Nicole.