Barazimi i fundit i Shqipërisë në Riga ndaj Letonisë ka rikthyer një ndjesi të njohur zhgënjimi për tifozët dhe opinionistët e futbollit shqiptar. Kombëtarja nuk arriti të imponohej ndaj një kundërshtari më të dobët në letër, duke nxitur debat rreth formës aktuale të skuadrës dhe drejtimit teknik të saj.
Ish-trajneri i kombëtares, Astrit Hafizi, analizoi me tone të ashpra paraqitjen e kuqezinjve dhe vuri në pikëpyetje profesionalizmin e trajnerit Sylvinho.
“Ne nuk krijuam asnjë rast të qartë për gol. Përveç penalltisë dhe një goditjeje pa rrezik, nuk patëm asgjë konkrete. Edhe ndaj Letonisë, një skuadër që në letër duhet ta dominojmë, luajtëm dobët, pa ide dhe pa reagim,” u shpreh Hafizi.
Ai kritikoi qasjen e trajnerit brazilian duke shtuar: “Nëse ti më thua që skuadra është në rritje, më trego ku është kjo rritje? As Broja, as Manaj, as Hoxha – asnjë sulmues nuk ka gjuajtur në portë. Nuk është çështje fati, është çështje përgatitjeje dhe guximi.”
Hafizi nuk la pa përmendur edhe qasjen ndaj ekipeve të mëdha, duke përmendur mungesën e agresivitetit ndaj ekipeve si Anglia:
“Ne nuk tentojmë fare. Po si mund të thuhet ‘është Anglia, do hanim 5 gola’? Kur kemi luajtur me Gjermaninë kampione bote, kemi dalë me rezultate të ngushta. Si mund të jesh trajner dhe të mendosh kështu?!”
Sa i përket së ardhmes së Sylvinhos në krye të kombëtares, Hafizi ishte i prerë:
“Provat janë dhënë. Një herë, dy herë, tre herë… nuk mund të thuash më që është rastësi. Nëse arsyeja që mbahet është ekonomike, që të mos paguhen trajnerë të tjerë, atëherë kjo është një zgjedhje tjetër. Por sportivisht, ai nuk duhet të vazhdojë.”