Showbiz

Si e kolonizuan botën buburrecat?

Shkruar nga Liberale
Si e kolonizuan botën buburrecat?

Blattella Germanica është një nga speciet e buburrecave më të përhapura në botë, ashtu siç e di mirë kushdo që është përballur me një infektim të këtyre insekteve në shtëpi. Më pak se dy centimetra të gjatë dhe me ngjyrë kafe në të kuqe, këto buburreca gjenden praktikisht kudo ku ka njerëz, ndërkohë që është shumë më e vështirë t’i gjesh në mjedise natyrore. Aq e vështirë është sa e ka shtyrë një grup kërkimor të pyesë veten pse dhe mbi të gjitha cila është origjina aktuale e këtyre insekteve shumë të shpejtë, të uritur dhe jashtëzakonisht pjellor.
 
Ndryshe nga sa sugjeron emri, Blattella Germanica nuk është një buburrec vendas në Gjermani. Ky lloj u klasifikua në këtë mënyrë nga natyralisti suedez Carl Nilsson Linnaeus, i cili në shekullin tetëmbëdhjetë kishte përsosur një sistem nomenklature që do të ndikonte thellësisht në mënyrën se si ne rendisim speciet. Zgjedhja specifikohet më shumë nga arsyet historike sesa ato shkencore.
 
Buburrecat e para të kësaj specie filluan të viheshin re në Europë më pak se tre shekuj më parë, të paktën duke gjykuar nga dëshmitë e kohës dhe referencat e para për këtë lloj të veçantë insekti. Në atë kohë, Suedia ishte e përfshirë në atë që do të bëhej e njohur si ”Lufta Shtatëvjeçare”. Në njëfarë mënyre edhe buburrecat përfunduan në mes të konfliktit, ku palët kundërshtare i emërtonin me referenca për armiqtë e tyre, si ”buburrecat prusianë” ose ”buburrecat rusë” në varësi të rastit. Në këtë kontekst, Linnaeus vendosi ta quajë specien Blattella Germanica, kështu, një emër që qëndron ende sot dhe që përcakton par excellence buburrecin.  
 
Megjithatë, origjina e këtyre insekteve nuk është gjermane apo edhe europiane, të paktën sipas studimeve të publikuara së fundmi në revistën shkencore Proceedings of the National Academy of Sciences (PNAS). Për të zbuluar origjinën e buburrecave më të përhapur në botë, një grup studiuesish ndërkombëtar u kërkoi ekspertëve në vende të ndryshme të siguronin disa mostra të buburrecave të mbledhura me kalimin e kohës për të kryer studimet e tyre.
 
Nuk ishte një kërkesë veçanërisht e pazakontë: ndodh shpesh që entomologët dhe studiuesit e tjerë të marrin individë të buburrecave, ndoshta nga kompani që merren me dezinfektimin dhe që duan të sigurohen se kanë të bëjnë me një specie specifike. Në këtë mënyrë, grupi i studiuesve mori 281 buburreca që i përkisnin specieve Blattella Germanica, plus disa individë që i përkasin specieve të tjera. Më pas, ata studiuan materialin e tyre gjenetik për të identifikuar ngjashmëritë dhe dallimet, në mënyrë që të vendoseshin lidhjet farefisnore nga pikëpamja e evolucionit të tyre.  
 
Studimi tregoi se buburrecat që ne i njohim pothuajse të gjithë, ishin të lidhur ngushtë me një specie aziatike të quajtur Blattella Asahinai, e cila zakonisht quhet buburrec aziatik. Sipas ekipit të studiesve, të dy speciet filluan të diferencoheshin rreth 2100 vjet më parë, një periudhë relativisht e afërt në periudhën evolucionare. Të dy speciet kanë shumë gjëra të përbashkëta, për më tepër, deri në atë pikë sa individët e njërës shpesh ngatërrohen me ato të tjetrit.

Bazuar në dallimet gjenetike midis buburrecave të ndryshëm të analizuar, ekipi i studiuesve identifikoi dy valë të mëdha të mundshme të përhapjes së Blattella germanica nga Azia në pjesën tjetër të botës. E para ndodhi 1200 vjet më parë me një lëvizje drejt perëndimit, ndoshta e favorizuar nga udhëtimet e tregtarëve dhe ushtarëve, e përdorur si burim nga buburrecat për ushqim dhe kalim.

Vala e dytë e madhe filloi më pak se katër shekuj më parë, ndoshta e favorizuar nga zhvillimi progresiv i teknologjive për ngrohjen e ndërtesave, duke qenë se këto kafshë fillimisht ishin mësuar me temperaturat tropikale. Fillimi i aktiviteteve koloniale dhe tregtia nëpër oqeane favorizoi përhapjen e mëvonshme të buburrecave në pjesën më të madhe të botës. Rreth 270 vjet më parë, Blattella germanica hyri në Evropë, duke marrë pak kohë për t'u përhapur në një pjesë të madhe të kontinentit dhe madje edhe për t'u vënë re nga Linnaeus.

Aspekti magjepsës që grupi hulumtues nxori nga analizat është se në njëfarë kuptimi ishin njerëzit ata që favorizuan ekzistencën dhe përhapjen e Blattella germanica. Buburrecat në thelb kishin një aftësi të fortë për t'u përshtatur dhe, nga brezi në brez përmes mutacioneve të rastësishme, ata gradualisht u bënë më të aftë për të shfrytëzuar gjërat që ne bëjmë për të jetuar: ruajtjen e ushqimit, gjumin natën dhe qëndrimin ngrohtë.

Blattella germanica kërkon në rezervat tona ushqimore, shpesh është më aktive gjatë natës, ku mund të veprojë e patrazuar duke preferuar më shumë ambiente të ngrohta, veçanërisht për t'u riprodhuar./ Përgatiti Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH