E ftuar në emisionin “Live From Tirana”, menaxherja e artistëve dhe rekrutuesja e talenteve, Rea Shena, ka komentuar përplasjen e fundit mes Anaidit dhe fituesit të “Big Brother VIP 4”, Gjestit. Anaidi ka shpërthyer në rrjetet sociale me akuza të forta ndaj Gjestit, duke e quajtur atë mosmirënjohës, çka ka shkaktuar shumë reagime nga fansat.
Rea u shpreh se nuk i di të gjitha detajet, por mendon se këto situata ndodhin shpesh në botën e showbizit.
“Këto janë gjëra që ndodhin rëndomë, edhe në Shqipëri edhe jashtë. Njerëzit ndihmojnë dhe kur nuk marrin atë që presin, flasin. S’duhet të ndodhin, por ndodhin”, tha ajo.
Rea shtoi se nuk beson që Anaidi ka qenë pjesë e grupit menaxhues të Gjestit, por gjithsesi e kupton se ndihmat pa kthim ndikojnë emocionalisht.
“Kam pasur vetë raste kur kam ndihmuar artistë brenda dhe jashtë Shqipërisë, edhe në Amerikë, dhe s’më kanë ditur për nder. Janë gjëra që të lëndojnë”, tha ajo.
E pyetur nëse duhet të pritet mirënjohje në këtë fushë, Rea u shpreh:
“Po, sepse showbizi është i vogël. Sot mund të mos kesh ndikim, por nesër gjithçka mund të ndryshojë. Sot Gjesti është fituesi i BBV, nesër mund të bëhet një figurë shumë e rëndësishme në këtë industri. E njëjta vlen edhe për Anaidin.”