E ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan gazetarja Jonila Godole ndan me publikun mes emocionesh historinë e saj të dashurisë me ambasadorin Christian Steiner. Teksa shkëput momente nga tabloja e tyre e dashurisë prej më shumë se 27 vitesh, Godole ndan dhe momentin e propozimit për martesë.
Rudina Magjistari: Një histori e cila kurorëzohet pas 27 vitesh. Histori kaq e bukur kur e dëgjon saqë dikush duhet ta shkruajë, mund ta shkruash ti vetë. Jo varet se si e shkruan.
Jonila Godole: Mbase.
Rudina Magjistari: Varet shumë nga mënyra se si zgjedh dhe unë mendoj se kur ti të zhvendosesh si gruaja e ambasadorit në ndonjë shtet atje me siguri që do të merresh me të shkruar.
Jonila Godole: Nuk e di, nuk e kam menduar.
Rudina Magjistari: Më vjen shumë mirë që e dëgjoj këtë histori sepse është shumë e bukur dhe e veçantë njëkohësisht. Propozimin për martesë pastaj pate ndonjë moment apo le të themi që gjërat u nënkuptuan që në këtë rifillimin tuaj tjetër?
Jonila Godole: Gjërat siç duket për Christianin ishin shumë të qarta që në fillim, për mua jo aq. Për mua të them të vërtetën nuk është se doja një martesë, pra jo detyrimisht, pasi të jetosh me personin që ti do për mua nuk ka nevojë që të martohesh, por për atë ishte e rëndësishme dhe e thoshte disa herë. Ditën që zgjodhi, që vetëm ai mund ta bëjë, që zgjodhi për të më propozuar në një farë mënyre për martesë ishte data 1 Prill. Ai priti sa të ikte nga Shqipëria në një vend tjetër, pasi unë i kisha thënë për sa kohë të jesh ambasador në Shqipëri absolutisht që jo sepse do të jetë gjithmonë kjo gruaja e ambasadorit, ndërkohë që unë jam vetvetja dhe jam Jonila Godole, pra kam karrierën time, kështu që ditën që ai mori vesh që do të largohej nga Shqipëria, ka qenë 1 Prill madje ka qenë në Shëngjin për plazh, këtë vit. Kur ai e bëri këtë propozim dhe kur e bëri unë përsëri nuk mendova se ne do të bënim dasmë fare. Por, mendova se ne mund të bënim diçka për 50-vjetorin tim.
Rudina Magjistari: Por e parë e parë ti e bëre lidhjen me 1 Prillin?
Jonila Godole: Në momentin e parë fare ishte një super surprizë. U mendova njëherë se çfarë duhet të them.
Rudina Magjistari: Të shkoi ndërmend që mund të ishte një shaka? Megjithatë unë mendoj se një njeri që të do fort nuk mund të bëjë shaka me gjëra të tilla.
Jonila Godole: Ai është një njeri që ka shumë humor dhe bën shaka, por një diplomat karriere nuk do të bënte kurrë shaka me këtë.