Ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare Tito Jackson, vëllai i Michael Jacksonit. Vdekja e tij u njoftua përmes rrjeteve sociale, nga dy djemtë e tij.
“Njoftojmë se babai ynë i dashur, Tito Jackson nuk është më me ne. Jemi të tronditur, të pikëlluar dhe të thyer. Babai ynë ishte një njeri i jashtëzakonshëm që kujdesej për mirëqenien e të gjithëve”, kanë njoftuar djemtë e tij TJ, Taj dhe Taryll përmes një deklarate të përbashkët të postuar në rrjete sociale, raportoi “The Guardian”.
“Jackson 5” përfshinte vëllezërit Jackie, Tito, Jermaine, Marlon dhe Michael. Ky grup, i cili u fut në sallën e famës së Rock & Roll-it më 1997, prodhoi disa hite në vitet ‘70, duke përfshirë ABC, I Ëant You Back dhe I'll Be There.
Ky grup u bë një nga emrat më të mëdhenj të muzikës nën drejtimin e babait të tyre, kitaristit Joe Jackson. Kur karriera muzikore e familjes mori hov, ata u zhvendosën në Kaliforni.
I lindur më 15 tetor 1953, Toriano Adaryll "Tito" Jackson ishte anëtari më pak i dëgjuar i grupit, si një këngëtar në sfond që luante kitarë. Vëllezërit e tij filluan karriera solo, duke përfshirë Michaelin, i cili u bë një nga yjet më të mëdhenj në botë. Michael Jackson vdiq në moshën 50-vjeçare më 25 qershor 2009.
Tito Jackson ishte i fundit nga nëntë vëllezërit e motrat Jackson që publikoi projekt solo më 2016, të titulluar “Tito Time”. Më 2019 ai njoftoi se është duke punuar për një album të dytë.