Kylie Jenner ndau në Tik-Tok detajet e ndërhyrjes së saj më të fundit në gjoks: 445 cc, profil i moderuar, gjysma nën muskul, silikon, kirurgu Garth Fisher. Dhe rrjeti shpërtheu. Komente, video reagimesh nga kirurgë plastikë, analistë estetikash, dhe me dhjetëra vajza që tashmë futen në konsultë mjekësore duke kërkuar të njëjtën “porosi”.
Duket si diçka e thjeshtë, apo jo? Si një recetë për kek që e lexon në Tik-Tok. Por realiteti është shumë më kompleks dhe shumë më i rrezikshëm.
Kirurgët janë alarmuar. Jo përse Kylie ndau detajet e saj. Por për mënyrën si u trajtua një procedurë kaq serioze; si të ishte një listë pazari: cc, profil, pozicion, silikon.
Ka një arsye pse çdo trup është unik dhe çdo ndërhyrje duhet të jetë e personalizuar. Nuk ka asgjë “standard” në kirurgjinë plastike. Nuk ka “i dua si të Kylie-t”. Pikërisht kjo është ajo që shumë vajza po harrojnë.