Pas dy ditësh heshtjeje dhe reagimesh të shumta nga publiku, Egli ka vendosur më në fund të thyejë heshtjen dhe të sqarojë pozicionin e saj për heqjen nga YouTube të dy bashkëpunimeve me Fifin “Shuj Shuj” dhe “Ku je nis”.
Në një reagim të gjatë dhe të matur në rrjetet sociale, këngëtarja theksoi se nuk ka pasur asnjë ndikim apo përgjegjësi për heqjen e këngëve, pasi siç tha ajo ka qenë thjesht e ftuar në projekt, njësoj si DJ Gimi-O.
“Kënga është hequr për 2 ditë nga platforma YouTube, në vendim të autores për shkaqe të sajat, ndaj edhe nuk kam bërë asnjë ndërhyrje apo reagim, pasi nuk janë materiale të miat,” shkruan Egli, duke ia lënë përgjegjësinë e plotë Fifit.
Por pjesa më interesante mbetet fundi i reagimit të saj, ku ajo konfirmon një shkëputje të qartë dhe të qëllimshme nga Fifi, në aspektin profesional:
“Kam vendosur me shumë respekt reciprok me Fifin, të shohim në një spekter më të gjerë, në mënyrë që asnjëra palë të mos ndikojë tek tjetra, për sa kohë të dyja i përkasim të njëjtës fushë, këndimit.”
Në përfundim, Egli premton rikthim me projekte të reja muzikore dhe shumë surpriza gjatë këtij muaji, duke i falënderuar fansat për dashurinë e pandalshme.
Drama vazhdon, por Egli të paktën për momentin e mban tonin të qetë dhe diplomatik. Tani topi është tërësisht në fushën e Fifit.