Alketa Vejsiu ishte e ftuar në podkastin “Mirëmbrëma Yje” të Arbana Osmanit, ku kanë folur gjerë e gjatë me njëra-tjetrën.
Ndër shumë gjëra, Alketa ka folur edhe për vitin e vështirë që ka kaluar për shkak të humbjes së të atit.
“Ky vit ka qenë i mbushur me lot”, nisi ajo. “Kam qarë për atë baba që nuk jeton më, por sot dua të flas për të me buzëqeshje. Dua të tregoj gjithçka të bukur që më ka mësuar dhe trashëguar, pa lot.”
Alketa rrëfeu mesazhet e fundit që i ati i kishte lënë, të mbushura me dashuri dhe krenari: “Më thoshte gjithmonë: ‘Unë do të iki i lumtur sepse pata një fëmijë që nuk më zhgënjeu kurrë. Ti më bëre krenar.’ Ai më la një amanet: të jem e lumtur dhe ta çoj jetën përpara.”
Duke kujtuar dashurinë e pakushtëzuar të babait të saj, Alketa tha: “Unë kam qenë gjithmonë goca e babit. Ai ishte fansi im më i madh, dhe mesazhet e tij të fundit janë dëshmi e një dashurie që nuk do të ma zëvendësojë askush.”
Rrëfimi përfundoi me një detaj të veçantë nga përcjellja e tij drejt banesës së fundit:
“E kam përcjellë me muzikë, siç ma kërkoi. Ai donte që unë të vishesha me të bardha dhe që funerali i tij të ishte një festë, jo një pikëllim. Muzika ishte ajo që e shoqëroi deri në fund, ashtu siç do të kishte dashur gjithmonë.”