Rudina Muharremi Beja është sot një nga poetet dhe shkrimtaret më të dashura në vendlindjen e saj, Durrës dhe në Ravereto Itali.
Pasioni për letërsinë ka qenë i hershëm. Botimi i librit të parë në formë jetëshkrimi, më pas ajo do të vijonte me poezinë, me vargje të rregullt dhe të lira.
Tematika e poetike e autores, është vetë larmia e jetës, e cila shpesh vjen nëpërmjet natyralizimit natyrë - njeri, në të gjitha këndvështrimet dhe përballjet. Kjo gjë e sjellë shumë pranë lexuesit, por dhe e detajon për prognozën e shfaqur. Depërtimi përbrenda strukturës poetike dhe tendencave letrare, janë në sinkron të plotë, me rrymat më postëmoderne dhe i paraprijnë dritëhijes së hedhur, si ndriçim i shpirtit dhe memorie që kërkon pareshtur të udhëtojë figurativisht në hapësirë dhe në kohë. E gjithë kjo si dëshpërim i ngjyrave të kohës dhe përcjellje drejt së nesërmes. Përmes prozës së shkurtër ajo depërton përtej fasadave ngjyrimeve si reflektim por dhe si një përshfaqje e një kreativiteti që e ngjit atë në nivele shumë të larta artistike.
Rudina brenda pak vitesh është shfaqur si një emër i njohur i poezisë, e cila është vlerësuar shumë dhe nga kritika letrare, më lidhje me krijimtarinë e saj artistike, jo vetëm në vendlindje, ku tashmë përmendet me krenari krahas figurave të tjera të shquara Ishmake, por dhe në aeralin bashkohorë të letrave shqipe.
Rudina vlerësohet për emocionin që përcjell nëpërmjet krijimit me nivel të lartë artistik e dinjitoz. Gjithashtu ajo vlerësohet dhe për emocionin që përcjell si moderatore në aktivitete promovuese, por edhe për interpretimet brilante të poezive, dhunti të veçanta të saj.
Njëkohësisht, autorja shfaq kulmin pelegrinazhit shpirtëror, për të qenë vetvetja, duke përforcuar idenë e pranimit të vetvetes dhe shfaqjes së saj të vërtetë, dmth vetveten, pavarësisht perceptimit të të tjerëve për ne.
Rudina shprehet se: "Poezia? Një pasion, që në mua pësoi një “metamorfozë” të vërtetë, duke më dhuruar një palë flatra të guximshme për të spikatur fluturimin qiejve të magjishëm".
Poezitë e saj janë të thjeshta në formë, por të pasur në përmbajtje filozofike dhe ndjesore, duke përcjell mesazhin e fuqishëm të reflektimit e përkushtimit ndaj vetes. Me një stil të veçantë modern dhe post modern dhe përdorimin e figurave artistike që nxisin përsiatje të thella, Rudina Muharremi Beja, përcjell një qasje reale ndaj jetës. Ku qëllimi nuk është thjesht arritja e një caku të jashtëm, por njohja dhe pranimi i një përsosmërie shpirtërore.
Në këtë kontekst ndjejmë se poezitë e Rudinës, janë poezi mesazh dhe mesazhi poetik i autores qëndron te vlera e procesit të njohjes së vetvetes, përmes udhëtimit shpirtëror në kohë dhe në hapsirë.
Me fjalën e saj të duket se poetja Rudina Muharremi Beja vizaton në akuarel, por në atë të shpirtit. Poezitë e saj por dhe proza e shkurtër, të cilat ecin paralel me njëra-tjetrën, kanë gjetur hapësirën e duhur në shumë portale, antologji por dhe gazeta të njohura letrare, kombëtare dhe ndërkombëtare, si “Nacional”, “Mapo Letrare”, “ Revista Letrare” “Revista Agmia”, si dhe në portale serioze e Antologji të ndryshme.
Në rrjetet sociale poezitë e saj janë pritur shumë mirë, këtë e përligjin ndjekësit, e komentet e shumta vlerësuese dhe tejet pozitive.
Poezitë dhe prozat e saj tashmë kanë gjetur hapësirën e nevojshme dhe janë përkthyer në anglisht dhe italisht.
Poezitë janë interpretuar shpesh edhe prej vetë autores.
RUDINA MUHARREMI - BEJA, u lind në Lalëz, Ishëm në vitin 1976, pas perfundimit të studimeve ajo punoi si mësuese deri në vitin 2001.
Aktualisht jeton në Rovereto - Trentino Alto Adige (Itali), nga vitit 2001 e në vijim.
Rudina ka botuar 13 libra në gjininë e poezisë dhe prozës (nga të cilët janë 10 vëllime me poezi, dy vëllime me prozë dhe një vëllim dy gjuhësh shqip-italisht) - libra të cilët janë pritur mjaft mirë nga kritika letrare dhe lexuesit.
Ka fituar disa çmime mes tyre edhe çmimin e dytë në konkursin e poezisë zhvilluar në Itali vitin 2023 nga Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë në Itali.
Së fundmi iu dha titulli “Ambasador për Paqe” nga Këshilli Shqiptar i Paqes në Itali.
Më konkretisht krijimtaria letrare e saj përmbledh lëto libra:
1- Im atë, mjeku i të gjithëve (jetëshkrim)
2- Hojet e zemrës (vëllim poetik)
3- Lutje lulesh (vëllim poetik)
4- Valsi vallëzon vetëm…(vëllim poetik)
5- Orët e Tokës (Vëllim poetik)
6- Hënë mbi kodra (vëllim poetik)
7- Kur ndërronte fustanet… (poezi & prozë)
8 - “Strehë malli” (poezi)
9- “Me gjuhën e tyre” ( tregime)
10- “Volevo scrivere” vëllim me poezi në dy gjuhë (shqip- italisht)
11- “Kandil i shpirti” poezi
12- “Perdet e shpirtit” poezi
13- “Shteg drite” poezi
Autorja vijon punën në përgatitjen e botimeve të radhës.
Disa poezi të saj:
At...!
At,
Ti e di se i urrej dimrat.
Ata më zhveshin,
m'i marrin të gjithë ngrohtësitë,
e më sjellin pranë,
kujtimin e humbjes tënde.
Më trishtojnë Dhjetorët!
Atë mbrëmje Hëna s'u duk,
kurse mëngjesi u zgjua me bubullimë
një uragan befas qiellin nxiu
Tërsëlliu porta,
e dimri me këmbët çjerrur kalldrëmeve
mbërrinte me gulçe ere,
ndërsa dielli do të lindte matanë...
E dita do të shihte terrin e saj...!
Para meje shfaqej kurmi Yt pa frymë At
dergjur nën dritën e një feneri të zbehtë
pa dhimje,
nisej udhës së amshimit,
me buzën në të qeshur
Tokës do t'i çonte tërë atë hijshmëri
veshur me akullin e një bukurie,
e kostumin e zi,
peng i një trishtimi...
Do t'i çonte dheut fytyrën e pastër
përkundur në një heshtje të paqme
e sytë mbyllur me një gardh qerpikësh
nën ballin e lartë.
Tërë botën tënde do ta merrje me vete,
n'kafaz të kraharorit
zemrës së begatë
e shpirtin tek fryma e Zotit
Asgjë tjetër,
asnjë testament
as ara,
e as çifligje...
Që atëherë, shtegtuan dallëndyshe
prapë bënë fole ndër vite,
e prapë i braktisën për të humbur në re tymi
e së fundmi një tërmet i shembi
Por s' u venit imazhi yt,
etur balli për një puthje...!
U dhanë dimrat që ta ngrinin
U dhanë vjeshtat që ta zverdhin
Vera kujtimin deshi të zbehë
trajtave të nesërme,
Por pranverës zambakët çelnin
në ngjyra të bardha,
njomur me lot
duke pëshpëritur tinëz,
se të kam dashur fort!
Po At,
dhe monopatet ta kanë ruajtur gjurmën
e deti gjithnjë për ty mërmërin...,
As mua fjalët s' mu mbaruan.
Njërën dorë vë mbi mermer
tjetrën në zemër,
Zotin lus,
e atë qiparis që ajrin gris
Të të ruajnë kur qiejtë të rrebelohen,
e kujtesa më pranë meje të të sjell!
LISAT
Bregu, nuk vesh më lisa.
Ata i prenë.
I shitën n’ pazare fjalësh
Krejt dritën që mbartnin,
ia zbehu tehu i egër i një sëpate
Krejt fjalët që s’ thanë,
u dëgjuan krismës së një rënie
Vrerorosem.
Pse njerëzit s’e dinë gjuhën e pemëve?
Të zogjve,
t' flladitjeve,
të shirave,
të gjetheve…
Eh, gjuha e njerëzve…
ËNDRRAT
Ëndrrat,
ashtu si valët,
ngarkojnë flatrat me dëshira të pafajshme
ngjyra të mrekullueshme
parfume dehëse,
e mërmërimave të përhershme
vrapojnë pareshtur,
ndoshta, për t'u thërrmuar shkëmbijve...
VIZATIM NË AKUAREL
Ja gjurmët e mia nën qiellin që stis retë
e dritëhijeve luan me shkimëza rrezesh
Ja shpirti im shndërruar në frymë
tek flet me zhargonë stërkalash...
Ja ndjenjat përhumbur nëpër atë qerthull
që ngjyrat ka zverdhur stinësh,
Ja stigmat fshehur fasadave të rreme
e dhimbjet përtej kornizash...
Ja troku drithërues përhumbur hapave
enigmave që vetëm thellohen,
Ja flatrat ngarkuar me dëshira të pafajshme
shkëmbijve të egër tek thërmohen...
Ja ti, tek vjen si një fllad pranvere
më përkëdhel e lule ndiej të çelin
buisin ngjyra e njëmijë vezullime
mbi fletën ku vizatoj akuarelin...
Ja si shprehet Shkrimtari i shquar Bardhyl Londo, për poeten:
“Rudina i ngjan atij peshkatarit që vërtetë kundron me sy sipërfaqen e detit, por syri poetik arrin të zbulojë dhe të nxjerrë nga thellësitë e tij perlat e vërteta, gjë që nuk mund ta bëjë një sy i zakoshëm.
Rudina është një poete me thekse origjinale ekzistencialiste. Kjo dhe vargu i saj i veçantë, i pangjashëm me asnjë poet tjeter, e bëjnë atë të afërt dhe të lexueshme për gjithë ata që e ndjekin dhe duan poezinë”.
Për sa më sipër, duke qenë një lexues i rregullt i poezive të Rudinës, kam konstatuar se ajo ka realizuar një ngjitje në një nivel shumë të lartë artistik. Kjo përmes mjeshtërisë, me të cilën ajo ndërlidh elementët filozofikë të krijimit, me elementët psikologjikë, madje duke e shprehur këtë ndërlidhje në mënyrë të përsosur artistike në krijimet e saj.
Struktura dhe stili i saj meditativ pasqyrojnë një përkushtim të ri ndaj përmbajtjes filozofiko-psikologjike. Duke i dhënë poezive të saj, një vlerë të veçantë, e lidhur kjo me pjekurinë krijuese të poetes.
Përgatiti artikullin: Agim Lika