Letërsi

Çun Lajçi mesazh prekës për mikun e tij Agim Doçi: Lamtumirë mjeshtër, s'u pajtove kurrë me budallakitë e shqiptarit!

Shkruar nga Liberale

Çun Lajçi mesazh prekës për mikun e tij Agim

Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi, ka shprehur përmes disa reshtave mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të poetit të mirënjohur, Agim Doçi.

Ai i jep lamturmirën mikut të tij, duke e cilësuar: "Lamtumirë mjeshtër që s'u pajtove kurrë me budallakitë e shqiptarit!"

Postimi i plotë i Çun Lajçit: 

Agimit, - Kosova djep lirie!

E kuptova se nuk do ngulësh këmbë më, n'akull as n'rërë! E mora vesh atë ditë kur erdhe paksa i "dredhuem", t'me takosh të stoli i gurit, n'sheshin e Lalit Eri, me ato pak libra që kisha e me një sharki kokëmadhe!

Atë ditë humorin e pate me kryet tim siduket, por ti e lidhe me sharkinë; - ç'të duhet sharkia kryet sa nji shinik n'qytetin e tallavishtes! Kape defin n'do t'shesesh libra!

- Jam lodhur me pavlerat u ankove atë ditë, kur e palove nën sqetull librin tim me një dedikim të varfër, - njeriut që tërë jetën thuri vargje për Kosovën dhe u bë fushë e përgjakur luftërash e varresh n'këngët që s'heshtin"!

- Na ka marrë dreqi lum vllau; - jo nëpër kamë, po nëpër ko*e dhe po na rruen qyshë po don e ku po don! T'pa lamit po lahen me dien e tjetrit dhe vlera ka kalua n'xhepat e kokëboshit! Jam lodhë me ket "mullinin" tim, u ankove duke e fërkuar kokën, sikur ajo kishte luajtur pak terezie!
Atë ditë nuk pive kafe me mua!

- S'dua t'ia prishi shijën asaj kafës së fundit me Bubulinën tënde n'Rogner, - kështu the, dhe ike me "Bekimin e plisit t'Moisiut" nën sqetull!

Mua s'ma këpute vetëm telin e zemrës me ato fjalë, por edhe telin e trashë të sharkisë ma këpute dhe mbeta heshtak n'Tiranën e xhurulltive, pa këngë e pa shitje!

E dija se nuk do ngulësh këmbë më, do ikje me rrëshqitjen e parë! Por; - pse n'Pogradec e jo n'Pukë? Ishe a s'ishe mirditor? Nejse! Aty e kemi fundin të gjithë, sa do që ngulim këmbë si thiu n'akull!

Lamtumirë mjeshtër që s'u pajtove kurrë me budallakitë e shqiptarit!

Do mbahesh mend si njeri me zemër t'bardhë, atdhedashës i djegur dhe poet i kangës që s'shuhet!
Pusho të të tjerët, se një grusht dhe do e hudhi mbi trupin tënd, bashkë me Remzi Ejupin, llapjanin, që e deshte e të deshti, e kurrë s'të harroi!
Kështu e paska jeta; - prit e përcjell!
Prishtinë, 24.06.2024

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH