Letërsi

“Shqipëria e ka të ndaluar të flasësh kundër regjimit”, Helena Kadare zbulon deklaratën e shkrimtarit në televizionin gjerman para viteve 90

Shkruar nga Liberale

“Shqipëria e ka të ndaluar të flasësh kundër

Shkrimtari Ismail Kadare është një ndër personazhet më të intervistuar brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë. Gjatë kohës së komunizmit muret e izolimit kaloheshin prej tij dhe librave që botonte, ndërsa mediat evropiane kishin interes të dinin se çfarë ndodhte brenda atij vendi të vogël, që i kishte shpallur të gjithë armiq.

Gjatë promovimit të librit të gazetares Eni Vasili “Kadare në studio” në Kryeminsitri, Helena Kadare rrëfeu se pas intervistave, kur kthehej në Shqipëri ai pyetej për deklaratat që bënte.

“Meqë po flisnim për jashtë, sepse ai dërgohej jashtë për ndonjë libër që nxirrte e natyrisht që gazetarët ishin shumë kuriozë të dinin. Problemi ishte kur kthehej e i thoshnin: “pse e ke thënë kështu”. Më kujtohet një rast kur ishin në Gjermani dhe e morën në televizor. Ismaili i tha që më bëni çfarëdolloj pyetje që të doni por jo për politikën. E gazetari pikërisht me atë e filloi: “Z. Kadare, a mund të shkruani në Shqipëri gjëra kundër regjimit?”, ishte pyetja e tij. “Jo nuk është e mundur”, iu përgjigj. “Pse nuk është e mundur”, insistoi gazetari. “Sepse në Shqipëri është e ndaluar me ligj të flasësh kundër regjimit”, ia ktheu Ismaili.”

Më tej, zonja Kadare tregoi edhe një rast të dytë me një gazetar izraelit, i cili e pyeti për marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.

“Në vitin ’89, erdhi një gazetar nga Izraeli, i cili midis pyetjeve të ndryshme kishte edhe këtë: A mendoni që duhen vendosur marëdhëniet me Izraelin? Atëherë as futbollistët tanë nuk merrnin pjesë diku nëse Izraeli ishte pjesëmarrës. “Patjetër që duhet bërë, menjëherë bile”, i tha Kadare. Mirëpo kjo deklaratë nuk vinte nga Ministria e Jashtme, vinte nga individë. E u bë një turbullirë e madhe. Por deklarata e tij u bë shkak për vendosjen e marrëdhënieve”.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH